Dosja 184, dy ish-zyrtarët e PS dënohen me kusht për tjetërsim vote

451
Ish-drejtori i Zyrës Arsimore Dibër, Drini Gjeci dhe Nuri Meda, ish-Administrator i Tominit, gjatë një seance gjyqësore për të ashtuquajturën "Dosja 184" në Gjykatën e Dibrës | Foto ilustruese: Bulqizaime.al

Gjykata e Dibrës vendosi të martën të dënoj me 2 vjet burg me kusht dy ish-zyrtarë lokalë në Dibër të përfshirë në atë që u bë e njohur si “Dosja 184” për blerjen dhe tjetërsimin e votave në zgjedhjet e pjesshme lokale për bashkinë në vitin 2016. Ish-Drejtori i Zyrës Arsimore Drini Gjeci dhe Nuri Meda ish-Administratori i njësisë Tomin u dënuan po ashtu edhe me dy vjet heqje të drejtës për të ushtruar funksione publike.

Gjyqtari Edvan Veçani njoftoi vendimin, që është i njejtë me kërkesat e prokurorit Urim Buci që u lexuan në prill 2022. Por për muaj me radhë gjykata nuk qe në gjendje të dëgjonte pretendimet e mbrojtjes. Avokatët e të pandehurve kanë këmbëngulur nga fillimi për pafajësi, por nuk qenë të arritshëm për koment pas njoftimit të vendimit deri në publikimin e këtij shkrimi.

Dosja 184, me përgjime që implikojnë disa persona, përfshi të pandehurit e mësipërm, në manipulimin dhe blerjen e votës në zgjedhjet e pjesshme të vitit 2016 në favor të kandidatit të mbështetur nga Partia Socialiste, u zvarrit mes prokurorive të Dibrës, asaj të Krimeve të Rënda dhe SPAK për gati 5 vjet. Ajo  u dërgua në gjykatë në fund të vitit 2020 vetëm për 4 të pandehur dhe në 12 shkurt 2021 Gjykata e Dibrës e kaloi për gjykim.

Dosja më pas u nda në dy pjesë të pandehurit Gjeci dhe Nuri Meda, për të cilët pretenca u lexua të martën kërkuan gjykim të shkurtuar. Megjithatë gjyqi ndaj tyre vijoi për mbi një vit dhe u shty disa herë për mungesë të avokatëve e mosnjoftim të personave të tretë palë në proces.

Ndërkohë procesi tjetër ndaj Robert Agës, ish-komisar i Policisë së Dibrës dhe Hasan Hotit ish-administrator i Lurës po zhvillohet në një gjyq normal, në të nuk është arritur ende në fazën e pretencës. Gjyqi vijon të shtyhet për arsye të ndryshme.