KAS: PD do regjistrohet në zgjedhje, por me Alibeajn si kryetar të komanduar

442

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve detyroi sot KQZ-në të regjistrojë Partinë Demokratike me kryetar të komanduar, Enkelejd Alibeajn në zgjedhjet lokale të 14 majit. Pas një seance që zgjati më shumë se 60 minuta, anëtarët e KAS-it vlerësuan se deklarata e solemnitetit që është firmosur nga Alibeaj dhe jo nga Basha siç e kërkonte kreu i KQZ-së, Celibashi, është e vlefshme.

Elvis Cefa ishte i vetmi që votoi kundër regjistrimit të PD me emrin e Alibeajn, ashtu edhe pro (me 4 vota të tjera kundër) për kërkesën për të regjistruar PD-në me kryetar Sali Berishën.

Kujtojmë se përpara vendimit të sotëm nga KAS, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi kishte kërkuar nga grupimi i Alibeajt që deklarata solemne të dorëzohej e firmosur nga ai që rezulton ende si kryetar i PD-së në KQZ, Lulzim Basha.

Pasi KAS i dha dritën jeshile për t’u regjistruar në zgjedhjet vendore të 14 majit, Enkelejd Alibeaj i ka bërë thirrje grupimit tjetër të Partisë Demokratike që t’i lënë mënjanë mëritë e të bëhen bashkë kundër mazhorancës.

Në një reagim pas vendimit të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, Alibeaj shprehet se vonesa dyjavore që u bë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është në dëm të demokratëve dhe qytetarëve shqiptarë.

Ai u bëri thirrje kandidatëve demokratë që të bashkohen dhe të dalin me ofertë të unifikuat për zgjedhjet e kësaj pranvere.

“Vendimi i sotëm i KAS është konfirmim i detyrimit ligjor për të regjistruar PD në zgjedhjet lokale të 14 majit. Vonesa gati dy javore për këtë proces, me autor kryekomisionerin Celibashi është një dëm që u është bërë demokratëve dhe shqiptarëve nga zgjatimet e politikës së vjetër në institucionet e pavarura kushtetuese. Me këtë rast, edhe njëherë ftojmë të gjithë kandidatët demokratë, pa asnjë dallim të bashkohemi dhe të prezantohemi me një kandidat të PD në zgjedhjet lokale. Le të lemë mënjanë mëritë dhe mosmarrveshjet dhe le të bëjmë më të mirën e mundshme përballë regjimit të Edi Ramës.” deklaron, Enkelejd Allibeaj.