FOTO/ Liqenet akullnajore të Balgjajt

1331
Liqenet akullnajore të Balgjajt. Foto: Abdulla Diku

Balgjaj është mal me lartësi 2101 m (maja e Kreshtës), i cili shtrihet midis pellgut të Burrelit në perëndim dhe malit të Homeshit (1992 m) në lindje, qafa e Buallit dhe lugina e Bulqizës në juglindje e ndajnë nga masivet malore të Martaneshit, kurse Qafë Murra në veri-perëndim e ndan nga mali i Dejës (2246 m). Nga pikëpamja administrative, mali ndahet ndërmjet katër bashkive; Klos, Mat, Dibër dhe Bulqizë. Kurrizi malor i Balgjajt ndan basenin e Drinit me atë të Matit.

Ndërtohet prej shkëmbinjsh ultrabazikë që formojnë një masiv të madh. Relievi është i copëtuar. Majat më të larta janë: Maja e Mcekut (2100 m), Maja Gurrat e Zeza (2079 m), Maja e Arnishtës (2073 m) etj.

Proceset akullnajore e kanë përpunuar kurrizin e tij dhe kanë formuar cirqe, lugje e kreshta akullnajore, në të cilat gjenden rreth 15 liqene akullnajore me sipërfaqe deri në 1.5 ha (Liqeni i Zi), të përhapura kryesisht në pjesën veriore dhe qendrore të kurrizit.

Vetëm në pjesën perëndimore të tij që i përket bashkisë Klos, gjenden 9 liqene. Nga ana lindore gjenden liqenet e Kasnisë (Dibër) dhe të Bulqizës. Në total, Balgjaj ka 21 liqene, pjesa më e madhe e të cilëve mbajnë ujë gjatë gjithë vitit.

I gjithë vargmali nga Lura në Martanesh përbën masivin malor me numrin më të lartë të liqeneve akullnajore në vendin tonë (këtu gjenden rreth 2/3 e gjithë liqeneve akullnajore që kemi).

Liqenet e Balgjajt nga ana perëndimore mbajne emra te ndryshëm si; Liqeni i zi, liqeni i luleve, liqeni i zotnive, liqeni i dhive etj.

Rrjedhja ujore sipërfaqësore është shumë e zhvilluar dhe më shpesh nis nga këto liqene. Shpati perëndimor është më i pjerrët se ai lindor i malit. Bimësia natyrore është relativisht e dendur dhe përfaqësohet nga shoqërimet e dushkut deri në lartësinë 1000 metra dhe mbi të vendoset ajo e ahut. Në brezin e sipërm (1800-2100 metra) vendosen edhe pyjet me Arnen (Pinus peuce) dhe Rrobull (Pinus heldreichii).

Shumica e liqeneve akullnajore gjenden në lartësinë 1800 metra mbi nivelin e detit, fare afër majës së malit.

Përveçse hijeshisë që i japin peizazhit alpin ku këto liqene vendosen, ato janë edhe të pasura në faunë dhe florën ujore.

Liqenet që unë kam paraqitur këtu gjenden mbi fshatin Kurdari dhe për ti vizituar ato ndiqet rruga Burrel (ose Klos) – Kurdari – liqenet e Balgjajt.