Këtë të mërkurë do të rinumërohen 44 kuti votimi në qarkun e Dibrës, pas një kërkese të paraqitur në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) nga kandidati i Partisë Demokratike, Xhemal Gjunkshi. Kërkesa për hapjen e kutive është mbështetur nga dy anëtarë të opozitës në KAS, Ledio Braho dhe Elvi Çefa.
Gjunkshi, i cili garoi në listën e hapur të PD-së, doli i dyti pas kandidatit Përparim Spahiu, me një diferencë prej rreth 100 votash. Partia Demokratike në qarkun e Dibrës arriti të marrë 2 mandate, të cilat u fituan nga lista e mbyllur e partisë. Kërkesa e Gjunkshit ngjan më shumë si një “inat” brenda lloit. Rinumërimi i kutive nuk pritet të ndryshojë këtë konfigurim, pasi edhe në rast se Gjunkshi do të renditej para Spahiut, ai sërish nuk do të futej në Kuvend.
Në një intervistë për MCN TV, Gjunkshi hodhi akuza të drejtpërdrejta për manipulim të rezultatit zgjedhor, duke theksuar se votat e tij janë vjedhur brenda vetë listës së Partisë Demokratike. Ai solli si shembull një qendër votimi në Klos, ku shtatë fletë votimi me kryq për emrin e tij janë pasqyruar si zero në rezultatin përfundimtar. Gjunkshi tha se, së bashku me një ekip teknik dhe përfaqësuesin e PD-së, ka analizuar qindra orë materiale dhe dokumente, duke arritur në përfundimin se janë kryer shkelje serioze.
Gjithashtu ai denoncoi përdorimin e aseteve publike, blerjen e votave dhe përfshirjen e zyrtarëve lokalë në ndikimin e rezultatit zgjedhor në Dibër. “Ky proces ishte një farsë, një shkelje flagrante e rregullave të lojës. Ne do të vazhdojmë betejën tonë për të bërë transparencë dhe për të mbrojtur votën e qytetarëve”, deklaroi Gjunkshi.









