Eriseld Deda në profesion avokat dhe me origjinë nga Bulqiza, në zgjedhjet e 11 majit kandidon për Nismën “Shqipëria Bëhet” në qarkun e Dibrës. Vendimi për të kandiduar me këtë subjekt të ri politik, sipas tij erdhi pas një përvoje zhgënjyese tek partitë tradicionale. Te “Shqipëria Bëhet”, ai thotë se ka gjetur mundësinë për të realizuar projekte për Dibrën në mënyrë të barabartë me drejtuesit e lëvizjes.
Për sa i përket fushatës, e cilëson atë të pabarabartë dhe të mbushur me presione e manipulime, por thotë se ka ndierë mbështetjen e njerëzve, megjithëse kjo ndodh shpesh në fshehtësi për shkak të frikës. Ai beson se votuesit jo vetëm janë të lodhur, por të mbushur me mllef ndaj partive tradicionale dhe janë gati për alternativa të reja.
Deda shprehet se rruga e Arbrit, ndonëse përfunduar pas 12 vitesh agoni, nuk solli zhvillim për Dibrën, por po thellon varfërinë dhe po përgatit terrenin për një tjetër goditje ndaj zonës: ndërtimin e Skavicës, që ai e cilëson si fillimin e shkatërrimit historik të trevës.
Sipas Dedës, argumenti se partitë e reja dëmtojnë opozitën është i pasaktë. Ai është i bindur se Nisma “Shqipëria Bëhet” do të fitojë mandat në Dibër, duke e thyer dualizmin politik të deritanishëm. Gjatë fushatës, ai përmend varfërinë ekstreme, emigrimin masiv, mungesën e infrastrukturës dhe gjendjen katastrofike të arsimit e shërbimeve si problemet më të theksuara në qark.
1. Kur bëhet fjalë për kandidatët që vijnë nga partitë e reja e vlerësoj të nevojshme të nisim me një prezantim të shkurtër dhe ajo se çfarë ju lidh me Dibrën?
Unë jam Eriseld Deda, kam lindur në Bulqizë në vitin 1989, pra jam 35 vjeç. Për shkak të aktivitetit të punës së familjes jam larguar në Lezhë në moshën 5 vjeçare e më pas në Tiranë në moshën 10 vjeçare, ku dhe banoj aktualisht. Kam Studiuar në Fakultetin Juridik të “Albanian University” dhe jam diplomuar me diplomë të integruar të nivelit të dytë në Shkenca Juridike që konsiderohet Master Shkencor dhe kam përfunduar edhe një master të dytë profesional në të Drejtën Private. Që pas fitimit të titullit Avokat në Shkollën e Avokatisë në vitin 2014, unë punoj si avokat në studion time ligjore. Gjatë kësaj periudhe 11 vjeçare, e kam patur misionin tim personal që të ndihmoj falas në të gjitha proceset gjyqësore shtresat e varfëra dhe veçanërisht ato të zonës së Dibrës, kjo pasi lidhja ime me Dibrën ka qenë dhe është shumë e ngushtë. Që pas largimit nga vendlindja, nuk i kemi shkëputur marrëdhëniet me zonën tonë, përkundrazi jemi munduar që çdo fundjavë, festë apo aktivitet familjar ta kalojmë dhe festojmë në fshatin e prejardhjes sonë, Sofraçan.
2. Nisma “Shqipëria Bëhet” ka marrë një ngritje të paktën në vitet e fundit. Por drejtuesit nëse mund të them, si Lapaj, Shabani dhe Soko kanë një angazhim të gjatë në jetën publike dhe aktivizëm. Ju si vendosët të kandidoni me këtë subjekt të ri politik?
Njësoj si drejtuesit politik të Nismës Shqipëria Bëhet, edhe unë kam patur mbi 20 vite aktivizëm pranë një subjekti tjetër politik. Jam përpjekur me forcat e mia dhe me aq mundësi sa kisha që në subjektin ku bëja pjesë të ngrija zërin dhe të hapja rrugën për ngritjen dhe promovimin e të rinjve brënda subjektit politik. Gjithmonë i gjeja dyert e mbyllura dhe në çdo rast dilte një shkak apo arsye për të mos zbatuar kërkesat dhe sugjerimet e mia për hapjen dhe demokratizimin e partisë sime, bazuar në kriterin e meritokracisë.
Përveç të tjerave, ky ishte një ndër shkaqet kryesore të shkëputjes sime nga subjekti politik që aderoja dhe bashkimi me “Lëvizjen Shqipëria Bëhet”. Në këtë subjekt gjeta rrugën e hapur për të shprehur idetë e mia dhe për ti vënë në zbatim ato, për t’u ndierë i barabartë qoftë edhe me kryetarin Z. Adriatik Lapaj dhe me çdo anëtar të këtij subjekti. Në këtë lëvizje, unë gjeta një rrugë të hapur për sa i përket realizimit të projekteve të mia për zonën e Dibrës pasi programi dhe idealet e mia, pothuajse paralelizoheshin me parimet e Lëvizjes Shqipëria Bëhet.
3. Si e vlerësoni këtë fushatë? Sipas jush sa e fituar do të dal opozita, në një kohë kur kemi shumë grupime përballë një pushteti të fortë të z. Rama?
Fushata është shumë e ashpër dhe e pabarabartë. Kisha dëgjuar shumë për blerjen dhe tjetërsimit e votës në zonën e Dibrës, si dhe presionin që i ushtrohet administratës, por nëse nuk je në front është e pamundur ta konceptosh përmasën e pafundme që kanë këto dy problematika. Kur je përpara televizionit apo rrjeteve sociale, koncepti i asaj që thashë më sipër është tepër minimalist, por kur del në terren, arrin të kuptosh që këto problematika janë të stërmëdha. Pavarësisht këtyre, mendoj se në radhë të parë kemi arritur të hyjmë në zemrat e njerëzve dhe në “fshehtësi” e kemi marë mbështetjen e tyre. Them fshehtësi sepse e kanë frikë pushtetin dhe s’duan që të bien në sy që po na mbështesin. Jam i mendimit se Z. Rama është në perëndim të ditëve të tij si Kryeministër, dhe nëse arrijmë qëllimin tonë, edhe në perëndim të ditëve të tij në politikë.
4. A ka një “lodhje” nga partitë tradicionale dhe a po kthehen votuesit drejt alternativave të reja?
Unë nuk do përdorja fjalën lodhje. Mendoj se më e saktë do të ishte fjala “mllef” dhe “urrejtje”. Shqiptarët kanë 35 vite që presin e presin nga partitë tradicionale. Njëra parti i “shtyp” dita ditës, tjetra e pafuqishme për të dhënë shpresë. Gjatë gjithë këtyre viteve nga partitë tradicionale kanë dalë disa “tentakula” për të tërhequr mbrapsht njerëzit që janë përpjekur ti largohen dy partive të mëdha. Dhe nga ky “kurth” i krijuar nga partitë tradicionale shqiptarët kanë krijuar mllef dhe urrejtje. Tashmë jo vetëm Nisma Shqipëria Bëhet që siç themi ne Shqiptarët “është bio”, pra e pa varur dhe pa origjinë nga partitë tradicionale, por ka edhe shumë alternativa të tjera. Dhe jam i bindur se mbi 30% e elektoratit, në mos më shumë, në 11 Maj do të drejtohen drejt këtyre partive. Dhe pjesa tjetër e mbetur pas datës 11 Maj, në zgjedhjet e radhës që besoj se do të jenë brenda 1 viti, do të jenë të çliruar nga zgjedha e “tradicionaleve”.
5. Dibra është një qark që prodhon pak mandate, pesë të tilla. Në opinionin publik thuhet shpesh se për partitë e vogla thuajse është e pamundur për të nxjerrë mandat, por thjeshtë dëmtojnë partinë e madhe opozitare, pra PD-në. Sa qëndron një gjë e tillë?
Për mendimin tim një konstatim i tillë është i pavërtetë, të paktën për ato që duan të tregohen mendje hapur. Nuk mendoj se është vendi për tu përmendur, por rasti i PDIU-së e mishëron këtë që po them. Të jeni të sigurtë se me ndihmën e diasporës, Nisma Shqipëria Bëhet do e nxjerri mandatin e parë në Dibër pa lodhje fare, dhe do “sulmojë” për të dytin duke i dhënë një mësim të mirë dy partive tradicionale.
Për sa i përket dëmtimit të PD, prapë do ta quaja një konstatim të pavërtetë. PD nuk duhet të “qyrravitet” më.
Në qarkun e Dibrës, PD në këto 35 vite ka qënë mazhorancë sa i përket zgjedhjeve të përgjithshme. Sot ka ardhur koha që të prishen të gjitha balancat, që populli të dalë nga ajo strofull e pasigurisë dhe me vendosmëri ti drejtohet të ardhmes dhe të mos merret më me të kaluarën. Unë mendoj se si PD dhe si PS, i kishin të gjitha mundësitë që popullin fisnik të Dibrës ta bënin më të lumturin dhe më të pasurin në Shqipëri duke ditur potencialin që zona jonë ka. Por zgjodhën të kundërtën. A e dini se nga 2019-ta deri në 2025 jane larguar sipas INSTAT rreth 80.000 Dibranë? Pse ka ndodhur kjo? Sepse PS e ka shtypur dhe shfrytëzuar Dibrën, dhe PD ka dështuar të japë shpresë. Mendoj se kjo është përgjigje ezauruese për pyetjen tuaj.
6. Sipas jush, nëse keni dalë në terren dhe keni bërë fushatë, çfarë janë problemet më madhore që prekin zonën e Dibrës?
Në terren kam dalë dhe me krenari mund të them se kam dalë edhe nëpër ato zona, ku kandidatët e tjerë apo deputetët e kaluar të Dibrës nuk e dinë që ekzistojnë.
Me sa kam vënë re, ktu nuk ka probleme madhore dhe jo madhore.
Këtu në zonën tonë gjithçka është alarmante. Pensionet tepër të ulëta, varfëria e tejskajshme, presioni ndaj punonjësve të administratës është sistematik, shpopullimi është masiv, infrastruktura është “ku thërret qameti”, arsimi thuajse nuk ekziston, arti, kultura dhe sportet janë zhdukur fare, minierat po marrin jetë njerëzish çdo ditë, pagat janë shumë të ulëta dhe tepër diskriminuese në krahasim jo me vendet e europës apo të botës, por në krahasim me qarqet e tjera si Tirana, Durrësi, Elbasani, Shkodra, Korça etj. Nuk do të mjaftonte një enciklopedi për të pasqyruar të gjitha problematikat alarmante të Dibrës.
7. Nëse do të zgjidheni si deputet në Kuvendin e Shqipërisë, si do ti adresoni këto probleme?
Fatmirësisht të gjitha problematikat e mësipërme janë pjesë e programit të Nismës Shqipëria Bëhet. Angazhimi im në lidhje me këto problematika do të jetë:
Së pari të adresohen sa më shpejt të jetë e mundur, të bëhen në kohë rekord nismat ligjore për të përmirësuar jetën e qytetarëve sepse nuk ka më kohë. Boll kanë pritur, po ikin brezat njëri pas tjetrit dhe asnjëri nuk po e gëzon shtetin dhe jetën e tij.
Së dyti, nismat ligjore të sjellin sa më shumë përfitime veçanërisht për zonën e Dibrës. E kam fjalën këtu për sektorin minerar, bujqësinë dhe blegtorinë, punonjësit e administratës vendore etj. Do të përdor të gjitha format e mundshme dhe madje më ekstremet që këto problematika të marin zgjidhjen sa më të shpejtë dhe sa më të mirë.
8. Pse dibranët duhet t’ju besojnë juve, dhe jo kandidatëve të tjerë brenda listës së SHB?
Dibranët duhet tju besojnë jo vetëm mua por të gjithë kandidatëve të tjerë të SHB. Janë të gjithë djem dhe vajza shembullorë, të arsimuar e të kulturuar. Të gjithëve na bashkon një gjë, ndjenja për Dibrën. Ka nga ato që ndoshta kanë sakrifikuar edhe më shumë se unë duke u kthyer nga diaspora për të bërë Dibrën. Dhe të gjithë së bashku edhe pas zgjedhjeve do të punojmë për Dibrën.
9. Edi Rama mbylli 12 vite qeverisje, si do e vlerësoni punën e Edi Ramës, konkretisht duke ju referuar edhe asaj se çfarë është bërë apo nuk është bërë në Dibër?
Edi Rama mbylli 12 vite vuajtje dhe agoni për Shqiptarët dhe kryesisht për dibranët. Besoj se kjo e përkufizon plotësisht përgjigjen për pyetjen tuaj.
Ai krenohet me një rrugë Arbri 80 km që i’u deshën 12 vite ta ndërtonte. Rreth 7 km në vit. Ai thotë që kjo rrugë do sjellë zhvillim për zonën. Por e kundërta është e vërtetë. Ajo rrugë nuk është bërë me studimin e duhur. Është e vërtetë që tashmë Dibra është afruar shumë me Tiranën, por asaj rruge duhet ti vinte nga mbrapa infrastruktura e nevojshme siç janë fondet për bujqësinë, arsimin, sportet, fshatrat, minierat etj. Pa u plotësuar kjo “infrastrukturë” e nevojshme, varfëria do thellohet më shumë, çmimet do ngrihen më shumë, Dibranët do blejnë e do konsumojnë më pak, do prodhojnë më pak, do largohen përditë e më shumë. Është një zinxhir situatash që do të rëndohen nëse nuk merren masa të menjëhershme. Do përfitojnë shumë pak veta, por do e vuajnë gjithë pjesa tjetër e Dibrës. Ky është vetëm njëri shembull i keq qeverisjes së Edi Ramës, por ka shembuj të tjerë pa fund. Dhe më i rëndi është që ai tani do e harrojë komplet Dibrën. Dhe me sa kam dëgjuar unë nga njerëz të tij të afërt, mbarimi i rrugës së Arbrit ka lidhje me fillimin e punimeve të Skavicës. Pra, 12 vite dështim, 12 vite skamje, 12 vite shpopullim dhe larg qoftë nëse ai fiton përsëri, shkatërrim historik i trevës së Dibrës.
10. Cilat janë qëndrimet tuaja ndaj çështjes së rëndësishme, që shqetëson më shumë banorët e Dibrës: ndërtimi i HEC-it Skavica?
Unë personalisht nuk jam dakord, por qëndrimi im në lidhje me Skavicën është i parëndësishëm dhe duhet të jetë i parëndësishëm. Nisma Shqipëria Bëhet ka në programin e saj miratimin e ligjit për referendumet. Dhe menjëherë nëse ne fitojmë, do të ndërmarrim nismën ligjore për miratimin e ligjit të referendumeve. Projekte kaq të mëdha dhe me impakt kaq të madh për popullsinë e zonës, duhet ti marrë vetëm popullsia e zonës dhe askush tjetër.
11. Dibra ka një popullsi të madhe të emigrantëve. Nëse mund të them më shumë banorë kemi jashtë Dibrës se sa brenda. Cilat janë planet tuaja për të mbështetur lidhjen e tyre me zonën dhe për të inkurajuar investimet e tyre në zhvillimin lokal?
Në një nga bisedat që kam patur me Adriatikun, është përafrimi i pagave te administratës vendore dhe asaj gjyqësore me pagat e Tiranës. Një pikë e dytë që kam biseduar me të dhe kam marë mbështetjen e plotë është që pagat e mësuesve, policëve/zjarrfikësve dhe mjekëve/infermierëve të jenë më të lartat në rajon. Madje të arrijnë vleren 2500€-3000€ duke u bërë konkurruese edhe për pjesën tjetër të europës. Një lëvizje e tillë do stimulonte ekonominë rajonale në përmasa të pallogaritshme. Gjë që do të sillte vetvetiu edhe zhvillimin e zonave të ndryshme rurale. Normalisht që rritja do të jetë graduale sipas planit të mirëmenduar të ekspertëve të fushës, por do të realizohet.
Shumë njerëz të kualifikuar për pozicione të tilla pune që kanë ikur jashtë shtetit, do të ktheheshin pa e menduar 2 herë. Një tjetër pikë e programit tonë është krijimi i Bankës Kombëtare Agrare. Subvencionimi për kilogram, dëmshpërblimi për fatkeqësitë natyrore (që në zonën tonë po bëhen të shpeshta për shkak të breshërit e dëborës), plehrat kimikë dhe pesticidet sipas standarteve europiane do ti jepnin nje bum te fuqishëm zhvillimit te Bujqësisë dhe Blegtorisë sonë. Çka nënkupton kthimin e më shumë se 50% të emigrantëve tanë të cilët punojnë tokat e huaja. Tashmë do punojnë tokat e tyre me përfitime shumë herë më të larta se emigracioni.
12. E keni ndjekur fushatën nga partitë e tjera në Dibër, si ju janë dukur?
Të them të drejtën e kam ndjekur dhe më ka lënë shije tepër të hidhur. Një fushatë tepër luksoze për një zonë tepër të varfër. Një fushatë me fjalor tepër denigrues, dhe për kë? Për pasardhësit e Gjergj Kastriotit, Elez isufit, etj. Mbështetësit dhe kandidatët e PS shumë të irrituar dhe armiqësor ndërsa nga PD të them të drejtën nuk na kanë pritur keq, kanë qënë më miqësor, më mendje hapur dhe me dëshirën e mirë për të na dëgjuar deri në fund.
Ajo çfarë më bëri më tepër çudi është mungesa e një programi serioz për administrimin dhe qeverisjen e një shteti për 4 vitet e ardhshme. PS premton asfaltimin e një rruge 2 km për fshatin e Noizyt, Lubaleshin, një prezantim albumi nga Noizy në fushën e Gjoricës në Bulqizë dhe pasaportën europiane gjë e cila është tërësisht jashtë duarve të qeverisë Shqiptare, por dhe çfarë është më kryesorja, nuk i duhet askujt ajo pasaportë përpara varfërisë që ka zona jonë. Ndërsa PD-ja përveç se na vjen nga mbrapa duke kopjuar në çdo hap disa nga pikat e programit tonë, nuk ka asgjë tjetër në programin e saj. Në përfundim, ndihem shumë i vlerësuar për mundësinë që më dhe.









