Gjyqtari i Matit, Rexhep Karaj gjendet me probleme në justifikimin e pasurisë

551
Gjykatën e Matit. Foto: Sami Curri

Gjyqtari i Matit, Rexhep Karaj nuk u paraqit as në seancën e dytë dëgjimore të zhvilluar të mërkurën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK në funksion të rivlerësimit të tij. Ashtu si më 17 nëntor, subjekti i kishte komunikuar Komisionit se e kishte të pamundur të ishte i pranishëm për arsye shëndetësore.

Kryesuesja e trupit gjykues, Etleda Çiftja sqaroi se Karaj nuk kishte dërguar dokumentacion ligjor për të justifikuar pretendimin e tij për pamundësi shëndetësore dhe në këto kushte, Komisioni vendosi të vijojë me relatimin e gjetjeve të hetimit administrativ. Në seancë nuk kishte të pranishëm asnjë përfaqësues ligjor të Karajt.

Rexhep Karaj e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Matit. Procesi i tij i vetingut po kryhet nga trupa e kyesuar nga Etleda Çiftja, me relator Roland Ilian dhe anëtare Firdes Shulin, ndërsa në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi. Paralelisht me procesin e vetingut, gjyqtari Karaj është aktualisht në një hetim disiplinor nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ILD.

Relatoria Ilia deklaroi në fillim të seancës se hetimi administrativ për gjyqtarin Rexhep Karaj është përfunduar vetëm për kriterin e pasurisë. Gjatë relatimit, Ilia evidentoi pasaktësi dhe mospërputhje në deklarimet e pasurisë, si dhe pamundësi financiare në vlerë të konsiderueshme.

Ilia tha në seancë se në mjaft raste, gjyqtari Karaj nuk ka dhënë shpjegime për pyetjet që i janë drejtuar gjatë procesit të rivlerësimit dhe shtoi se ky qëndrim i subjektit do të konsiderohet gjatë vendimarrjes përfundimtare.

KPK konstaton pasaktësi në deklarimin e një apartamenti me sipërfaqe 76.17 m2 në Mat, të marrë në përdorim prej Entit Kombëtar të Banesave, EKB në vitin 1995 dhe të blerë në vitin 2007.

Në deklaratën “veting”, subjekti ka deklaruar se e ka blerë për shumën 524 mijë lekë dhe se e ka kryer pagesën me këste nga të ardhurat familjare dhe me bono privatizimi. Gjatë hetimit administrativ, Karaj ka ndryshuar qëndrim duke deklaruar se pagesa është kryer me një këst në vitin 2007. Por nga verifikimi i dokumentacionit bankar ka rezultuar se pagesa është kryer në 2006-ën.

Në vitin 2004, subjekti ka deklaruar shtëpinë me sipërfaqe 90 m2, të blerë për shumën 1.3 milionë lekë. Sipas Ilias, Karaj ka sqaruar se bëhet fjalë për të njëjtën pasuri dhe ka pretenduar se pasaktësitë kanë ardhur pasi deklarata është plotësuar nga një koleg i tij dhe bashkëshortja, pasi gjendjej jashtë shtetit në atë periudhë. Relatori pohoi se subjekti është pyetur përse ka nënshkruar një formular që nuk është plotësuar prej tij.

Paqartësi në deklarimet e subjektit janë konstatuar edhe për një shtëpi banimi me sipërfaqe 108 m2 + 300 m2 truall në Gurrë të Madhe në Klos. Karaj ka deklaruar se e ka trashëguar këtë pasuri, por Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme nuk e ka konfirmuar pronësinë e subjektit mbi këtë shtëpi. Ndërkohë, ka rezultuar se banesa ka pasur sipërfaqe 96 m2. Relatori Ilia pohoi se subjekti nuk arriti të provojë deklarimet e tij për këtë pasuri dhe i është kaluar barra e provës.

Situatë e ngjashme ka rezultuar edhe për një ngastër toke bujqësore me sipërfaqe 36 mijë m2, pasuri për të cilën edhe në këtë rast Karaj ka pretenduar se e ka përfituar nëpërmjet trashëgimisë. Megjithëse subjekti ka deklaruar se kjo tokë ka qenë e familjes së tij brez pas brezi, sipas KPK nuk është arritur të provohet pronësia mbi këtë pasuri.

Nga hetimi ka rezultuar se në vitin 2016, gjyqtari Karaj i ka dhënë hua administratorit të një shoqërie ndërtuese vlerën 50 mijë euro. Si burim krijimi të kësaj shume, Karaj ka deklaruar të ardhurat familjare.

Sipas relatorit Ilia, subjekti ka shpjeguar se huaja është dhënë në këmbim të një apartamenti në Tiranë dhe ka pretenduar se ndërtuesi i ka ofruar një apartament me sipërfaqe 93 m2. Nga hetimi ka rezultuar se kontrata e huadhënies nuk është e bazuar në ligj.

“Subjekti duket se është përpjekur të fshehë qëllimin e vërtetë, që duket se ka qenë porositja e apartamentit dhe jo dhënia e huasë,” deklaroi relatori Ilia dhe vijoi se subjekti ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për këtë transaksion.

Nga analiza financiare ka rezultuar se subjekti dhe familjarët e tij kanë qenë në pamundësi në shumën 4.5 milionë lekë për dhënien e huasë 50 mijë euro.

Ndërkohë, Karaj nuk ka arritur të provojë me dokumentacion ligjor mundësinë e nipit të tij për dhënien e një huaje në shumën 4000 euro në favor të subjektit në vitin 2004.

Komisioni ngriti gjithashtu dyshime se tre automjete nuk janë deklaruar në vlerën reale të blerjes, ndërsa në këto transaksione kanë rezultuar edhe pamundësi financiare.

KPK ka verifikuar 9 llogari bankare në emër të subjektit, bashkëshortes dhe fëmijëve të tyre ku nuk janë gjetur probleme domethënëse. Në një rast, Karaj nuk ka deklaruar krijimin e një depozite në shumën 760 mijë lekë dhe përdorimin e kësaj vlere të tërhequr.

Komisioni konstaton mospërputhje të gjendjes cash të pasyqruar në deklaratën ‘veting’ me gjendjen progresive të deklarimeve vjetore të likujditeteve cash. Nga analiza financiare e përgjithshme për periudhën nga fillimi i detyrës së subjektit deri në vitin 2016, KPK ka konkluduar balancë negative në vlerën totale 7.8 milionë lekë.

KPK njoftoi se seanca për shpalljen e vendimit do të zhvillohet më datë 25 nëntor, ora 09:45.