ISHP nxjerr analizat e para: Uji i Bulqizës s’ka ndotje mikrobiale

858

Instituti i Shëndetit Publik ka nxjerrë analizat e para të ujit në Bulqizë, pas helmimit të 113 personave. Sipas njoftimit të ISHP-së, nga analizat e kryera rezulton se përgjigja e mostrës, ka dalë negative për ngarkesë mikrobiologjike. Por këto janë vetëm analizat e para dhe sipas ISHP për një përgjigje më të plotë për shkaktarin e simptomave tek qytetarët e Bulqizës, duhet të presim rezultatet për parametrat mikrobiologjik, fiziko-kimike dhe toksikologjike (metalet e rënda dhe pesticidet). Shtrimi masiv i banorëve në Spitalin e Bulqizës, me simptoma helmimi ka nisur që prej ditës së premte.

Njoftimi i plotë i ISHP-së:

Përgjigja e analizave të para për ujin në Bulqizë.

Në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik ka dalë rezultati i një prej analizave mikrobiologjike të ujit të pijshëm marrë në rrjetin ujësjellës, që dyshohet të ketë shkaktuar disa simptoma në banorët e ‘Lagjes së Vjetër’ në Bulqizë.

Përgjigja e mostrës së sjellë nga Shërbimi i Sëmundjeve Infektive, Njësina Vendore e Kujdesit Shëndetësor Bulqizë, në laboratorin e ISHP, ka dalë negative për ngarkesë mikrobiologjike, pra nuk ka ndotje mikrobiale.

Për një përgjigje më të plotë për shkaktarin e simptomave tek qytetarët e Bulqizës duhet të presim rezultatet e tjera të analizave nga mostrat e marra nga grupi i ISHP në Bulqizë.

Nga ana e specialistëve të ISHP në zonën ku janë paraqitur më shumë raste, janë marrë mostra uji në rrjetin ujësjellës, këto mostra janë në proces analizimi për parametrat mikrobiologjik, fiziko-kimike dhe toksikologjike (metalet e rënda dhe pesticidet), këto analiza pritet të dalin në ditët në vijim.