INTERVISTË/ Studiuesi Agim Demiri boton librin “Fjalor nga e folmja e Bulqizës”

561
Kopertina e botimit "Fjalor nga e folmja e Bulqizës"

Prej disa muajsh, Agim Demiri ka botuar librin “Fjalor nga e folmja e Bulqizës”. Lënda e këtij fjalori është vendosur në 310 faqe dhe përbëhet prej 4250 fjalësh vetëm të kësaj krahine, të mbledhura me kujdes gjatë kohës kur Agimi jetonte dhe punonte si mësues në Fushë-Bulqizë – shtëpia botuese e këtij libri është “PRINT-AL”. Demiri ka punuar për disa vite si mësues i gjuhës shqipe dhe të letërsisë në Bulqizë, ndërsa prej kohësh së bashku me familjen është shpërngulur në Terni, Itali. Çdo fjalë shoqërohet me shpjegime gjuhësore, synonimet dhe përdorime të fjalës nga shkrimtarë si Fishta, Dara, Kadare, Xoxe, Agolli, Kuteli, etj.

Janë fjalët që flet krahina e Bulqizës, të bukura, që tregojnë pasurinë e madhe gjuhësore të saj, që nuk ka vetëm krom si pasuri e nëntokës, por ka dhe etnografi të tillë shumë të pasur, ka dhe mundësi të mëdha turistike, ka dhe gjuhë shumë të pasur, ka dhe banorë të zot, që jetojnë bukur e këndojnë bukur, kërcejnë bukur, flasin bukur, jetojnë bukur… Fjalët në libër autori i ka dhënë, të shpjeguara, të pajisura me shembuj si i flet krahina, duke bërë kështu një pasqyrim të një pjesë fjalësh që mund të humbnin me kalimin e kohës, që brezat e rinj duhet t’i njohin dhe përdorin dhe që gjuha shqipe duhet t’i bëjë pjesë të saj. Autori paraqet në këtë fjalor fjalë që përdoren si emërtime vendesh, bimësh e drurësh, gatesash, veshjesh, etj, që janë shumë të bukura dhe duhet të njihen dhe të gjurmohen më tej si një pasuri shumë me vlerë. Këtë lëndë autori e përshkruan në faqet e këtij fjalori në mënyrë të krahasueshme me fjalë të tjera me kuptim të njejtë, apo të afërt që fliten në gjithë krahinat shqipfolëse, apo që janë përdorur bukur nga autorë të ndryshëm, duke bërë kështu një “gjeografi-fjalor”, zgjedhje e re bashkëkohore kjo e botimeve tona gjuhësore shumë e nevojshme për shkallën ku ndodhet hapja e gjuhës së folur shqipe në jetën tonë të përditshme shqiptare.

Fjalët që shpjegohen jepen të shoqëruara me shumë fjalë të tjera shqipe, që të krijojnë mundësi që ta kuptosh dhe ta shijosh më mirë kuptimin e saj dhe që bulqizaku të njihet me shumë fjalë të tjera me të njejtin kuptim, ose me kuptim të afërt, që ka në gjithë krahinat tjera ku flitet shqip. Ka mjaft raste që autori ka shënuar dhe shpjeguar fjalën, duke e shoqëruar me shprehje të bukura të kësaj krahinë, nga sasia shumë e madhe e tyre, që autori ka në arkivin e tij dhe që meritojnë të paraqiten si një botim me vete si pasuri shumë e madhe e kësaj krahinë. Në këtë fjalor autori ka dhënë në mjaft raste edhe shpjegime të mënyrës interesante të jetesës dhe të etnografisë së Bulqizës, duke e bërë fjalorin edhe më tërheqës për studiuesit përdoruesit e apasionuar.

Fjalori gjithashtu ka paraqitur në hyrje veçoritë fonetike të të folmës së kësaj krahinë, duke përcaktuar hollësisht afrim- largimet, që ka kjo e folme me gjithë gjuhën shqipe dhe që do të jenë bazë dhe do të ndihmojnë më tej studimin e gjuhës shqipe dhe të kësaj të folmeje si pjesë e saj. Nga të gjitha këto, mendojmë se fjalori do të jetë një libër i bukur dhe i vlefshëm për Bulqizën dhe të folmën e saj dhe që do të zërë vendin e duhur në bibliotekat e bulqizakëve e të studiuesve të gjuhësisë.

Z. Demiri, cila ishte shtysa në botimin e këtij fjalori?

Në kohën kur unë punoja mësues, bashkëpunoja me nxënësit. Ato i gjurmonin fjalët nga bisedat me njerëzit e tyre, i binin dhe punonim për të shpjeguar kuptimin. Frut i gjithë kësaj pune kur arrita të njihem me krejt fjalorin e gjuhës shqipe dhe shpjegimet për to, u bë ky libër. Nuk është lehtë për t’u shpjeguar dhe unë ia kam arritur duke gjurmuar gjithë sinonimet për to dhe kam krahasuar shpjegimet. Në këtë mënyrë unë kam bërë fjalët e Bulqizës dhe gjithë sinonimet duke bërë kështu edhe një gjeografi-fjalor. Kjo sepse dua që bulqizaku i interesuar për të njohur fjalën e vendit të tij dhe se si i thonë në vende të tjera dhe në gjuhën letrare. Tashmë pas shumë vështirësish, lexuesi i sotëm bulqizak dhe më gjerë i ka këto dhe ka mundësi që të kuptojë më më domethënie gjuhën. Këtë e bëja unë kur isha mësues me nxënësit, duke pasur shumë rezultat… Këtë dëshiroj të të bëjë në të ardhmën edhe fjalori im me lexuesin; Me një shpjegim që i bën ai fjalës së Bulqizës, tashmë të shpjeguar, të shpjegojë shumë fjalë të tjera sinonime, që janë paraqitur në çdo fjalë.

Keni një histori personale që ju lidh me zonën çka ka mbetur në kujtesën tuaj për botimin e këtij fjalori?

Deri tani kanë qenë fjalët që i kam dëgjuar nga bisedat e njerëzve dhe duke qenë një punë bashkë me nxënësit, nuk kam qenë i sigurt se ku e kam dëgjuar. Tani do të vë edhe se ku e kam dëgjuar ose lexuar, me gjithë nderimin e respektin do të vë edhe emrin e tyre. Pse kjo? Sepse po më del kjo punë te shprehjet. P.sh, krahas shumë shprehjeve të vjetra unë kam shënuar edhe një shprehje: “Je pllug m’i vesh”; Mos u ba pllug m’i vesh! e tj”. Këtë p.sh e kam dëgjuar dhe jo vetëm unë, por të gjithë nga Zenel Marini. Ai duke punuar me traktor, ia kishin sjellë shumë ngushtë një lloj plugjesh traktori (por ka pasur edhe kuajsh), që ishin me një gojë dhe duhet të bëje hullinë ose të dilje në hulli diku më lart dhe të punoje në dy anët e arës, ose duhet të vije bosh dhe të bëjë gjithmonë hullinë në një drejtim. Këto sipas tij ishin plugje të mangët dhe njerëzit me mangësi të ndryshme ai i barazonte me këto lloj plugjesh, ndaj i thoshte: “Je plug me një vesh”. Çdo rast i tillë që do të gjendet dhe kudo që të gjendet, ndër të tjera dhe në veprat tuaja do të meritoje të përmendet në emër. P.sh unë kam krijuar rreth 50 fjalë që i kam te ky fjalor; Si akuzë=fajngjitje, akuzoj=fajngjit, i akuzuar =i fajngjitur etj. Po sa mirë do të jetë që krijime të tilla fjalësh që e pasurojnë gjuhën të pasqyrohen më gjerë dhe në autorin e tyre.

Ashtu si ju që keni punuar për një fjalor të zonës së Bulqizës, ka pasur edhe botime të ngjashme për zona të tjera. Keni në projekt për të marrë pjesë në panaire të librit ose në konferenca shkencore për gjuhësinë?

Libri sapo ka dalë. Mendoj ta dërgoj për ndonjë konkurs a çmim në Gjuhësi dhe nëpërmjet miqsh gjuhëtar të gjej mundësinë që ta fus në proces diskutimi kolegësh gjuhëtar e tj, dhe pastaj e pasi të lexohet e vlerësohet të shohim. Sepse nuk më pëlqen të mblidhen njerëz dhe të diskutojnë me gjera të parapërgatitura nga unë pa e lexuar fare librin, siç kam parë që bëhen. Qoftë edhe duke e kritikuar të flasin me mendimet e tyre ato që e kanë lexuar. Pastaj, bashkë me Bashkim Lamin kemi bërë vetëm 30 kopje për të parë se si del dhe më pas të bëjmë të tjera. Ato 30 kopje më duhen vetë dhe nuk i kam për të shitur. Më pas të shohim se çfarë mund të bëjmë, sipas interesimit që do të ketë për të. Ajo që dua të shtoja është se krahas këtij fjalori po përgatis edhe një libër tjetër me shprehje, një tjetër me lojërat popullore dhe anë të tjera etnografike si dhe po punoj për shpjegimin morfologjik dhe sintaksor të krahinës, duke i nisur nga studimi i imtë i lëndës që kam, parë krahasimisht me veprën e Budit, si gjuhë e vjetër e dokumentuar. Studimi i sintaksës do të tregoje mjaft veçori psikologjike të kësaj krahine.