Gjykata e Tiranës cilëson të padrejtë shkarkimin e minatorit sindikalist nga kompania Albchrome

Gjykata e Tiranës pranoi pjesërisht padinë e minatorit Beqir Duriçi kundër kompanisë Albchrome dhe i dha atij 14 paga dëmshpërblim, për shkarkimin të padrejtë nga puna pas përfshirjes në sindikatë dhe protestës para zyrave të kompanisë.

799
Minatori Beqir Duriçi , njëkohësisht ndër themeluesit e SMBB, u shkarkua nga pouna prej Albchrome. Foto: Sami Curri/BIRN

Gjykata e Tiranës në vendimin e datës 30 korrik 2021 vendosi të pranojë pjesërisht padinë e Beqir Duriçit, një prej katër minatorëve të shkarkuar nga puna rreth dy vjet më parë nga kompania Albchrome-pjesë e grupit Balfin-, që zotëron koncesionin më të madh minerar në zonën e Bulqizës.

Duriçi u shkarkua nga puna pas një proteste nga minatorët para zyrave të kompanisë, kundër shkarkimit të kreut të Sindikatës së Minatorëve të bashkuar të Bulqizës Elton Debreshi.

“Detyrimin e palës së paditur “Albchrome sha” të dëmshpërblejë paditësin Beqir Duriçi, për shkak të zgjidhjes së menjëhershme të pajustifikuar të kontratës së punës, pa shkaqe të arsyeshme në masën e 12 muajve”, thuhet në dispozitivin e vendimit të Gjykatës së Tiranës. Gjykata po ashtu vendosi masë dëmshpërblimi 1 pagë për moszbatim të afatit të njoftimit dhe e detyroi kompaninë të paguaj 91 për qind të një page mujore si pagë të 13 për minatorin.

Përplasja mes kompanisë Albchrome dhe përfaqësuesve të SMBB filloi në nëtor të vitit 2019-të, pesë ditë pas njoftimit publik të themelimit të sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. Kompania fillimisht shkarkoi Elton Debreshin, kryetar i SMBB dhe më pas  tre anëtarë të Këshillit Sindikal – Beqir Duriçin, Behar Gjimin dhe Ali Gjetën. Në qëndrimet e kompanisë pas shkarkimit të minatorëve bëhej me dije se nuk kishin lidhje me krijimin e sindikatës. Por Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi vendosi në nëntor 2020 se minatorët Beqir Duriçi dhe Behar Gjimi, të dy anëtarë të Këshillit Sindikal të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, ishin shkarkuar nga puna “pikërisht për shkak të përkatësisë në sindikatë”.

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës e konsideroi vendimin si finalizimi i një përpjekje dyvjeçare të një sulmi nga kompania Albchrom. “Pushimet e paligjshme nga puna i kemi paditur në gjykatë, ku kemi kërkuar dëmshpërblim, po ashtu edhe te Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Pas shumë zvarritjeve nga gjykatat, presioneve e ndërhyrjeve nga kompania, njëri prej proceseve gjyqësore ka përfunduar. Beqir Duriçi ka fituar gjyqin e shkallës së parë dhe duhet të dëmshpërblehet nga Albchrome.”

SMBB bëri me dije se vendimi është apeluar nga kompania. Pyetur nga BIRN, kompania Albchrome nuk qe e arritshme për reagim.