Bulqizë, personat me aftësi të kufizuar ankohen për vonesat e pensionit

469
Foto Ilustrim

Mungesa e firmës së kryetarit të Bashkisë Bulqizë, ka sjell që personat që trajtohen me pension paraplegjikë dhe tetraplegjikë të mos marrin pagesën prej afro dy javësh. Me këtë problem, përballen afro 970 persona në të gjitha njësitë administrative të kësaj bashkie.

Në kategorinë TI RAPORTO të Bulqizaime.al, ka pasur një sërë ankesash, se një vonesë e tillë ka sjellë vështirësi të shumta për familjet që e kanë burim të vetëm të ardhurash.

Ky problem u pranua edhe nga zyrtarë të bashkisë Bulqizë. Në qëndrimin e institucionit për Bulqizaime.al, thuhet se pritet që të miratohet nënshkrimi elektronik, ndërsa deklarohet se me shpërndarjen e ndihmës ekonomike nuk ka pasur vonesa, pasi pagesat janë kryer para se institucioni të kishte probleme.

Gjithë ky shqetësim me shpërndarjen e pensioneve të paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve, ka ardhur për shkak të mungesës së firmës së kryetarit të bashkisë. Dy javë më parë, Gjykata e Posaçme vendosi arrest me burg për Lefter Allën, ish-kryetar i Bashkisë Bulqizë, akuzuar për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera. Me vendim të Këshillit të Ministrave, publikuar me 24 mars, u vendos edhe zyrtarisht shkarkimi i Allës. Por që prej arrestimit, Këshilli Bashkiak akoma nuk ka vendosur se kush do të ushtroj detyrën e kryetarit të bashkisë deri në përfundim të mandatit.

Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu deri në publikimin e këtij lajmi, nuk ka sjellë asnjë qëndrim se kur do ti kërkohet Këshillit Bashkiak në Bulqizë, emërimi i ushtruesit të kryetarit. Përfaqësues të bashkisë Bulqizë, i than Bulqizaime.al, se shqetësimit për pensionet paraplegjikë dhe tetraplegjikë do ti jepet shumë shpejt zgjidhje.

Sipas ligjit për vetqeverisjen vendore, me përfundimin para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, funksionin e tij e kryen zëvendëskryetari i bashkisë. Referuar po këtij ligji, në rastin kur vendi i kryetarit të bashkisë mbetet vakant gjatë 6 muajve të fundit të mandatit të tij, këshilli përkatës zgjedh nga radhët e veta një kryetar të ri me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, i cili ushtron funksionet deri në përfundim të mandatit.