Bulqizë, makina përplas për vdekje të moshuarin, autori largohet nga vendi ngjarjes

2889
Vendi i aksidentit. Foto: Mahir Jangulli / Bulqizaime.al

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen u shënua mbrëmjen e sotme në rrugën e Arbërit, në segmentin Gjoricë – Maqellarë. Sipas njoftimit të Policisë, drejtuesi i mjetit që ka shkaktuar aksidentin është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa kanë qenë banorë të zonës që kanë njoftuar.

“Viktima dyshohet se është shtetasi R. R, rreth 69 – vjeç nga fshati Çerenec. Ai ka qenë duke lëvizur në këmbë drejt fshatit Gjoricë kur është goditur nga automjeti ende i paidentifikuar. Policia e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ka nisur hetimet dhe është vënë në ndjekje të drejtuesit të automjetit.” thuhet në deklaratën e DVP Dibër.

Në segmentin rrugor ku ka ndodhur aksidenti, ka qenë i bllokuar kalimi i automjeteve me grumbuj materialesh inerte, por prej ditësh ajo ka qenë e aksesueshme. I gjithë segmenti ka mungesë të sinjalistikës dhe barrierave mbrojtëse. Banorët e zonës e kanë ngritur vazhdimisht në media si shqetësim mungesën e sinjalistikës dhe shpejtësinë e lartë të automjeteve.

Përditësuar në orën 23:10

Policia ka arrestuar personin e dyshuar si shkaktar të aksidentit rrugor të ndodhur mbrëmjen e sotme në Gjoricë të Bulqizës, ku mbeti i vdekur një 69-vjeçar. Sipas njoftimit të Policisë, drejtuesi i mjetit që ka shkaktuar aksidentin “shtetasi N. D, duke drejtuar automjetin tip ‘Benz’, dyshohet se ka goditur shtetasin R. R,  69 vjeç.”