FSHZH shpall fituesin e tenderit të dytë për “Retro Divizioni” në Bulqizë, vlera e investimit arrin në rreth 4.4 milionë euro

1264
"Divizioni” në Bulqizë

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur fituesin e tenderit të dytë për projektin e ndërtimit të “Parkut Tematik Retro, Bulqizë – Divizioni”, Loti 2 për infrastrukturën. Procedura kishte një fond limit prej 271,919,882.29 lekë pa TVSH dhe një afat zbatimi prej 18 muajsh. Fitues është shpallur kompania “S.M.O. UNION”, me një ofertë prej 180,149,490 lekë pa TVSH (rreth 1.8 milionë euro).

Ky tender pason procedurën e parë të zhvilluar në tetor 2024 për rikonstruksionin e ndërtesave brenda ish-zonës ushtarake, me një fond limit prej 338,665,777.77 lekë (rreth 3.4 milionë euro) dhe të fituar nga kompania Ulza me ofertë 243,383,936 lekë (rreth 2.4 milionë euro). Faza e parë përfshinte hartimin e masterplanit dhe rikualifikimin e ish-shtëpisë së Oficerëve në “Retro-Hotel”, rinovimin e tetë banesave dykatëshe dhe përshtatjen e tyre për funksione turistike, kulturore dhe tregtare.

Duke marrë parasysh dy procedurat e zhvilluara deri tani FSHZH, vlera totale e projektit “Retro Divizioni” në Bulqizë arrin në 423,533,426 lekë pa TVSH, që me kursin aktual prej 97 lekë për euro përkthehet në rreth 4.36 milionë euro.

Pas muajsh vonesash dhe mungese aktiviteti në terren, prej afro një jave kanë nisur punimet fillestare në zonë. Referuar të dhënave të projektit, një pjesë e ndërtesave do të prishen për t’i hapur rrugë infrastrukturës së re, ndërsa shtatë struktura të tjera do të ruajnë vlerën historike dhe do të përshtaten për qëllime turistike e kulturore. Projekti përfshin gjithashtu hapësira për artizanët lokalë, dhoma hoteliere të stilit retro, hostel për grupe, ambiente muzeale me mobilim e teknologji nga periudha komuniste, si dhe tregje për produktet e zonës.

Ky zhvillim vjen pothuajse nëntë muaj pas prezantimit publik të projektit “Retro Divizioni” në nëntor 2024, ku kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku e paraqitën si një investim unik për transformimin e ish-zonës ushtarake në një park tematik turistik e kulturor. Gjatë atij aktiviteti u shfaqën modele 3D dhe u fol me entuziazëm për ndikimin e pritshëm ekonomik, kulturor dhe social, sidomos në mbështetje të artizanëve lokalë dhe grave kryefamiljare.

Një çështje që shoqëron zhvillimin e “Retro Divizionit” është situata e paqartë e pronësisë. Disa familje jetojnë ende në ish-ndërtesat ushtarake dhe pretendojnë pronësinë e tyre. FSHZH ka sqaruar për Bulqizaime.al se banorët nuk do të preken nga punimet dhe se do të kenë mundësi të përfshihen në aktivitetet dhe shërbimet e parkut tematik, duke përfituar edhe nga mundësitë e reja ekonomike që pritet të sjellë projekti.

Investimi financohet nga programet buxhetore të qeverisë për periudhat 2024-2026 dhe 2025-2028, me një kohëzgjatje të kombinuar të dy kontratave prej 24 muajsh për fazën e parë dhe 18 muajsh për fazën e dytë.