Deri në 4 vite burg dhe deportim për emigrantët e paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar

549
Pothuajse katër në 10 emigrantë të Kanalit janë nga Shqipëria, ku nuk ka pasur konflikt për një çerek shekulli, zbulon një raport i inteligjencës ushtarake Britanike. Foto: Dan Kitwood/Getty Images

Oficerët e Policisë Shqiptare do të vendosen në Dover të Mbretërisë së Bashkuar për të ndihmuar në identifikimin dhe dëbimin e emigrantëve të paligjshëm nga Shqipëria. Kjo është pjesë e një masë reagimi e vendosur së fundi mes autoriteteve Shqiptare dhe Britanike, pas rritjes së numërit të emigrantëve nga Shqipëria.

Gazeta Britanike “The Telegraph” shkruan se sekretarja e Brendshme, Priti Patel, ka rënë dakord për një plan veprimi me homologun e saj shqiptar Bledi Çuçi, pasi shërbimet e inteligjencës raportojnë se shqiptarët përbëjnë midis 40 dhe 60 përqind të emigrantëve që kalojnë kanalin me varka të vogla.

“Për shkak të kësaj situate, Zonja Patel zhvilloi bisedime me ministrin e brendshëm shqiptar, të martën e kësaj jave për të gjetur mënyra se si mund të përshpejtohet deportimi i emigrantëve të paligjshëm shqiptarë, sipas një marrëveshjeje kthimi që u nënshkrua mes dy vendeve vitin e kaluar.” shkruan “The Telegraph”.

Disa ditë më parë në takimin e zhvilluar mes drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Shqiptare, Gledis Nano me ambasadorin britanik, Alastair King-Smith u raportua se grupet kriminela po shfrytëzojnë të rinjtë shqiptarë për të udhëtuar drejt Mbretërisë së Bashkuar në mënyrë të paligjshme.

“Shprehëm vendosmërinë e përbashkët për të ndaluar fluksin e emigrantëve të paligjshëm drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe Evropës. Diskutuam realitetin që i pret të gjithë ata që mbërrijnë në brigjet e Mbretërisë së Bashkuar. Emigrantët e paligjshëm nuk mund të sigurojnë punë të ligjshme. Së shpejti do të kthehen në Shqipëri dhe nuk do të jenë në gjendje të udhëtojnë kurrë më në Mbretërinë e Bashkuar. Të gjithë ata persona dhe familjarët e tyre që mund të jenë të tunduar të udhëtojnë drejt Britanisë nuk duhet të bien pre e propagandës së krimit” tha ambasadori, Alastair King-Smith.

Zyrtarët Britanikë kanë thënë se falë bashkëpunimit me Shqipërinë, do të shfrytëzojnë çdo mundësi për të përshpejtuar largimet e shqiptarëve të paligjshëm nga Mbretëria e Bashkuar. Raportohet se ministry, Bledi Çuçi i ka thënë sekretares së Brendshme Britanike se Shqipëria “dekurajoi” praktika të tilla të paligjshme dhe të rrezikshme nga emigrantët, duke shtuar se ai kishte diskutuar gjithashtu me homologen britanike zgjidhjet “afatmesme” për rrugët e migrimit legal për profesionistët e kualifikuar dhe punëtorët e tjerë.

Oficerët e lartë të Policisë Shqiptare pritet të vendosen në Dover dhe portet e tjera Britanike për të ndihmuar në identifikimin e personave – hetuar prejardhjen e tyre duke përfshirë edhe lidhjet kriminale, me qëllim që emigrantët e kapur të kthehen në Shqipëri brenda disa ditësh.

Sipas të dhënave të fundit, rreth 6,000 nga 23,000 emigrantë të paligjshëm që kanë arritur në Mbretërinë e Bashkuar, janë nga Shqipëria.

E hëna e kësaj jave shënoi një rekord ditor prej 1,295 migrantësh që kaluan kanalin duke hyrë në Britaninë e madhe. Autoritetet kanë thënë se do të nisin një fushatë reklamuese për të paralajmëruar emigrantët në gjuhën e tyre se do të përballen deri në katër vjet burg dhe deportim nëse hyjnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.

Emigrantët e paligjshëm shqiptarë që udhëtojnë drejt Britanisë, përmes kanalit të “La Manshit” kanë zënë titujt kryesorë të mediave në ishull gjatë ditëve të fundit.

Daily Mail shkruan se Shqipëria është një aleate e NATO-s, e cila aspiron të jetë pjesë e BE-së dhe që nuk ka parë një konflikt prej më shumë se 25 vitesh.

Numri i emigrantëve shqiptarë që hyjnë ilegalisht në ishull është rritur ndjeshëm vitet e fundit, dhe sipas vlerësimeve nga fillimi i vitit numërohen mbi 6000 persona. Kjo rrugë kalimi e emigrantëve, ka zëvëndësuar atë me kamion që përdorej masivisht dikur.