Harta e re gjyqësore me 12 gjykata të shkallës së parë dhe vetëm 1 gjykatë Apeli

690
Godina e Gjykatës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër. Foto: Bulqizaime.al

Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Ministria e Drejtësisë prezantuan të martën më 28 dhjetor draftin e hartës së re gjyqësore, që synon ta adresojë krizën e mungesës së gjyqtarëve me reduktimin drastik të numrit të gjykatave në vend.

“Koncepti ynë është më pak gjykata dhe më shumë cilësi,” tha gjatë prezantimit, kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami.

Sipas drafit të propozuar, numri i gjykatave të shkallës së parë në Shqipëri pritet të reduktohet në 12, ku do të mbeten të pandryshuara gjykatat e Beratit, Elbasanit, Tiranës dhe Vlorës.

Ndërkohë, Gjykata e Matit do i bashkohet Dibrës; gjykatat e Kavajës dhe Krujës do t’i bashkohen Durrësit; gjykata e Lushnjes do të shkojë në Fier; Gjykatës së Gjirokastrës do t’i bashkohen gjykatat e Sarandës dhe Përmetit; Tropoja do bashkohet me Gjykatën e Kukësit; Pogradeci me Gjykatën e Korçës; Kurbini do t’i bashkohet Gjykatës së Lezhës dhe Gjykata e Pukës do të jetë pjesë e Gjykatës së Shkodrës.

KLGJ propozon gjithashtu shkrirjen e gjashtë gjykatave të Apelit në një gjykatë të vetme, që do të quhet Gjykata Kombëtare e Apelit.

Drafti parashikon edhe zvogëlimin e numrit të gjykatave administrative nga gjashtë në dy, me seli në Lushnje dhe Tiranë.

Llagami e konsideroi hartën e re gjyqësore si zgjidhje për mbingarkesën e sistemit të drejtësisë, edhe për shkak të largimit të një numri të madh gjyqtarësh si pasojë e procesit të vetingut. Ajo shtoi se gjyqtarët e shkallës së parë janë të mbingarkuar me 640 çështje në vit, ndërsa ata të Apelit me gati 3 mijë çështje në vit.

“Harta e propozuar që synon mbylljen e disa gjykatave do të jetë e mjaftueshme për të stabilizuar humbjet në sistem,” tha ajo.

Edhe Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha se harta e re gjyqësore optimizon rritjen e produktivitetit të gjykatave, ndërsa shtoi se Ministria e Drejtësisë kishte këmbëngulur dhe dakordësuar me KLGJ garantimin e shërbimeve administrative për publikun në godinat ekzistuese të gjykatave të shkallës së parë, përmes modelit “one stop shop”.

“Pavarësisht se selia e gjykatës mund të zhvendoset, KLGJ do të duhet të kujdeset që në godinat ekzistuese të gjykatave, të ruajë një sportel për të gjithë qytetarët ku mund të paraqesin kërkesëpaditë apo kërkesat e ndryshme që lidhen me gjykimin e çështjeve, si dhe të marrin shërbime të tjera nga administrata e gjykatës,” tha Manja në takim.

Propozimi për hartën e re gjyqësore miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.