Gratë më aktive në kërkesat për divorc në Dibër

403

Të dhënat nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër tregojnë se divorci vazhdon të jetë një fenomen shqetësues social për këtë rajon. Gjatë vitit 2025, numri i kërkesave për zgjidhjen e martesës ka mbetur i lartë, kjo në raport me numrin e mbetur të banorëve.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës 1 janar – 23 dhjetor 2025, në gjykatë janë regjistruar 251 kërkesa për divorc. Nga këto, 176 raste kanë përfunduar me pranimin e kërkesës dhe ndarjen e martesës. Nga të dhënat e mbledhura, vihet re se gratë janë më aktive në kërkesat për divorc. Konkretisht, 94 kërkesa janë dorëzuar nga femrat, ndërsa 82 nga meshkujt.

Gjatë vitit 2024, gjykata ka dhënë 283 vendime përfundimtare për divorc. Edhe pse shifra për vitin 2025 (deri më 23 dhjetor) është më e ulët, duhet të mbahet parasysh se disa procese gjyqësore përfundohen pas mbylljes së vitit kalendarik. Por këto të dhëna tregojnë se tendenca mbetet e lartë.

Historikisht, qarqet veriore kanë pasur norma më të ulëta divorcesh se Tirana apo Durrësi, por vitet e fundit diferenca po ngushtohet.

Ekspertët socialë, por edhe të dhënat nga vendimet e gjykatës tregojnë se divorci në Dibër është i ndikuar nga disa faktorë të përbashkët: emigracioni i burrave për punë jashtë vendit, duke krijuar distancë emocionale, kriza ekonomike dhe papunësia të cilat shkaktojnë konflikte në familje, por edhe dhuna në familje që i shtyn gratë të kërkojnë zgjidhje ligjore. Për më tepër, dekadën e fundit është parë si faktor edhe përdorimi i teknologjisë dhe rrjeteve sociale që ka kontribuar në rritjen e tradhtive dhe mosmarrëveshjeve brenda çiftit, duke bërë që shumë marrëdhënie të përfundojnë në divorc.

Në Shqipëri, zgjidhja e martesës rregullohet nga Kodi i Familjes i cili parashikon se martesa mund të zgjidhet për disa shkaqe kryesore: me pëlqim reciprok të bashkëshortëve (kur ata bien dakord për ndarjen dhe pasojat e saj) ose me kërkesën e njërit prej bashkëshortëve.

Një bashkëshort mund të kërkojë divorcin kur, për shkak të grindjeve, keqtrajtimeve, fyerjeve të rënda, shkeljes së besnikërisë bashkëshortore (tradhtisë), sëmundjes mendore të pashërueshme apo shkaqeve të tjera që përbëjnë shkelje të përsëritur të detyrimeve që rrjedhin nga martesa, jetesa e përbashkët bëhet e pamundur dhe martesa ka humbur qëllimin e saj për njërën ose për të dy palët.

Gjatë divorcit, gjykata ka detyrimin kryesor të sigurojë mbrojtjen e fëmijëve, duke vendosur për kujdesin dhe edukimin e tyre sipas interesit më të mirë, për kontributin financiar të prindërve dhe për përdorimin e shtëpisë bashkëshortore dhe ndarjen e pasurisë së fituar gjatë martesës.

Shqipëria po lëviz drejt një sistemi më të thjeshtëzuar për divorc, ku çiftet që janë në dakordësi për ndarjen dhe pasojat e saj mund të përfundojnë martesën përmes noterit. Procedura përfshin një afat pritjeje 30-ditor për të konfirmuar vendimin, dhe në rastet me fëmijë të mitur, noteri duhet të sigurohet që marrëveshja mbron interesin e tyre. Kjo reformë synon të përshpejtojë procesin, të ulë kostot dhe të ulë numrin e çështjeve në sistemin gjyqësor që vitet e fundit është tejet i ngarkuar nga dosjet e mbartura dhe mungesën e burimeve njerëzore.