Gjykata pushon padinë e “Seka Hydropower” ndaj banorëve të Zall-Gjoçajt

581
Një grup banorësh të Zall-Gjoçajt qëndrojnë jashtë gjykatës pas përfundimit të seancës.

Gjykata e Shkallës së Parë në Lezhë ka vendosur pushimin e padisë penale të ngritur nga kompania që operon hidrocentralet në zonën e Zall-Gjoçajt ndaj tre banorëve të kësaj zone, për shkak të mosparaqitjes së palës paditëse në seancën gjyqësore.

Çështja penale ishte regjistruar më 4 shtator 2025 me palë paditëse shoqërinë “Seka Hydropower” e cila kishte kërkuar ndjekjen penale të disa banorëve dhe aktivistëve për veprat e “fyerjes” dhe “shpifjes”, të kryera botërisht. Sipas objektit të padisë, kompania pretendon se të akuzuarit, mes tyre Jorgji Loca dhe Dhimitër Koleci, kanë konsumuar veprat penale të parashikuara nga nenet 119/2 dhe 120/2 të Kodit Penal, përmes deklaratave publike dhe qëndrimeve të tyre kundër projekteve të hidrocentraleve në Zall-Gjoçaj, duke kërkuar që gjykata të verifikojë akuzat dhe t’i dënojë penalisht.

Një nga banorët e përfshirë në proces, Dhimitër Koleci, reagoi pas vendimit të gjykatës duke e cilësuar atë si një konfirmim se komuniteti është në të drejtën e tij. Në një postim në rrjetet sociale, ai deklaroi se banorët do të vijojnë betejën për mbrojtjen e ujit, jetës dhe së ardhmes së trojeve të trashëguara nga të parët, duke theksuar se nuk do të tërhiqen përballë presioneve dhe kërcënimeve.

Sipas banorëve, kompania kishte kërkuar më herët që ata të kërkonin falje publike, gjë që ata e kanë refuzuar me argumentin se nuk kanë kryer asnjë shkelje apo shpifje. Vendimi i gjykatës për pushimin e çështjes u konsiderua nga ata si një hap i vogël drejt drejtësisë dhe si një mbështetje për vazhdimin e përpjekjeve ligjore.

Banorët e Zall-Gjoçajt janë prej vitesh në konflikt me projektet e hidrocentraleve. Sipas tyre, dëmtojnë lumin, burimet e ujit dhe ekosistemin e zonës që përfshin edhe Parkun Kombëtar Lurë – Dea, që bën pjesë në listën e zonave të mbrojtura si monument natyre, së bashku me kanionet e Flimit dhe të Urakës si monumente gjeonatyrore. Ata kanë ndjekur një sërë betejash administrative dhe gjyqësore, si dhe kanë organizuar protesta të vazhdueshme për të penguar zhvillimin e projekteve që prekin territorin e tyre.

Në qëndrime të mëparshme të aktivistëve, e kanë konsideruar këtë një formë padie SLAPP që përdoret për të frikësuar ose heshtur individë, aktivistë apo komunitete që marrin pjesë në debat publik ose denoncojnë veprime të padrejta. Qëllimi nuk është domosdoshmërisht të fitojnë në gjykatë, por të lodhin dhe intimidojnë ata që shprehin kritika ose kundërshtojnë interesa të fuqishme, si kompani ose institucione. Këto padi shpesh bazohen në akuza për “shpifje” ose “fyese”.

Konflikti për hidrocentralet në Zall-Gjoçaj ka nisur në vitin 2013, kur u dha koncesioni për ndërtimin e tyre, ndërsa leja e ndërtimit u miratua në vitin 2018. Që prej asaj kohe, banorët kanë kundërshtuar projektet, duke argumentuar se ato shkatërrojnë burimet ujore dhe zonat e mbrojtura.

Në vitet 2019–2020 u zhvilluan protesta dhe bllokime të punimeve, ndërsa në vitin 2021 gjykatat administrative shfuqizuan licencën për prodhim energjie për një nga hidrocentralet, duke konstatuar se projekti shtrihej brenda Parkut Kombëtar.

Në vitin 2022, Gjykata e Lartë la në fuqi vendimet e mëparshme, duke vulosur se hidrocentrali nuk mund të operonte ligjërisht.

Në fund të vitit 2025, kompania nisi një seri padish penale ndaj aktivistëve dhe banorëve kryesorë të rezistencës, të cilat ata i konsiderojnë si tentativa për t’i frikësuar dhe heshtur përmes procedurave gjyqësore.

Kompania nuk ka reaguar publikisht lidhur me vendimin e gjykatës deri në momentin e publikimit të këtij lajmi. Portali Bulqizaime.al kontaktoi telefonikisht përfaqësuesin e kompanisë “Seka Hydropower”, e cila ka ndërtuar hidrocentralet në Zall-Gjoçaj, Bardhyl Muçeku, por nuk mori përgjigje.