Diplomacia e Iljaz Pashë Dibrës

249
Iljaz pashë Qoku i njohur në histori Iljaz pashë Dibra, ka qenë ushtarak shqiptar i Perandorisë Osmane dhe drejtues i mbledhjes së 18 qershorit 1878 ku u firmos Kararnameja e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe kryetar i komitetit qendror të saj.

Po t’i hedhësh një sy biografisë së Iljaz Pashë Dibrës, konstaton që statusi i familjes së tij ngrihet nga zejtaria, kalon tek ai i një tregari të pasur dhe shkon deri tek çifligar, duke e klasifikuar atë si një nga familjet me autoritet në zonën e Dibrës. Si një emër i përveçëm i kësaj familjeje, Iljaz Pashë Dibra ka dhënë kontribut të veçantë në krijimin e, për më tepër, konsolidimin e vlerave pasunore e atdhetare të saj.

Me një aktivitet të spikatur që fillon që në moshën 23 vjeçare, si kryengritës kundër orvatjeve që ndërmori Stambolli për ta futur Dibrën në zgjedhën e administratës centraliste të Perandorisë, ai tregoi që po futej në rrugën e përkushtimit për të mbrojtur interesat sovraniste të vendit të tij.

Në vitin 1844 Iljaz Pashë Dibra u bë udhëheqës i forcave qytetare në luftën kundër Hajredin Pashës në fshatin e Jançes dhe në Fushën e Gjoricës. Duke marrë në konsideratë faktin që beteja kundër Hajredin Pashës ishte betejë që u zhvillua fill pas reformave antipopullore dhe antishqiptare të Tanzimatit të Sulltan Abdyl Mexhitit, reforma këto që e rënduan jetën ekonomike dhe sociale të shqiptarëve, por jo vetëm, konkludohet që Iljaz Pashë Dibra ishte vënë tashmë në rolin e një udhëheqësi, ku edhe fjala edhe veprimi fitonin peshë të veçantë.

Me cilësitë e tij të spikatura si një luftëtar i vendosur, por edhe si një komandant i zoti, ai u vu në krye të forcave dibrane në frontin e Thesalisë. Ishte viti 1854 dhe Iljaz Pashë Dibra ishte 42 vjeç. Nuk dihet se kush konkretisht u bëri thirrje forcave dibrane për ndihmë por, duke ditur që këto forca do të bëheshin pjesë e një fronti që ka hyrë në histori si “Lufta e vitit 1854” kundër rebelëve grekë, në të cilën, përveç shqiptarëve dhe forcave turke, merrte pjesë edhe flota anglo franceve, del që ajo ishte një luftë kundër rebelëve grekë që donin të aneksonin troje shqiptare. Po ashtu në rebelimin grek të asaj kohe thuhet se kishte dorë edhe Rusia.

Ja çfarë shkruan publiçisti dhe studiuesi, Abedin Rakipi për këtë betejë: Partitë pro-britanike dhe pro-franceze në opozitë me Partinë Ruse në vitet 1853-1854 ishin kundër përdorimit të irredentistëve grekë për të zgjeruar kufijtë e Greqisë së asokohe në dëm të Perandorisë Osmane, ndërsa Rusia provokonte të kundërtën, duke i nxitur irredentistët grekë që të bënin inkursione në territorin Osman për të krijuar destabilitet në rajon. Kështu, Partia Ruse u bë shumë aktive në inspirimin e revoltave anti-osmane në Greqi.

Në këtë mënyrë, në vitin 1854 me nxitjen dhe ndihmën e Rusisë filluan disa sulme irredentistësh grekë drejt veriut, që përfshinë edhe çamërinë e asokohe”. Siç shihet ky front ishte një përplasje interesash midis fuqive më të mëdha të kohës. Po kush i kërkoi apo si vendosën dibranët të niseshin në front? Iljaz Pashë Dibra ishte në krye të forcave dibrane, çfarë le të kuptohet që nisja ishte pasojë e një marrveshje midis atij dhe palës kundërshtare të rebelimit grek. Pikërisht kjo marrveshje e supozuar flet për aktivitetin diplomatik të Iljaz Pashë Dibrës. Nuk dihet nëse ishte e para marrveshje por, ajo me siguri ka qenë e tillë.

Po pse kjo marrveshje? Çfarë fitonte ai me këtë aksion diplomatik? Edhe për këtë, ashtu si më vonë (1861) për pjesëmarrjen po në krye të forcave dibrane në frontin e Shkodrës kundër rrezikut të pushtimit malazez, Iljaz Pashë Dibra konfirmohej si një aktor i rëndësishëm i Dibrës në aksionet kombëtare për autonominë e vilajetit të Shqipërisë. Më tej, kjo fiton fizionomi të plotë para, gjatë dhe pas luftës Ruso-Turke (1877-1878). Në këto vite aktiviteti i Iljaz Pashë Dibrës bëhet edhe më i shpeshtë, por edhe më i dobishëm. Është e arsyeshme të mendohet që ky aktivitet, përpos trimërisë të realizohej edhe nëpërmjet veprimeve të zgjuara dhe eficente në fushën e diplomacisë.

Përpjekja për ta nxjerrë në dukje këtë aktivitet është e vështirë pasi siç pohon historiani akademik Kristo Frashëri: Dibra …., ka dhe një dobësi: dibranët nuk e kanë pasqyruar në shkrime historinë e tyre nëpërmjet dokumenteve. Për dibranët dokument ka qenë fjala e dhënë. Nuk janë si ato popujt evropianë, që nga frika se mos shkelet fjala, bëjnë kontrata e shkruajnë marrëveshje. Dibrani lidhet me besë, jepte fjalën s’kishte nevojë të firmoste. Bënin traktate me njëri-tjetrin (dibranët) dhe nuk kishin nevojë t’i shkruanin, sepse ishin të dy palët dibranë, të bindur dhe të vendosur ta respektonin. Por kjo për historianin është një fatkeqësi. Sa krenari është për dibranin, aq fatkeqësi është për historianët.

Atëhere cila ka qenë fjala e dhënë nga Iljaz Pashë Dibra dhe me cilin ka bërë marrveshje? Nga jetëshkrimi i tij del që ai, në vitin 1876 kur sapo filloi lufta serbo-turke, me vullnetarë dhe malësorë dibranë u nis për në front, me synimin e qartë kundër lakmive shoviniste të Beogradit.

Në emër të luftës kundër Turqisë, shtetet ballkanike, nën influencën e Rusisë, kërkonin të merrnin “llokma sa më të majme” nga trupi i rraskapitur i Shqipërisë. Është e qartë që lufta ruso-turke, me objektivin për të mundur Turqinë, kërkonte dhe forcimin si në territore ashtu edhe në influencë të Rusisë, përkatësisht shteteve sllave. Shqipëria, gjatë dhe pas kësaj lufte, u bë pre e lakmimeve të pansllavizmit. Ama, njëkohësisht asaj i duhej pavarësia prej Turqisë. Të gjendur në këto kushte Iljaz Pashë Dibra, së bashku me Avdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Sulejman Vokshin e të tjerë filluan përpjekjet për të krijuar shtetin shqiptar të Katër Vilajeve, që përfshinin territoret shqiptare në Ballkan. Pra Iljaz Pashë Dibra ishte ndër nismëtarët e parë për themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Kuvendi themelues i saj u mblodh më 10 qershor 1878, vetëm pak muaj pas traktatit famëkeq të Shën Stefanit. Ky i fundit u nënshkrua më 3 mars 1878 si Traktati i Paqes ndërmjet Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane.

Politika ruse e asaj kohe u përpoq t’i realizonte qëllimet e saj (rritjen e influencës në Ballkan) nëpërmjet fuqizimit të Bullgarisë, duke zgjeruar kufinjtë e kësaj me territore, që konsideroheshin si të Perandorisë turke. Nga ana tjetër, Traktati i Shën-Stefanit nuk merrej fare formalisht me Shqipërinë, pasi për Rusinë ajo nuk ekzistonte si subjekt të drejtash politike.

Kështu, sipas këtij Traktati, gati gjysma e trojeve shqiptare u jepej shteteve sllave ballkanike ku, përveç Bullgarisë do përfitonin territore edhe Serbia e Mali i zi. Për ta jetësuar Traktatin e Shën Stefanit, shtetet që përfitonin prej tij, Serbia e Mali i Zi, nëpërmjet ushtrive të tyre e rritën terrorin në viset e pushtuara duke shpërngulur me dhunë nga këto krahina dhjetëra mijë familje shqiptare, të cilat vërshuan si muhaxhirë në krahinat e papushtuara nga ushtritë ballkanike.

Në këto kushte Komiteti Kombëtar i Stambollit adaptoi një platformë të re politike, në të cilën kërkohej kundërshtimi me luftë të armatosur i çdo vendimi që do të merrnin Fuqitë e Mëdha, qoftë edhe me pëlqimin e Perandorisë Osmane, në dëm të tërësisë territoriale të Shqipërisë dhe, në të njëjtën kohë, të arrihej bashkimi i të gjitha trojeve të atdheut në një vilajet të vetëm shqiptar, të pajisur me disa të drejta autonomiste, që mund të realizoheshin pa hyrë në konflikt me Portën e Lartë.

Realizimi i kësaj platforme kërkonte, ndër të tjera, formimin e një fronti të vetëm politik mbarëshqiptar dhe pranimin nga ky front të platformës politike të përpunuar nga Komiteti Kombëtar i Stambollit. Është e qartë se ndër të parët që u angazhua në mbështetje te kësaj platforme është Iljaz Pashë Dibra. Për këtë janë shfrytëzuar të gjitha kontaktet e vendosura me drejtuesin e Komitetit Kombëtar të Stambollit, Abdyl Frashërin. Duket që Iljaz Pashë Dibra ishte i mirëinformuar për veprimtarinë e këtij Komiteti, po ashtu si dhe këta të fundit e njihnin aktivitetin politik e ushtarak të IPD si dhe ndikimin e tij në zonën e Dibrës. Me siguri midis tyre ka patur këmbim mesazhesh kryesisht nëpërmjet personave të besuar. Në këtë kohë, Abdyl Frashëri njihej për përkushtimin e tij të veçantë në interes të zgjidhjes së çështes kombëtare. Në kontaktet me Iljaz Pashë Dibrën, atëherë 66 vjeçar, ai shihte një atdhetar, aktiviteti i të cilit ishte i gjithi në mbështetje të çeshtjeve shqiptare dhe mendimet e të cilit po ashtu mbështesnin platformën e Komitetit të Stambollit.

Nuk ka dokumente të shkruara apo një protokoll takimesh e bisedash që zhvilloi Abdyl Frashëri në të gjitha “stacionet” e rrugës së tij për në Prizren, ku Dibra ishte stacioni më i rëndësishëm i këtij udhëtimi.

Sa i përket aktivitetit të Iljaz Pashë Dibrës në Lidhjen e Prizrenit, del qartë që ai nuk është thjesht një nga 47 nënshkruesit e dokumentave të saj: rezolucionit (kararnamesë) dhe udhëzimeve (talimat-it) për organizimin e administratës dhe krijimin e ushtrisë, por edhe drejtuesi kryesor i gjithë aktivitetit politik të Lidhjes.

Më pas, me autoritetin e një njohësi të mirë të situatës, me aktivetin e pasur në mbrojtje të çështjes kombëtare dhe me respektin që gëzonte në Dibër e më gjerë Iljaz Pashë Dibra u bë nismëtar për nxjerrjen e një rezolute, në atë që njihet si mbledhja e Dibrës më 14 tetor 1878.

Kjo rezolutë, mbështetur në një program autonomie për vilajetet e banuara nga shqiptarët, botuar në gazetën “Tercüman-i sark”, kryeredaktor i së cilës ishte Sami Frashëri, përmbante kërkesa, të përmbledhura në pesë pika: formimi i Vilajetit të Shqipërisë, furnizimi i tij me nëpunësit shqiptarë, zhvillimi i arsimit në gjuhën shqipe, zbatimi i reformave nga Asambleja e Madhe Kombëtare dhe përdorimi i një pjese të madhe të buxhetit për zhvillimin e arsimit. Rezoluta u formulua si një memorandum në Kuvendin e Parë të Dibrës që u mblodh më 1 nëntor 1878.

Në këtë Kuvend u vendos që memorandumi t’i paraqitej brenda një muaji, në emër të të gjithë popullit shqiptar, Portës se Lartë, nëpërmjet një delegacioni të përberë nga personalitete të shquara të Shqipërisë, ku bënte pjesë edhe Iljaz Pashë Dibra të cilit, së bashku me Abdyl Frashërin iu besua detyra për të nxjerre mandatet, me të cilat rezoluta miratohej nga përfaqësuesit e kazave e sanxhakëve shqiptarë dhe mandatet e përbërjes së delegacionit. Për kryerjen e kësaj detyre në krahinat jugore të Shqipërisë, Abdyl Frashëri e njoftoi më 2 dhjetor 1878 Iljaz Pashë Dibrën, ndërkohë që i shkruante edhe për entuziazmin që kishin shkaktuar kudo vendimet e Kuvendit te Dibrës. Detyrën e tij për krahinat e Veriut, Iljaz Pashë Dibra e përfundoi aty nga mesi i janarit 1879. Lidhur me të gjitha këto zhvillime roli i IPD, ashtu siç e vlerëson historiani Gazmend Shpuza, ishte rol parësor.

Po në Kuvendin e Dibrës që u mbajt nga 20 deri më 24 tetor 1880 cili ishte roli i IPD?

Ky Kuvend trajtoi tri çështje me rëndësi vendimtare për Shqipërinë: qëndrimin ndaj çështjes së Ulqinit, krijimin e një vilajeti autonom dhe formimin e qeverisë së përkohshme. Në këtë kuvend Iljaz Pashë Dibra i përkiste grupit reformator. Për çështjen e Ulqinit u vendos që ai, pavarësisht nga urdhri që kishte dhënë sulltani për dorëzimin e tij, të mbrohej me luftë. Ky vendim u mor me votat e përbashkëta të atdhetarëve radikalë dhe të moderuar.

Sa i përket çështjes së krijimit të një vilajeti autonom, nga dokumentat e kohës del që të moderuarit e pranuan në parim edhe formimin e Vilajetit të Shqipërisë. Madje disa prej tyre, ndër të cilët Iljaz pashë Dibra dhe Ali pashë Gucia, e miratuan edhe tezën e Abdyl Frashërit për ta bërë vilajetin autonom me anën e veprimeve të armatosura. Të tjerët ngulën këmbë në pikëpamjen e tyre të mëparshme: për të mos shkuar përtej paraqitjes së peticionit, duke ia lënë sulltanit në dorë plotësimin e kërkesave të tij. Ndërsa për çështjen e qeverisë së përkohshme, Kuvendi i Dibrës zyrtarisht nuk mori asnjë vendim. Në bazë të marrëveshjes që u arrit ndërmjet patriotëve revolucionarë, ajo u la të shqyrtohej edhe njëherë në Prizren.

Me pjesëmarrjen dhe aktivitetin në këtë Kuvend duket se përfundon edhe veprimtaria aktive publike e Iljaz Pashë Dibrës. Tashmë në moshën 68 vjeçare ai ka krijuar një portret të plotë edhe ushtaraku edhe politikani përkatësisht diplomati.

Konkluzione:

1. Në shqyrtimin tërësor të aktivitetit të Iljaz Pashë Dibrës del që ai ka luftuar si me armën e trimit ashtu dhe me fjalën e mentarit për çështjen atdhetare.

2. Në aktivitetin ushtarak, i cili fillon me udhëheqjen e forcave qytetare dibrane në betejën me Hajredin Pashën, vazhdon me pjesëmarrjen në frontin e Thesalisë kundër rebelëve grekë, më tej me kryesimin e forcave dibrane në frontin e Shkodrës kundër rrezikut nga pushtimi malazes apo me pjesëmarrjen në krye të vullnetarëve e malësorëve dibranë kundër lakmive shoviniste të Beogradit, Iljaz Pashë Dibra demonstroi vendosmërinë e tij për të mos lejuar në asnjë çast e rrethanë nënshtrimin e shqiptarëve ndaj kujdo pushtimi apo përpjekje për pushtim. Ky angazhim është shprehje jo vetëm e aftësive të tij ushtarake, por edhe qartësisë politike e veprimit diplomatik.

3. Vënja në krye të Lidhjes së Prizrenit ia rrit Iljaz Pashë Dibrës dimensionin diplomatik. Ajo tregon që tek fjala dhe veprimi i tij gjendej një atdhetar i zoti, të cilit mund ti besoheshin zgjidhje të çeshtjeve delikate kombëtare.

4. Organizimi i dy kuvendeve të rëndësishëm në Dibër, vendlindjen e tij, tregon besimin e rritur tek aftësitë diplomatike e përkushtimin atdhetar të tij.

Në përfundim mund të themi që historiografia shqiptare ia ka borxh vendit plotësimin e portretit të Iljaz pashë Dibrës, ashtu siç ai e ka bërë me gjithë aktivitetin e tij.