Çarje dhe deformime në Tunelin e Murrizit, shqetësime për sigurinë e qarkullimit

1522
Çarje të dukshme në muret dhe tavanin e Tunelit të Murrizit

Pamje të publikuara së fundmi në rrjetet sociale nga Tuneli i Murrizit, pjesë e Rrugës së Arbrit, kanë rikthyer në vëmendje shqetësimet për gjendjen e kësaj vepre infrastrukturore. Videot janë postuar nga deputetja e Partisë Demokratike në qarkun Dibër, Denisa Vata, dhe kanë nxitur reagime të shumta për shkak të elementëve të dukshëm të dëmtimeve brenda tunelit.

Në kohën e hapjes për qarkullim, më 14 mars 2025, pak ditë para zgjedhjeve qendrore, qeveria e prezantoi Tunelin e Murrizit si një vepër të përfunduar dhe plotësisht funksionale, duke e cilësuar atë si shtyllën kryesore të Rrugës së Arbrit. Në ceremoninë zyrtare u deklarua se tuneli ishte ndërtuar sipas standardeve më të larta teknike, se ishte i sigurt për qarkullim dhe se nuk parashikohej asnjë ndërprerje e trafikut. Hapja u shoqërua me këngë e valle për përfundimin e një prej projekteve më të vonuara dhe më të kushtueshme infrastrukturore në vend.

Në pamjet e publikuara, dallohen çarje të dukshme në muret anësore dhe në tavanin e tunelit, prezencë uji si edhe deformime të shtresës asfaltike në disa segmente. Në disa pjesë vërehet thërrmim i betonit dhe shkëputje e materialit mbrojtës, ndërsa mbi disa çarje janë vendosur sensorë elektronikë monitorimi, çka tregon se situate po ndiqet teknikisht.

Njohës të fushës së inxhinierisë dhe ndërtimit i thanë Bulqizaime.al se këto të dhëna tregojnë se struktura e tunelit ndodhej nën presion të lartë dhe se mund të ketë probleme të lidhura me presionin gjeologjik dhe qëndrueshmërinë e veshjes së betonit. Ndaj kjo çështje është shumë e rëndësishme për sigurinë e udhëtarëve dhe kërkon informim të qartë publik nga autoritetet mbi nivelin e sigurisë së kalimit.

Ndërkohë prej ditësh ka nisur edhe rehabilitimi i bajpasit të murrizit, që përdorej para hapjes së tunelit. Një tjetër çështje lidhet me tunelin e emergjencës, në të cilin nuk janë përfunduar ende të gjitha punimet dhe nuk është funksional.

Tuneli i Murrizit përbëhet nga tuneli kryesor me gjatësi 3,789 metra dhe tuneli i emergjencës me gjatësi 3,781 metra.

Portali Bulqizaime.al i ishte drejtuar më herët shoqërisë ndërtuese “Gjoka” sh.p.k. me një kërkesë për informacion lidhur me gjendjen e tunelit dhe masat e marra për garantimin e sigurisë së përdoruesve të rrugës. Në këtë kërkesë ishin kërkuar sqarime mbi problemet teknike të konstatuara, inspektimet e kryera dhe ndërhyrjet e mundshme që mund të sillnin kufizime të qarkullimit. Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, një përgjigje zyrtare nuk është marrë.

Rruga e Arbrit është një nga projektet më të kushtueshme infrastrukturore dhe më e zvarritura në kohë, ndërtuar me skemën PPP (Partneritet Publik-Privat). Sipas dokumenteve buxhetore, pagesat për këtë kontratë parashikohet të vazhdojnë deri në vitin 2031, ndërsa kostoja totale e projektit arrin mbi 40 miliardë lekë.

KLIKO KETU PER TE PARE VIDEO