Kryetarët e katër bashkive në qarkun e Dibrës: Bulqizë, Mat, Dibër dhe Klos – kanë deklaruar për vitin 2023 pasuri dhe detyrime të ndryshme financiare. Nga të dhënat zyrtare të dorëzuara pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKPKI), del se me më pak pasuri nga të katër kryetarët është Festime Mjeshtri e bashkisë Bulqizë, e cila ka deklaruar një pasuri modeste – kryesisht të përbërë nga kursimet personale të krijuara nga paga në sektorin publik, pa pasuri të paluajtshme apo automjete.
Në anën tjetër, kryebashkiaku i Matit, Agron Malaj, raporton një detyrim të konsiderueshëm prej mbi 9.8 milionë lekësh nga kredi bankare aktive, ndërsa llogaritë e tij bankare mbajnë shuma relativisht të vogla. Agron Malaj dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të Bashkisë Mat më 11 mars 2025, për t’u përfshirë në garën parlamentare si kandidat i Partisë Socialiste në qarkun e Dibrës. Ai ishte kandidati më i votuar në këtë qark, duke siguruar 14,744 vota gjithsej, prej të cilave 12,616 vota në Shqipëri dhe 2,128 nga diaspora.
Kryetari i Bashkisë Dibër, Rahim Spahiu, ka pasur pakësime në kursimet bankare, por ka shtuar depozita në bono thesari, ndërkohë që bashkëshortja dhe vajzat e tij kanë pasuri të ndryshme, kryesisht në llogari bankare. Ndërsa kryebashkiakja e Klosit, Valbona Kola, ka deklaruar pasuri në katër llogari bankare dhe dy kredi aktive me vlerë mbi 2.5 milionë lekë, si dhe të ardhura shtesë nga angazhimi si mjeke me kohë të pjesshme.
Deklarimi dhe kontrolli i pasurive, interesave private dhe detyrimeve financiare të zyrtarëve dhe familjarëve të tyre janë të detyrueshme sipas ligjeve shqiptare. Kjo bëhet përmes formularëve që dorëzohen në sistemin elektronik të ILDKPKI-së, brenda afateve të përcaktuara.
Festime Mjeshtri, kryetare e Bashkisë Bulqizë
Sipas formularit të dorëzuar pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKPKI), kryetarja e Bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri, ka deklaruar një pasuri modeste, të justifikuar përmes të ardhurave të saj nga paga në sektorin publik.
Në fund të vitit 2023, Mjeshtri deklaron 1,001,974 lekë në një llogari bankare personale, e cila rezulton të jetë llogaria ku është depozituar paga e saj si kryetare bashkie. Përveç kësaj, ajo raporton një shumë të vogël cash prej vetëm 8,000 lekësh, gjithashtu të krijuar nga të ardhurat nga puna.
Në aspektin e të ardhurave, nga data 26 qershor deri më 31 dhjetor 2023, ajo deklaron se ka përfituar 477,617 lekë nga paga në Bashkinë Bulqizë, ndërkohë që për të njëjtën periudhë, ka marrë 130,802 lekë në formë shpërblimesh.
Në ditët para emërimit si kryetare bashkie, Mjeshtri ka punuar si drejtuese në Spitalin Bashkiak Bulqizë, ku ka përfituar një pagë neto prej 109,101 lekësh – konkretisht nga 1 qershori deri më 26 qershor 2023.
Në deklaratën e saj nuk përfshihen pasuri të paluajtshme, automjete apo detyrime financiare.
[KLIKO KËTU PËR TË PARË FORMULARIN E PLOTË]
Agron Malaj, mbi 9.8 milionë lekë kredi të pashlyer dhe llogari të shpërndara me shuma të vogla
Në deklaratën e dorëzuar pranë ILDKPKI-së për vitin 2023, ish-kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj, ka raportuar se mban një kredi bankare me një detyrim të mbetur prej 9,828,613 lekësh, ndërsa ka shlyer gjatë vitit një shumë prej 1,080,000 lekësh (kredi plus interesat). Kredia është marrë në një institucion bankar dhe vijon të jetë aktive.
Malaj ka raportuar gjithashtu disa llogari bankare me vlera të vogla, përfshirë një me balancë 52,838 lekë, si dhe disa të tjera që janë pakësuar gjatë vitit me shuma si 23,245 lekë, 1,113 lekë dhe 131 lekë. Ai ka deklaruar edhe një llogari në paund britanik (GBP) me një shumë simbolike prej 8.44 GBP, të krijuar përmes një dhurimi në emër të vajzës së tij të mitur.
[KLIKO KËTU PËR TË PARË FORMULARIN E PLOTË]
Rahim Spahiu pakëson kursimet në bankë, investon në bono thesari pa vlerë të deklaruar
Kryetari i Bashkisë Dibër, Rahim Petrit Spahiu, ka deklaruar për vitin 2023 një pakësim të konsiderueshëm të kursimeve bankare, sipas formularit të dorëzuar pranë ILDKPKI-së. Në llogarinë bankare në euro, ai ka deklaruar një zbritje prej 1,963.68 euro, ndërsa në një tjetër llogari në lekë, pakësimi ka qenë 53,769.62 lekë.
Në të njëjtën kohë, Spahiu ka deklaruar se ka shtuar dy bono thesari, të regjistruara më 31 dhjetor 2023, por që në formular figurojnë me vlerë zero, çka mund të nënkuptojë se janë regjistruar por ende jo të aktivizuara financiarisht.
Valbona Spahiu, bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Dibër, ka deklaruar krijimin e një llogarie bankare me shumën 229,282 lekë, e cila sipas deklarimit, është formuar nga të ardhurat e saj personale nga paga.
Vajzat e kryetarit të Bashkisë Dibër, Rahim Spahiu, kanë pasur ndryshime të ndryshme në pasuritë e tyre gjatë vitit 2023. Elma Spahiu ka bërë disa lëvizje në llogaritë bankare, duke pakësuar një llogari bankare me 74,267 lekë dhe duke shtuar një depozitë të re me vlerë 7,937 lekë, e cila buron nga kursimet e saja personale. Ndërkaq, vajza tjetër, Sonja Spahiu, nuk ka deklaruar asnjë pasuri të regjistruar në emrin e saj dhe nuk ka pasur as ndryshime në pasuritë e saj gjatë vitit 2023.
[KLIKO KËTU PËR TË PARË FORMULARIN E PLOTË]
Kryebashkiakja e Klosit deklaron 4 llogari bankare dhe dy kredi me vlerë mbi 2.5 milionë lekë
Kryetarja e Bashkisë Klos, Valbona Kola, ka dorëzuar deklaratën e interesave private për vitin 2023, duke raportuar shtesa dhe pakësime në pasuri financiare dhe detyrime të konsiderueshme bankare.
Sipas dokumentit të dorëzuar në mars 2024 pranë ILDKPKI-së, kryebashkiakja deklaron një shtesë në gjendje cash prej 15 mijë lekësh dhe një rritje në një prej llogarive bankare me 40,871 lekë, të gjitha të ardhura nga paga. Ndërkohë, ka pasur pakësime në dy llogari të tjera bankare, përkatësisht me 58 lekë dhe 90,851 lekë.
Në seksionin e detyrimeve, Kola ka deklaruar dy kredi bankare aktive, me një gjendje totale të pashlyer prej rreth 2.67 milionë lekësh, ndërsa gjatë vitit ka shlyer rreth 294 mijë lekë nga këto kredi.
Gjithashtu, të ardhurat shtesë nga angazhimi si mjeke me kohë të pjesshme, nga korriku deri në dhjetor 2023, janë deklaruar në vlerën 105 mijë lekë neto.
Në formular janë përfshirë edhe pasuritë dhe detyrimet financiare të anëtarëve të familjes, ku bashkëshorti ka deklaruar një llogari bankare me 227 mijë lekë, ndërsa djali ka një llogari me 289 mijë lekë, dhe djali tjetër ka deklaruar gjendje cash 15 mijë lekë dhe një llogari me 234 mijë lekë, të gjitha të ardhura nga paga.









