Familjet e varfëra, “kurbani” zgjedhor në Bulqizë

542

EDITORIAL/

Varfëria është një fenomen i lashtë sa vetë njerëzimi dhe një dukuri komplekse që përfshin dimensione të ndryshme të ndëprivimit. Varfëria në natyrën e vet është një koncept mjaft dinamik; ndërkohë që disa njerëz dalin nga varfëria, disa të tjerë në mënyrë simultane bien në varfëri. Ajo është një cikël i cili përsëritet vazhdimisht dhe që ka një ndikim negativ në ekonominë e një vendi dhe në jetën e qytetarëvë të tij.

Shkaqet e saj janë po aq komplekse sa dhe vetë varfëria. Reduktimi i varfërisë është një rezultat i rritjes ekonomike. Qeveria është një aktor shumë i rëndësishëm dhe ka një rol kryesor në rritjen ekonomike të një vendi dhe në uljen e varfërisë nëpërmjet politikave të saj.

Por më komplekse është situata në Bulqizë. Kjo zonë, në fakt duhej të ishte me numrin më të ulët të familjeve të varfëra në Shqipëri. Por është fakt, që në të gjitha studimet që janë bërë futet në qytetet me numrin më të lartë të familjeve të varfëra apo atyre që trajtohen me ndihmë ekonomike, ku kjo është një tregues i nivelit të rëndë se ku ndodhen familjet bulqizake.

Por kjo, nga forca të ndryshme politike është parë edhe si një mundësi e mirë për të qeverisur. Duke shfrytëzuar faktin se shumë familje e kanë të pa mundur të sigurojnë edhe bukën e gojës, e kanë pasur më të lehtë që të blejnë edhe votën.

Këtu mjafton të përmendësh zgjedhjet e fundit lokale, apo edhe ato të mëparshmet. Ku siç deklarohet nga shumë kryefamiljarë në Bulqizë, nga gjendja e rëndë ekonomike ku ndodhen, janë detyruar të shesin votën e tyre, për një shumë deri në 5000 lekë të reja.

Me shumë gjasa, një skenar i tillë do të bëhet edhe në këto zgjedhje.

Gazetarët e emisionit investigativ Fiks Fare, treguan me zë dhe figurë sesi familjarë të kandidatit të Partisë Socialiste, Muharrem Rama, në zgjedhjet e parakohshme për bashkinë e Dibrës, ofronin vende pune në këmbim të votës për qytetarë të ndryshëm në zonat e kësaj bashkie.

E njëjta situatë, mos më keq është në Bulqizë. Por ka edhe shembuj të thesit të miellit, apo ndërtim shtëpie në afrim zgjedhjesh. Ku më shumë bëhet shfaqje se sa punë.

Këto janë forma që për partitë politike në Shqipëri kanë rezultuar të suksesshme. Pra kush ka buxhetin më të madh për blerjen e votës, nesër do të ketë edhe pushtetin.

Por me familjet në Bulqizë, që janë i njëjti shembull si në të gjithë Shqipërinë, për dy vite harrohen dhe sapo vijnë zgjedhjet kujtohen se duhet ndërtuar ndonjë shtëpi apo duhet mbështetur ndonjë familje e varfër, me qëllim që kur të vijë data e zgjedhjeve, vota të shkundet tek kutia për partinë X.

Sipas Artan Fugës, ai që e shet votën mendon se politikisht kudo që ta hedhi votën, për të gjë nuk ndryshon, atëherë rruga e vetme që i mbetet është ta kthejë votën në letër me vlerë, në një çek, në lekë. T’ja shesi atij që e blen më shtrenjtë.

I ka rënë kokës, sidomos kur folet për Bulqizën. Banorët në këtë zonë nuk shohin ndonjë alternativë, majtas dhe as djathtas, kështu që më mirë të marr ca para e të kaloj muajin.

Kështu që me afrimin e zgjedhjeve, familjet e varfëra bulqizake, por jo vetëm, do të shikojnë që në lagjet e tyre, do të vijnë çdo lloj dordoleci politik, lloj – lloj kllounash të eksituar nga narcizmi i fjalimeve të tyre, për punë dhe jo fjalë.