Bujqësi pa industri, si shtëpi pa çati

406
Fusha e Gjoricës, Bulqizë. Foto: M. Jangulli

Bujqësia shqiptare ka nevojë për një industri ushqimore moderne e cila të mos lejë të pikojë asnjë kokërr fruti në tokë.

Shënime të një agronomi që i ka jetuar kohët.

Lajme të para televizioneve tokësorë e satelitorë, tituj me germa të mëdha gazetash të printuara e portaleve mbirë si grami, me pamje njerëzish të dëshpëruar, zhgënjyer nga vetvetja e nga shteti, njerëz që bërtasin e thërrasin solo e në kor: “Ku t’i çojmë prodhimet?”.

Po, po. Vërtet ku ti çojnë mollët, patatet, domatet, specat, kastravecët, shalqinjtë, tamlin…

Kanë të drejtë.

Bashkohem me ta.

Si qytetar…

Si specialist i moçëm me përvojë më se një gjysmë shekulli…

Si emigrant, tash një çerek shekulli vështrim çandrash që mbështesin bujkun e bujqësinë në Evropë.

Shteti mungon në fshatin shqiptar.

Shteti nuk është i pranishëm as në mbjellje, as në rritje e as në vjelje prodhime arash, pemësh frutore e perimesh…

As në “vijën e parë”, as në “prapavijë”.

Kjo nuk do as mend e as kalem për ta fiksuar e shkruar.

Nuk ka pse të dalin ta thonë as Luli, as Meta, as Bardhi, as Berisha në dritaren e katit të 8-të…

Ata janë fryrë bullqijsh e plasën duke kakarisë “ki… ki… ri ku” si gjelat majë plehut se fajin e ka Rama a thua se ata nuk kanë qenë kurrë ”Ramë”, pse jo presidentë, ministra bujqësie, industrie etj. etj.

Vihen edhe në demonstrata në krye të fermerëve (mua më pëlqen ti quaj bujq se me bujqësi merren). U dhëmbin domatet, specat, kastravecët, shalqinjtë, bostanet, patatet, mollët, qepët… grumbuj – grumbuj rrugëve e ngastrave.

U dhemb qumështi që zbardh asfaltet…

Edhe mua më dhëmbin.

Janë mund dhe djersë njerëzish nga më punëtorët e vendit, njerëz që mëngjesin e gdhijnë në arë e dita e tyre nuk njeh ngrysje. Dita për ta ka vetëm mëngjes…

Dua që ato pamje mos i shohë as objektivi i kamerave televizive, as syri i bujqve. Pa le i politikanë në karrige e në rrugë.

Dua, por është e pamundur në kushtet kur bujqësia është shtëpi pa çati, nuk ka as vijë e as prapavijë.

Dua, por është e pamundur kur shteti nuk ka as sy, as veshë, as zë për zhvillimin bashkëkohorë të bujqësisë.

Një pyetje do tu bëja atyre lart me gojë të hapur çorap e me xhep të qepur me pe të zi mbi rrobë të bardhë:

Pse për prodhimin e rrushit nuk bën askush demonstratë, nuk bërtet e thërret “ku ta çojmë”?

Për të, për atë që vjen pas shkeljes me këmbë e fermentimit të tij bëhen festa madhështore “rakie Skrapari” me prani ministrash turizmi e pijetarësh të pasionuar të verës e rakisë?.

Pse për mollën nuk bëhet një festë po e të njëjtës madhësi me “Sidër molle”, me “uthull molle” aq të preferuar e të vlerësuar me çmim të lartë në tregun evropian?

Pse për domaten nuk bëhet një ekspozitë e madhe me kavanoza me “lëngë domateje”, “salcë domateje”, “turshi domateje”, “domate të thara”?…

Pse në tregun shqiptar kanë bërë vend “Speca djegëse me salcë kosi”, Kosove, “Kastravecë turshi” Bullgarie, konserva frutash e perimesh Greqie, Turqie e Italie ?

Dhe asgjë Shqipërie?

Një përvojë imja si specialist bujqësie…

Në vitin 1966, agronom në sektorin e qendrës të ndërmarrjes bujqësore të Dibrës, përjetova gëzimin e frutave të kumbullave mbjellë nën drejtimin tim në mars 1960 si agronom i mesëm. Kumbullat “Roza gjigande”, frut tavoline, kishin aq ngarkesë sa i mbanim me çandra degët që të mos thyheshin.

U poqën…

I volëm…

I vumë në arka…

Prisnim që ndërmarrja tregtare në Tiranë, sipas kontratës, të vinte ti merrte.

Nuk erdhi as ditën e parë, as të dytën, as të tretën. Kumbullat nën diellin përvëlues të gushtit u qullën e nisën të kalbeshin.

Letrat anonime “1200”-sha zgjuan prokurorinë…

Ndërmarrja ushqimore e Peshkopisë ende ishte një punishte me kapacitet të ulët grumbullimi…

Kërkova që të ngrinim vetë një punishte për fermentimin e frutave dhe prodhimin e rakisë.

Ma refuzuan…

Rakia, për shkaqe fetare, nuk ishte në sofrën e Dibrës së Poshtme.

Këmbëngula, madje lirova dhomën ku flija për punishte.

Më në fund prodhimet jashtë standardi të frutave të sektorit morën rrugën e fermentimit. Një ndër specialistët më të mirë të Dibrës i shndërroi ato në raki…

Rakia e Ndërmarrjes Bujqësore të Dibrës atë vit pak doli në treg. E gjitha shkoi për eksport.

Kur prodhimi i frutave: kumbullave, mollëve, dardhave, qershive, vishnjave… njohu prodhimin e mbi dyqind mijë rrënjëve frutore në prodhim, punishtet e NB Dibër në katër sektorët, nga “frutat mbetur në fushë” konkurronin me cilësi rakie mbi atë të Ndërmarrjes Ushqimore. Kërkesa për “Raki NB-je“ ishte në krye të tavolinës.

Ato që shkrova nuk ishin “Dibrane”, por mbarë kombëtare në kooperativa dhe ndërmarrje bujqësore. Si student e kisha mësuar në praktikat mësimore e prodhuese në një hapësirë të gjerë shqiptare.

Kultura bujqësore që pas kishin një industri të tërë që punësonte qindra mijë punëtorë në qytete e kooperativistë në fshat, si pambuku, panxhari, duhani etj. tashmë janë shuar. Janë shuar e shkatërruar në themele edhe fabrikat që i mbështesnin ato si kombinatet e tekstileve në Tiranë, Berat, Korçë (pambuku), Fabrika e sheqerit në Maliq (panxhari i sheqerit), fabrikat e cigareve (duhani), kombinatet ushqimore në Tiranë e fabrikat në rrethe (perimet, frutat), qendrat e grumbullimit dhe përgatitjes për eksport të bimëve medicinale etj., etj…

U shkul themelesh edhe Ndërmarrja Ushqimore e Peshkopisë me kapacitet përpunues 100 mijë kuintal fruta e perime në vit, me makineri e pajisje gjermane për sidrën e mollës gjermane…

Prodhimi i drithërave: grurit, misrit, orizit e bashkë me ta industria përpunuese janë në kufij minimalë ose edhe të shuar fare (orizi).

Shtyllës që mbështeste prodhimin bujqësor, institutet e grurit, misrit, patates, perimeve, lulediellit, orizit, drufrutorëve, agrumeve, ullirit, foragjereve… i janë shkulur fizikisht themelet duke e bërë Shqipërinë të parin vend në botë pa institucione shkencore për bujqësinë.

Agronomi, zootekniku, veterineri, inxhinieri i pyjeve është profesioni më i diskriminuar, pa zë në prodhimin bujqësor e i papranishëm në shkencën e prodhimit bujqësor e në shkencat agrare.

Kopshtaria është fytyra e ditës e bujqësisë shqiptare, amatorizëm i shprehur në sera prodhim perimesh, në ngastra 1-2 hektarësh në prodhimin e shalqirit, patateve, qepëve, mollëve, dardhave, qershive, vreshtave…

Në këtë pamje bujku është katandisur si kau kur i bihet kokës me hosten për të tërheqë parmendën në hulli. Mbjell pa e ditur se ku ta çojë prodhimin. Shpenzon miliona për ndërtimin e serave, mbjell se sheh ministrin e bujqësisë të përgëzojë një fermer luleshtrydhesh apo domatesh pa e ditur se të njëjtën gjë bën edhe fqinji në anën tjetër të kanalit, edhe në fshatin pranë, edhe në tërë fushën bregdetare ku natyra i ka dhënë 300 ditë me diell për të zhvilluar prodhimin bujqësor.

Bujku sheh “anash”, bëhet kopjues më i zellshëm se nxënësi në provimin e matematikës. Mbjell suksesin e tjetrit pa e ditur se të njëjtën gjë ka bërë edhe fqinji i tij, edhe fqinji i fqinjit të tij. Vjen një vit që tërë fusha shalqinj mbillet. Tërë serat domate, kastravecë, kunguj, lakra, luleshtrydhe mbillen.

Dhe të gjithë kërkojnë treg.

Shqipëria është e vogël, madje zvogëlohet çdo ditë aq sa në gjysmën e popullsisë ka mbet. Tregu evropian ka kërkesa të forta. Në plehërimin kimik e në pesticide është futur dreqi e i biri. Askush nuk e merr vesh se çfarë elementësh të ndaluar e të rrezikshëm për shëndetin hyjnë në bujqësi e dalin në pjatën tonë. Media u vjen në ndihmë duke përcjellë mbrëmjeve “bostane me kancer”.

E ndërsa me të madhe bërtitet për “kalbje prodhimi” Bullgaria prodhon sidër molle, uthull molle e të tjera nga “mollët e Korçës”. Siç më shkruan një nip imi shofer maune në kombinatin e përpunimit të frutave në Bullgari ka pritje të gjatë për shkarkimin e prodhimit jashtë standardit të mollëve…korçare.

Bujqësia shqiptare ka nevojë për subvencionim nga shteti për çdo kilogram grurë, misër, perime, fruta…

Pa subvencionim nuk ka bujqësi për të ardhmen.

Pa kooperim, bashkim tokash që fusha e Myzeqesë (dhe të gjithë fushat e Shqipërisë) të bonifikohen, të ujiten, të mekanizohen me parametra bashkëkohorë evropianë e botërorë e ardhmja moderne e bujqësisë shqiptare është larg, tepër larg…

Bujqësia shqiptare ka nevojë për një industri ushqimore moderne e cila të mos lejë të pikojë asnjë kokërr fruti në tokë.

Shteti duhet të marrë vetë përsipër (ose të stimulojë bizneset) për rihapjen e fabrikave dhe kombinateve të përpunimit të prodhimeve bujqësore; frutave, perimeve, patateve, panxharit etj. për ndërtimin me teknologji bashkëkohore të fabrikave të reja.

Shteti duhet të shënjojë “vijën” e së ardhmes së bujqësisë dhe të mbështesë “prapavijën e saj”.

Subvencionimi i prodhimit dhe ngritja e një industrie moderne përpunuese ushqimore përbëjnë “çatinë e shtëpisë”, çati që na jep mundësime të hyjmë brenda, të ulemi në odat e saj dhe të shohim të ardhmen e zhvillimit intensiv të një bujqësie bashkëkohore evropiane e botërore.

Është koha për të ngritur kokën e parë larg e më lart.

Brezat nesër nuk do të na e falin atë që bëhet sot, neglizhencën me bukën e ditës.

______
Abdurahim Ashiku

Agronom, ish pedagog i bimëve të arave.