Bulqiza dhe koncepti i regjionit gjeografik

1566
Bulqiza, Lagjia e Vjetër dhe Miniera e Bulqizës. Foto: Mahir Jangulli

Nga Adriatik Balla

Gjeografët francezë janë pararojë e interpretimeve teorike në fushën e Gjeografisë Regjionale dhe një kastë e shkëlqyer gjeografësh dhe ambientalistësh francezë kanë dhënë përkufizime të arrira për regjionin gjeografik, në kuptimin modern të tij. Në enciklopedinë franceze regjioni gjeografik përkufizohet si “hapësira ku krijohet një gjendje e caktuar e lidhjeve midis mjedisit dhe njeriut, si një moment në kursin e evolucionit, një harmoni e përkohshme e kësaj marrëdhënieje, funksionale dhe e përqendruar kryesisht rreth qendrave urbane, por me një kompleks bashkëveprimesh ekonomike, sociale, administrative etj”.

Por kulmin e përkufizimit të regjionit gjeografik e jep autori i njohur francez Paul Claval, që e konsideron regjionin “një ferment të ndjenjave njerëzore të identitetit, ndjenja që pavarësisht tendencës së fuqishme për unifikim, vijojnë të rriten dhe përforcohen”. Më kujtohet, që kur ishim studentë, që në punimin shkencor mbi Dukagjinin në qarkun e Shkodrës, që solli shoku im i mirë dhe i rrallë, Florian Fusha, nga anketimi që kishte bërë me banorët e zonës së tij rezultonte, si gjëja më e çmuar, krenaria e banorëve për përkatësinë e zonës. Kjo vlente në tërësi për zonat e thella malore, ku ashpërsia e natyrës dhe e njeriut shkojnë paralelisht, për të krijuar një binom të pandarë. Natyrisht punimi mori vlerë, sepse Floriani është gjeograf me talent të lindur, një gjeograf bio, dhe jo si këta gjeografët me hormone partie dhe pazaresh ordinere që kacavirren dhe pushtojnë tempujt e dijes në Shqipëri.

Pata parasysh pikërisht këtë konstatim shkencor të shkollës gjeografike franceze dhe Paul Claval-it, për të mundësuar veçimin e një hapësire gjeografike të vogël, por të ndryshme në shumë aspekte nga regjionet kufizuese, qoftë për nga tiparet natyrore, por edhe ato humane e shpirtërore, duke u fokusuar tek disa zhvillime të muajve të fundit në vendlindjen time, Bulqizë. Hedhja në letër e dy fjalëve për vendlindjen është ndoshta detyrë e gjithkujt, por, duke mbajtur parasysh principet e regjionit gjeografik, desha të kujtoj, për ju miq, ca gjëra në dukje të vogla por që e bënë Bulqizën shumë të madhe.

Protestë në mbrojtje të natyrës, një lëvizje avangardë në Shqipëri

Ndotja dhe dëmtimi i mjedisit në Shqipëri është sot një problem kombëtar. Dëmtimi i mjedisit (më saktë keqshfrytëzimi) sjell pakësim të resurseve, bërjen e tyre të papërshtatshëm për përdorim, braktisje të vendeve të punës, shpopullim dhe regres ekonomik. Duhej që lëvizjet për mbrojtjen e mjedisit të nisin në zona më të populluara, në zonat urbane e bregdetare etj. Duket e pabesueshme, por është e vërtetë: “flamurin” e mbrojtjes së mjedisit dhe natyrës në tërësi në Shqipëri po e marrin komunitetet që jetojnë në zonat e vogla periferike apo dhe në zonat e thella malore dhe nuk është rastësi. Sepse, siç thotë Paul Claval, lidhja e këtyre njerëzve me natyrën dhe vendlindjen është më e fortë. Bulqiza u bë pararojë e mbrojtjes së natyrës. Në disa protesta radhazi të organizuara në Fushë-Bulqizë dhe në qytetin e Bulqizës, banorët e zonës krijuan “bllok” të padepërtueshëm për marifetxhinjtë e tranzicionit që duan të shkatërrojnë pyjet dhe rrjetin hidrografik (ujin) në këtë zonë. Gjithkush e ka kuptuar që uji dhe pylli janë jetë dhe u përkasin banorëve vendas.

Protestë në mbrojtje të masivit pyjor “Sheshe Bulqizë” nga banorët e tre fshatra të Njësisë Administrative Fushë – Bulqizë. Foto: Mahir Jangulli

Madhështia e kësaj proteste nuk duhet parë nga numri i protestuesve, por shpirti i saj. Atë e bëri mbresëlënëse dhe inkurajuese në rang kombëtar përfshirja e grave dhe vajzave, që ishte një risi dhe ndoshta një krenari e madhe. Me të vërtetë Bulqiza e fitoi duelin e saj me abuzuesit, të çfarëdo ngjyre politike qofshin ata. Lufta nuk është fituar plotësisht, prandaj lipset që banorët të bëjnë rezistencë për të fituar çdo betejë, deri në fund. Dalja në skenë e lejeve për “HEC”-e në përrenjtë e Dushajve dhe të Kokërdhakut apo dhe përrenj të tjerë malorë që marrin ujërat nga liqenet akullnajore apo dhe burimet e fuqishme nëntokësore është një tjetër tentativë për të shkatërruar natyrën dhe vë në rrezik mjedisin dhe të ardhmen e vetë banorëve, prandaj abuzuesve u duhet treguar grushti. Le të shërbejë lëvizja popullore e Bulqizës për mbrojtjen e natyrës si sinjal kombëtar për mbrojtjen e diversitetit, pasurisë mbi e nëntokësore dhe mjedisit të pastër. “HEC”-et prodhojnë dritë, por “HEC”-eve të këtyre pazarxhinjve u vjen era korrupsion.

Minatorët, heronjtë e heshtur të nëntokës dhe miniera e shndërruar në “nëndetëse”

“Miniera krijoi Bulqizën dhe Bulqiza krijoi minierën”. Kjo fjali e inxhinierit të njohur Afrim Okshtuni ka shumë domethënie. Bulqiza vetë nuk ia ka pa hajrin kromit deri tani, por nëse Shqipëria është bërë e njohur në botë në aspektin minerar e ka falë kromit të Bulqizës. Miniera ishte objekt mburrjeje për byroistët e nomenklaturës së kuqe, por edhe burim të ardhurash për banorët vendas. Ajo vijon të jetë dhe sot një burim jetese për qindra e mijëra familje në njësitë administrative të Bashkisë Bulqizë. Por miniera po shfrytëzohet egër, ndërsa fitimet e mëdha shkojnë për pronarë e dallkaukë që jetojnë në luks në Tiranë. Nuk ka një taksë të njohur që nga fitimet e kromit të shkojë për të mira të përbashkëta në infrastrukturë, shëndetësi, arsim etj. Babëzia nuk njeh kufij, prandaj banorët e Bulqizës kanë protestuar disa herë për këtë “rregullore” që i ka përjashtuar ata nga fitimet e minierës, qoftë dhe në formën e një rente minerare për komunitetin e zonës. Miniera sot ka arritur thellësinë 200 m nën nivelin e detit, “një nëndetëse” që mbart jetë dhe vdekje. Prej kohësh Bulqiza e kërkon këtë të drejtë. Dhe e drejta e do që një përqindje e fitimeve të shkojnë për të mirën publike në komunitetin e zonës. Pa i bërë karshillëk shtetit (fundja shteti i yni është), le të ecet me parimin: “Kromi në Bulqizë, fitimet e kromit për Bulqizën”. Heronjtë e heshtur të nëntokës dhe familjet e tyre e meritojnë këtë. Me kromin e Bulqizës vishen furrnaltat e kombinateve anekënd botës, pajisjet elektronike të fjalës së fundit, mjetet e përdorimit shtëpiak, e deri tek raketat balistike me të cilat superfuqitë shantazhojnë njëra-tjetrën dhe botën mbarë. Po Bulqiza, cfarë po përfiton nga kromi?

Të rinjtë e Bulqizës, shpresa për ringritjen e vlerave atdhetare

Bulqiza nuk është një zonë e madhe, ka një territor të vogël malor, ku midis malesh e vargmalesh shtrihet tërthor një luginë e bukur, e pakrahasueshme, pjellore dhe mbi të cilën janë zhvilluar ngjarje historike të jashtëzakonshme. Mjafton të kujtojmë që shumica e betejave të fituara nga Skënderbeu janë zhvilluar pikërisht këtu dhe Marin Barleti ka bërë një përshkrim përrallor për “bigat” e Vajkalit, ku krahas lavdisë, ishte vendi ku Skënderbeu humbi 8 gjeneralë të tij në betejën e dytë të Vajkalit, të cilët u kapën peng nga osmanët e më pas u ropën së gjalli në Stamboll pasi nuk e tradhtuan kauzën e tyre të lirisë dhe besnikërinë për Heroin. Janë këto pjesëza të historisë së hershme, por edhe të sotmes, që farkëtojnë lidhjen e komunitetit me natyrën, për të krijuar kështu një ansambël unikal, të mrekullueshëm, një harmoni perfekte e njeriut me natyrën. Unë jam ndjerë mjaft krenar, jo vetëm kur isha vetë student, kur dëgjoja dhe dëgjoj për arritjet e bulqizakëve në të gjitha fushat, ku kanë spikatur për talentin e tyre në shkencat shoqërore dhe ekzakte, si mësues, inxhinierë, mjekë, agronomë, muzikantë, piktorë, skulptorë, ushtarakë etj. Edhe sot Bulqiza ka një rini aktive, e cila, në kushtet e reja të teknologjisë dhe shpërthimit të rrjeteve sociale, po japin kontributin e tyre për zonën. Duhen përshëndetur Sami Curri, Edison Balla, e shumë të tjerë, që po e mbajnë gjallë këtë frymë solidariteti dhe vlerash që Bulqiza i ka me shumicë. Ka plot të tjerë që kanë marrë iniciativa biznesi e madje dhe prej atyre që kanë ngritur bujtina, sic është “Kulla Hupi”, duke shfrytëzuar traditën, stilin e ndërtimit, mënyrën e jetesës dhe, natyrisht, diversitetin natyror për të mundësuar një biznes të veçantë që krahas punësmit vetjak, i jep vlerë zonës dhe e bën atë të njohur edhe jashtë Shqipërisë. Është, pra, kjo lidhje që forcon ndjesinë e përkatësisë dhe veçon regjionin gjeografik.

Bulqiza e tha fjalën e saj edhe në sport, vëllezërit Keta krenari dhe ambasadorë të sportit shqiptar në botë

E si të mungonte Bulqiza në sport? Nuk kemi shumë ekipe e as ndonjë numër të madh sportistësh, por Bulqiza ka sot ajkën e sportit kombëtar. Nga Bulqiza kanë dalë sportistë të rangut botëror. Vëllezërit Keta, falë talentit e punës së tyre, kanë shkruar faqe të ndritura suksesi në ringun profesionist, në sportet e kik-boksit dhe boksit, duke i dhënë Shqipërisë në përgjithësi e Bulqizës në veçanti një krenari të madhe. Është “Strategu” Ismail Keta, “Tajsoni i bardhë” Gjetan Keta, si dhe “Shkëmbi” Ferit Keta që me ndeshjet dhe fitoret e tyre, i kanë dhënë Bulqizës përmasa ndërkombëtare në sport. Ajo që i bën akoma më të suksesshëm dhe njerëzorë, është veprimtaria e tyre jashtë ringut, ku investojnë për Bulqizën, ngrenë zërin për të drejtat e saj, ndihmojnë sa mundin spitalin dhe zonën në tërësi, duke marrë përgëzime të pamata. Çdo ndeshje e tyre shoqërohet nga flamuri shqiptar dhe në fjalën e tyre për mediat, gjithmonë zë vend fjalia “Ne jemi nga Bulqiza”. Përfundimisht ambasadorët më të mirë të sportit shqiptar në botë.

Në foto: Ismail, Gjetan dhe Ferit Keta

Rruga e Arbrit, arterie që i jep jetë Bulqizës

Ka nisur më në fund, pas shumë peripecish dhe vështirësish, ndërtimi i Rrugës së Arbrit, një arterie që nuk i vlen vetëm Bulqizës dhe Dibrës, por ka përmasa kombëtare, sepse afron shqiptarët e Maqedonisë me Tiranën dhe Durrësin. Rruga është zhvillim, është jetë, është progres ekonomik dhe social. I ka munguar rruga Bulqizës dhe për të parë këtë vuajtje mjafton të kujtohen ato segmente gropa-gropa të rrugës Klos-Burrel, ku edhe guri del nga veshka. Rruga ka nisur dhe fillimi i mbarë është gjysma e punës. Shpresojmë të mbyllet sa më shpejt, pasi të mirat prej saj do të jenë kolosale dhe afatgjata. Me Rrugën e Arbrit do të “ringjallet” Bulqiza dhe jeta do të jetë më e mirë në këtë zonë.

Për ta mbyllur këtë artikull, i cili mori shkas nga zhvillimet e muajve të fundit në Bulqizë, nuk duhet lënë mënjanë roli i secilit për të bërë aq sa mundet për vendlindjen e tij. Sikurse është shprehur shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, që “asnjëherë nuk është vonë për të bërë diçka për vendin tënd”, gjithkush duhet të vërë nga një “tullë” për vendlindjen, që “kalaja” e së nesërmes të jetë më e madhe dhe më e fortë.