Dibra, qarku me daljen më të lartë në votime

3195
Një qytetar duke votuar në Bulqizë më 25 prill 2021. Foto: Sami Curri

Banorët e Dibrës po votojnë në zgjedhjet parlamentare të së dielës ndërsa qarku i tyre u vu në qendër të vëmendjes për arrestimin e dy individëve që dukej se po shpërndanin para në shkëmbim të votave, si dhe për faktin se arrestimi i tyre u realizua fillimisht nga bllokimi disaorësh që i bënë mbështetësit e opozitës dhe vetëm më pas, nga Policia e Shtetit.

Në pranga ranë drejtori juridik i Bashkisë Bulqizë Denis Xholi së bashkë me një 25 vjeçar. Nga kontrolli i Policisë, rezultoi se në makinë kishte një shumë prej afro 500 mijë lekësh, lista votuesish dhe fletëpalosje të kandidatit të Partisë Socialiste, Melaim Damzi. Bllokimi i makinës u kthye në një shfaqje disa orëshe në mes të rrugës nacionale Tiranë-Peshkopi, ndërsa gjykata la në burg Xholin sëbashku me 25 vjeçarin, me akuzën e “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.

Këtë të dielë, që në orët e para të mëngjesit në thuajse të gjitha qendrat e votimit të Bulqizës kishte prani të qytetarëve që prisnin në radhë për të votuar. Deri në orën 17:00, nga të dhënat e KQZ, qarku Dibër renditej i pari për daljen më të lartë në votime. Në disa vendvotime, në Mat dhe Dibër nuk funksionuan pajisjet e identifikimit elektronik të votuesve, kjo për mungesë të operatorëve, por edhe problemeve teknike të pajisjeve. Votimi vazhdoi me identifikimin me letër.

I vetmi incident ishte në Maqellarë, ku një banor i zonës akuzoi komisionerin e Partisë Socialiste, se tentoi ta bllokonte për të votuar. Rustem Lezi u përplas me komisionerët, çka solli që qendra e votimit në Maqellarë të bllokohej për disa minuta, si pasojë e debateve. “Më pa dhe më tha ke votu keq. Erdhi edhe gruaja dhe më tha ke votu keq. Ai bëri sherr. Si përfundim nuk pranova ta jap fletën dhe e futa në kuti” tregon Lezi. Komisionerët e PS-së debatuan me ata të kampit opozitar, për të mos lejuar votimin familjar.

Në qendrën e votimit në Maqellarë të bashkisë Dibër, në orët e para të 25 prillit syri të zë më së shumti moshën e tretë që dalin të votojnë. Shumë prej tyre thonë se janë shtyrë për të dalë në votime nga fëmijët që i kanë në emigracion, por edhe pakënaqësive të shumta që kanë.  Shazimete Luku thotë se ka votuar në çdo palë zgjedhje të mbajtura në Shqipëri. Teksa e pyet për zhvillimet që kanë ndodhur ne Maqellarë ditët e fundit, ajo me ironi thotë se është “muaji i Ramazanit dhe kush ka lekë le të japë”. Sipas saj bamirësinë e kanë lënë për në votime.

Fadil Xholi dhe i vëllai i tij janë të ulur në hyrje të një dyqani. Ata po presin që të mbarojnë së votuari pjesa më e madhe e banorëve të Maqellarës për të shkuar për të votuar. Për Fadilin ndalimi i një personi me para në makinë për të blerë vota është një  “gjest shumë i dobët”. Sipas tij, këta individë që merren me këtë punë i kanë ndërruar të gjitha partitë.

Të parët që votuan sot ishin gjithashtu edhe të parët e listave të partive politike për deputet, por gjithashtu edhe kandidati i pavarur për deputet, Elton Debreshi, që në këto zgjedhje është konsideruar edhe si një surprizë elektorale.

Në këto zgjedhje në qarkun e Dibrës, përbërë nga katër bashki, kanë të drejtë vote 131, 200 votues. Shifrat e pjesëmarrjes në votime kanë qenë në afro 72 mijë.

Qarku i Dibrës ka qenë konsideruar si bastion i Partisë Demokratike, por që në zgjedhjet e parakohshme për bashkinë në vitin 2016-të, skema kontroverse zgjedhore kanë ndikuar në përmbysje të konsiderueshme rezultatesh ndërkohë që rënia e popullsisë bëri që në zgjedhjet e 25 prillit në këtë qark të zgjidhen pesë deputetë nga gjashtë më parë.

Në fushëbetejën elektorale të Dibrës në zgjedhjet e 25 prillit do të jetë edhe minatori Elton Debreshi, i cili garon si kandidat i pavarur. Debreshi përballet me një betejë të vështirë pasi atij i duhet që të marrë njëkohësisht vota për t’u zgjedhur deputet dhe vota për të kaluar pragun kombëtar në masën 1%. Në rast se Debreshi nuk e kalon pragun, një nga dy partitë e mëdha, PD ose PS, do të mund të maksimizojë rezultatin në mandate.