Bulqizë, minatori 49 vjeçar humb jetën në galerinë e kromit

6341
Bulqiza, Lagjia e Vjetër dhe Miniera e Bulqizës. Foto: Sami Curri

Një 49-vjeçar humbi jetën, pasi u zu poshtë prej një masivi gurësh në galerinë e kromit të kompanisë “Kaci shpk” në Zonën D të minierës së Bulqizës. Sipas DVP Dibër, ngjarja ka ndodhur reth orës 12:10. ”Në galerinë e një miniere kromi, dyshohet se gjatë punës  është aksidentuar dhe për pasojë ka humbur jetën shtetasi F. K., 49 vjeç.”

Minatori që humbi jetën ishte babai i katër fëmijëve, me banim në fshatin Kokërdhak të njësisë administrative Fushë-Bulqizë.

Vetëm pak muaj më parë në galeritë e kromit në Selishtë të Dibrës humbën jetën 2 minatorë dhe një inxhinier minierash, teksa ishin duke punuar.

Shkak për aksidentet me pasoja fatale në miniera është mungesa e kushteve të sigurisë në punë, pasi prej vitesh në galeritë nuk investohet nga firmat që i shfrytëzojnë. Zona D ku ndodhi aksidenti, është cilësuar në vazhdimësi nga specialistët e minierës si më e pasigurta dhe me numrin më të lartë të aksdienteve të ndodhura në minierën e Bulqizës.

Bilancit tragjik të aksidenteve në miniera iu shtuan pesë të vdekur dhe 28 të plagosur gjatë vitit 2020, por vetëm gjysma e rasteve u inspektuan dhe hetuan nga AKSEM.

Qarku i Dibrës, ku ndodhet miniera e Bulqizës, mban vendin e dytë për numrin e lartë të aksidenteve dhe të fataliteteve në vendin e punës pas Tiranës. Gjatë vitit 2020, Inspektoriati Shtetëror i Punës raportoi se 7 persona humbën jetën dhe 27 të tjerë u aksidentuan në vendin e punës në këtë qark. Pesë prej viktimave ishin minatorë.