Bulqizë – Protestë për drejtësi pas vdekjes së 15-vjeçarit Erjon Boba: “Nuk duam viktima të tjera”

167
Të rinjtë e Bulqizës marshojnë paqësisht duke kërkuar “Drejtësi për Erjonin”. Foto: M. Jangulli

Të rinj të Bulqizës, shokë të klasës dhe familjarë të 15-vjeçarit Erjon Boba, i cili humbi jetën pas plagosjes me thikë në Durrës, zhvilluan sot një protestë paqësore duke kërkuar drejtësi dhe masa urgjente për sigurinë e adoleshentëve. Familjarët e 15-vjeçarit Erjon Boba ishin shpërngulur nga Bulqiza në Durrës para disa vitesh, ku jetonin me qira. Me pankarta në duar dhe me heshtjen që e shoqëronte marshimin, të rinjtë kërkuan “Drejtësi për Erjonin” dhe një reagim të fortë institucional për të shmangur tragjedi të ngjashme në të ardhmen.

Gjatë marshimit, protestuesit bënë thirrje për rritjen e ndërhyrjeve parandaluese në shkolla, mbështetje psikologjike për nxënësit dhe ndëshkime për çdo akt dhune. “Duam siguri. Duam që askush të mos përfundojë si Erjoni,” ishte mesazhi i përsëritur i shokëve të tij.

Erjon Boba ndërroi jetë disa ditë pas plagosjes së rëndë me thikë, në një konflikt që, sipas hetimeve paraprake, nisi nga një koment në platformën “TikTok”. Ai dhe 14-vjeçari me inicialet M.K. u takuan për “sqarim”, por situata degjeneroi në dhunë. M.K. e goditi disa herë me thikë në zonën e gjoksit, duke i shkaktuar plagë të rënda që rezultuan fatale.

Pas tetë ditësh luftë për jetë në QSUT, Erjoni u nda nga jeta.

Një familjare e Erjonit ka ngritur akuza ndaj sistemit shëndetësor dhe institucioneve, duke pretenduar se djalit iu përkeqësua gjendja për shkak të mungesës së oksigjenit gjatë ndërprerjes së energjisë elektrike në spitalin e Durrësit, gjatë ndërhyrjes së parë kirurgjikale. Ajo thotë se familja nuk mori mbështetje institucionale, as psikologjike, dhe se nuk pati asnjë reagim për transferimin e tij në një spital më të specializuar.

Rasti i Erjonit nuk është i vetmi që ka tronditur opinionin publik. Vitin e shkuar një tjetër i mitur, humbi jetën pasi u godit me mjete prerëse nga një tjetër bashkëmoshatar. Këto ngjarje të rënda po rikthejnë në qendër të debatit mungesën e sigurisë për të miturit, dhunën në rritje dhe ndikimin e rrjeteve sociale në konfliktet mes adoleshentëve.