Një aksident rrugor u shënua mesditën e sotme në aksin që lidh Bulqizën me Peshkopinë, pranë Urës së Vocit. Dy automjete u përplasën kokë më kokë në kryqëzimin ku bashkohen rruga nga fshati Vajkal, hyrja e rrugës së vjetër për në qytet dhe segmenti i Rrugës së Arbërit. Si pasojë, të dy drejtuesit mbetën të plagosur dhe një prej automjeteve përfundoi jashtë rruge.
Fatmirësisht, të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën, por ky nuk është incidenti i parë në këtë zonë. Vetëm disa javë më parë, një mësuese humbi jetën teksa po kalonte rrugën në të njëjtin vend. Disa muaj më parë një i ri gjithashtu humbi jetën në po të njëjtin vend, duke e kthyer këtë kryqëzim në një nga pikat më të rrezikshme të qarkullimit në këtë aks.
Shkak i përsëritur për këto aksidente, mendohet të jetë mungesa e sinjalistikës, pamja e kufizuar për drejtuesit që dalin nga rrugët dytësore drejt Rrugës së Arbërit si edhe shpejtësia përtej normave të lejuara. Shtimi i fluksit të automjeteve në këtë nyje – sidomos me hapjen e plotë të rrugës së Arbërit – dhe pa ndërhyrje në infrastrukturën e sigurisë rrugore e ka kthyer këtë vend në një “pikë të zezë” në Bulqizë.

Vetëm 3 kilometra më larg ndodhet një tjetër segment problematik: hyrja e qytetit të Bulqizës nga Rruga e Arbërit, ku ndodhet ura që lidh Lagjen e Re me Lagjen e Vjetër. Kjo zonë është bërë shpesh vend përplasjeje, veçanërisht me këmbën e urës, e cila nuk është e pajisur me mbrojtëse anësore apo barriera të sigurisë. Edhe këtu, ndriçimi mungon totalisht, ndonëse bëhet fjalë për një nga pikat kryesore të qarkullimit në hyrje-daljet e qytetit. Disa persona kanë humbur jetën në këtë zonë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur.
Ndërkaq, 2 kilometra më tej, një tjetër pikë kritike gjendet në hyrje të tunelit të Qafës së Buallit, pjesë e Rrugës së Arbërit, ku ndodhet edhe degezimi për në Martanesh dhe zonën mineral mbajtëse D në Bulqizë. Ky segment përbën rrezik të vazhdueshëm për shkak të mungesës së sinjalistikës horizontale dhe vertikale, si dhe mungesës së ndriçimit në degëzimin dytësor. Drejtuesit e mjeteve, veçanërisht ata që nuk janë të njohur me terrenin dhe me përditësimin e hartave pas hapjes së tunelit e kanë të vështirë të orientojnë kthimet ose të kuptojnë ndarjen e korsive, çka shton mundësinë për aksidente, sidomos gjatë natës apo në kushte të këqija atmosferike.
Të tre këto pika brenda një segmenti prej më pak se 5 kilometrash në një nga akset kryesore të qarkullimit në Bulqizë kërkon ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse, për të rritur sigurinë rrugore dhe për të shmangur ngjarje tragjike në të ardhmen.
Pikat e zeza rrugore janë segmente të caktuara në rrugë ku ndodhin aksidente të shpeshta, shpeshherë me pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin. Këto zona identifikohen nga autoritetet në bazë të statistikave të aksidenteve dhe karakteristikave të rrezikshme të infrastrukturës, si mungesa e sinjalistikës, ndriçimit, mbrojtëseve anësore apo ndërprerjet e pasigurta të qarkullimit.
Në Shqipëri, pronësia dhe përgjegjësia për rrugët ndahet sipas rëndësisë së tyre. Rrugët kombëtare dhe ato interurbane janë pronë shtetërore dhe administrohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), një institucion në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. ARRSH është përgjegjëse për ndërtimin, mirëmbajtjen, mbikëqyrjen dhe menaxhimin e këtyre rrugëve. Ndërkohë, rrugët lokale dhe urbane janë në kompetencë të bashkive përkatëse.









