Bulqiza ime

2103
Fotografia e Ermir Balla

Nga Ermir Balla

E strukur nën mëngën e maleve hije lartë, e shtrirë në dyshekun e pasurisë dhe e mbuluar me batanijen e varfërisë, ndodhet Bulqiza, Bulqiza ime! Natyrshëm, më lind dëshira të shkruaj për vendlindjen time; të ashpër dhe cinike, por të bukur dhe të fortë. Shpeshherë, këtu në kryeqytet, më ndodh të takoj njerëz që nuk dinë asgjë për Bulqizën, dhe unë ashtu i çuditur mundohem t’jua shpjegoj sa më thjeshtë se çfarë përfaqëson Bulqiza, jo vetëm për Dibrën, por për të gjithë Shqipërinë. Dhe teksa të çuditurit bëhen ata, dhjetra pikëpyetje më prekin mendjen, përgjigjet e të cilave preferoj t’i shpreh këtu.

Në fakt, të jem realist, Bulqiza përmendet disa herë ne vit në media të ndryshme, por me tituj përafërsisht të njëjtë si, p. sh : ” Aksident në Bulqizë ,humb jetën minatori 25 vjeçar ” ose “Humb jetën në minierë babai i dy fëmijëve ” e shumë e shumë tituj të tjerë tragjik, që për teleshikuesit kjo ‘tragjedi’ ngelet brenda katrorit të televizorit, ndërsa për mua dhe bulqizakët e tjerë është reale, e përditshme dhe deri diku thjesht e zakonshme.

Mbreslënës është fakti se si ky rajon u bekua me një nëntokë të pasur duke ju dhënë mundësi bulqizakëve të bëjnë një jetë më se të kënaqshme, por më mbreslënës është fakti se si bulqizakët nuk i kapi ky bekim, biles për një pjesë të tyre u kthye në mallkim. Duhet thënë se ky bekim, duket sikur ka bërë kompromis me një pakicë të vogël, përbërja e të cilës shumica thuhet se janë politikanë dhe intelektualë, të tjerë jo fort bulqizakë. Ndërsa për të parë se sa i bekuar ndihet nje bulqizak, mjafton të shohësh rrudhat e një 60 vjecari në fytyrën e një 30 vjeçari bulqizak, të zhytur në realitetin e hidhur .

Vlen të përmendet se horrori i përditshëm që kalon një punëtor i minierës , horror që për punëdhënësin quhet punë ,punëtorin mbijetesë, për një njeri të zakonshëm ngelet horror .

Nëse do ta cilësoja ”film” këtë punë, jam i sigurt se fraza që do bëhej e famshme është ajo që minatori thotë çdo ditë para se të futet në minierë : ” O zot , na nxirr dhe sot të gjallë!”. Sa trishtuese! Trishtues është fakti që bulqizakut i duhet të punojë me rrezikun vetëm sa për të nxjerrë bukën e gojës, trishtuese, është ideja që fëmijët e minatorëve te vdekur, përveç faktit se kanë ngelur jetim, duhet të shqetësohen për mbijetesën dhe ndoshta të punojnë që në vogëli në të njëjtin vend që u mori të atin .Sa trishtuese!!! Dhe kur e mendon se të tjerë djersën e punëtorit e përdorin për të larë vendin ku do të vendosin paratë, para të cilat duhet t’u përkisnin bulqizakëve, stepem dhe ndjehem i pafuqishëm përballë një bote të hidhur, të maskuar dhe të mbërthyer nga ndërgjegja e shuar.

Përmes horizontit të zymtë të këtij shkrimi, u mundova t’ju jap përgjigje pikpyetjeve që ndodhen në mendjen time, apo të çdo bulqizaku që përjeton çdo ditë realitetin e hidhur, dhe jam i mendimit që pikpyetjet do vazhdojnë të mbeten të tilla, për sa kohë reja e padrejtësisë ka mbuluar Bulqizën.

Enkas për alb-info.com