Investimi për terrenet sportive, përplas bashkinë Bulqizë me pronarët që pretendojnë tokën

1383
Projekti i Bashkisë Bulqizë për ndërtimin e disa terreneve sportive pranë shkollës 9-vjeçare “Xhevdet Doda”. Foto: Bulqizaime.al

Projekti i Bashkisë Bulqizë për ndërtimin e disa terreneve sportive pranë shkollës 9-vjeçare “Xhevdet Doda” ka sjellë përplasje me dy familje që pretendojnë pronësinë mbi tokën.

Në muajin shtator 2022 Bashkia Bulqizë shpalli në Agjencinë e Prokurimit Publik njoftimin për nisjen e procedurave për ndërtimin e tre fushave sportive; minifutbolli, volejbolli dhe basketbolli. Në raportin teknik të këtij investimi thuhet se gjendja aktuale e këtyre terreneve sportive është e degraduar dhe e pa mundur për të zhvilluar aktivitetet sportive. “Gjithashtu, sistemimi i largimit të ujërave mungon plotësisht, pasi ato rrjedhin në sipërfaqen e fushës sipas pjerrësive natyrale të vetë gjendjes ekzistuese” thuhet në raportin teknik të kompanisë Albgoldin 2E. Fondi limit për këtë investim do të ishte 8, 113, 765 lekë pa TVSH ose afro 67 mijë euro.

Por nga familja Kola që pretendojnë truallin ku do të zhvillohet ky investim e kanë kundërshtuar, pa zgjidhur më parë çështjen e shpronësimit. Në kërkesën drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër që Bulqizaime.al e disponon, familjarët deklarojnë se e posedojnë prej 22 vitesh tokën me sipërfaqe 2300 m2 me statusin juridik ‘shtet të pa certifikuar’. Në kërkesën e Shkëlqim dhe Isuf Kola për sigurimin e padisë dhe ndalimin e punimeve deri në gjykimin në themel, thuhet se Bashkia Bulqizë ka tentuar që të kryej punime të paligjshme dhe pa një leje ndërtimi në pronën për të cilën po përballen në gjykatë. “Ndaj jemi detyruar që t’ju drejtohemi urgjent në këtë moment me kërkesën për sigurimin e padisë, pasi ekziston rreziku që pala e paditur Bashkia Bulqizë mund të tjetërsoj pronën objekt gjykimi, duke kryrë proçedura fiktive për të nxjerr leje ndërtimi duke qënë se është vetë organi që i lëshonë lejet e ndërtimit. Duke veshtirësuar realizimin e të drejtave që paditësi po kërkon në këtë proces gjyqësor dhe se ekzekutimi i vendimit do të bëhet i vështirë ose i pamundur, si dhe do të përbënte shkak për lindjen e konflikteve të tjera civile. Ndaj vendosja e pezullimit të punimeve është një kërkesë e ligjëshme dhe e domosdoshme në këto momente dhe nuk paragjykon absolutisht zgjidhjen e çeshtjes në themel të saj, por mbron interesat e palëve në këtë proces.” thuhet në kërkesën e familjes Kola, drejtur Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër.

Gjykate ende nuk ka marrë një vendim, ndërsa në terren vazhdojnë punimet nga bashkimi i kompanive “Haziri” dhe “Avduli” të cilët kanë lidhur kontratën me Bashkinë Bulqizë për të kryer investimin me vlerë prej 7, 887, 015 ose afro 65 mijë euro pa tvsh me afat prej 54 ditë. Të kontaktuar nga Bulqizaime.al, kompania “Albgoldin 2E” që është mbikqyrësi i punimeve, por njëkohësisht edhe hartuesi i projektit, refuzuan të sqaronin nëse investimi kishte leje ndërtimore.

Ditën e hënë një trupë inspektuese nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ishte për të parë punimet se ku po kryhej investimi si për fushat sportive, por ngjitur edhe për tregun bujqësor. Kontaktuar me telefon nga Bulqizaime.al, kreu i IKMT Dibër, Behar Dedolli tha se po kryhen verifikimet nëse jemi përballë një rasti ku ndërtimi ka nisur pa lejet përkatëse dhe se në ditët në vijim do të kishte një qëndrim. Ndërsa nga kompania “Avduli Sh.P.K” mohuan pretendimet e familjarëve se ndërtimi i terreneve sportive po bëhet pa leje.

Familja Kola pretendon se vazhdimisht ka denoncuar në Polici “zaptimin” e tokës nga Bashkia Bulqizë, por këta të fundit nuk kanë reaguar për të ndalur punimet, që sipas tyre “janë pa lejet përkatëse”. Duke ju përgjigjur interesit të Bulqizaime.al për rastin në fjalë, Drejtoria Vendore e Policisë Dibër bën me dije se ka proceduar penalisht një person për pengim të punimeve për ndërtimin e terreneve sportive në zonën në fjalë. Policia nuk dha sqarime të mëtejshme për pretendimet e familjarëve.