“Beteja e kot” e Dibrës

913
Fshati Zerqan. Foto: N. Mehmeti / Bulqizaime.al

Në librat e historisë, ndër betejat e kota të bëra nga Musolini – të bëra thjeshtë nga arroganca dhe fodullëku i tij – është edhe beteja e Dibrës.

Beteja e Dibrës në prill 1941, ndonëse e lënë në heshtje nga historiografia zyrtare shqiptare dhe më gjërë, u zhvillua nga data 3 prill deri në 11 prill të vitit 1941 në luginën e Drinit, në zonën ndërmjet Zerqanit dhe qytetit të Dibrës (Sot Dibra e Madhe në Maqedoninë e Veriut).

Luftë që shkatoi jo vetëm me qindra të vdekur nga të dyja palët; italiane dhe jugosllave, por shkaktoi humbje të shumta njerëzore dhe dëme materiale ndër popullsinë shqiptare, këtej e andej kufirit.

Quhet luftë e kot sepse u zhvillua me urdhër të Musolinit, vetëm për t’u treguar gjermanëve se sa i aftë është ai dhe ushtria e tij edhe pse ushtria gjermane, po marshonte nëpër Jugosllavi me ritme të përshpejtuara dhe pa hasur asnjë pengesë.

Me urdhër të Musolinit, me 1 prill 1941, Divizioni Itali “Cuneense” që po organizohej për të sulmuar Këlcyrën, u transferua me urgjencë në Zeqan, me objektiv zyrtar për të mbyllur luginën e ngushtë të Zerqanit, kjo në rast sulmi nga ana jugosllave drejt Tiranës (Linja blu).

Më 3 prill, trupat italiane të këtij divizioni, batalionet “Pieve di Teco” me makina dhe “Ceva” e ” Mondovi” në këmbë mbërritën në Zerqan.

Më 8 prill 1941, dy ditë pasi Gjermania i kishte shpallur luftë Jugosllavisë dhe po marshonte kudo pa hasur rezistencë, trupat italiane të sapo ardhura së bashku me divizionet “Firence” dhe “Puglie” u vendosën në formacion lufte në formë pince nga Qafa e Prevallit e deri në Pocest.

Më 9 prill, trupat italiane të ndara në dy kolona, njëra nga veriu e tjetra nga jugu, marshuan drejt qytetit të Dibrës (2 linjat e kuqe).

Kushtet klimatike shumë të këqija, reshje të shumta dëbore, acar dhe mjegulla e dendur që pengonte shikimin vështirësonin tej mase ecjen përpara.

Ndonëse trupat gjermane, ndërkohë kishin marrë qytetin e Prilepit, vetëm 85 km në vijë ajrore në lindje të qytetit të Dibrës dhe po marshonin pa pengesë në drejtim të qytetit të Dibrës nga lindja, trupat italiane për dy ditë mbetën të bllokuara nga ushtria jugosllave dhe zjarri i artilerisë, dhe nuk arritën të bënin asnjë hap përpara.

Më 11 prill 1941, me kapitullimin e ushtrisë jugosllave tek ushtria gjermane, dhe ndërprerjen e luftimeve, ushtria italiane mundi të hynte në qytetin e Dibrës.

Dy ditë luftime të kota, thjeshtë nën moton e Duçes: ” Do i thyejmë kockat armikut dhe do i tregojë Hitlerit se kush është ushtria italiane”!

Ushtria Italiane e përgjysmuar dhe e demoralizuar pas gjashtë muaj humbjesh me ushtrinë greke, i shpalli luftë Jugosllavisë, duke sulmuar në Dibër dhe në Koplik. Në Koplik u thye dhe trupat jugosllave arritën deri në Vrakë dhe rrezikuan Shkodrën, kurse në Dibër nuk bënë asnjë hap përpara, por rrezikuan thyerjen dhe lënien e lirë të rrugës për në Tiranë.

Përparimi në mënyrë të përshpejtuar i ushtrisë gjermane, solli kapitullimin e trupave jugosllave dhe shpëtoi italianët nga thyerja e plotë.