Bashkitë pa kryetar, Meta nis procedurat për zgjedhje të parakohshme

670
Ilir Meta në konferencë për shtyp këtë të premte.

Në një konferencë për shtyp, këtë të premte, ndër të tjera, presidenti Ilir Meta foli edhe për zgjedhjet lokale të vitit 2019-të dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Për Metën, Kushtetuesja nuk mori asnjë përgjegjësi, duke mos dhënë një përgjigje përfundimtare.

“Lidhur me zgjedhjet e 30 qershorit 2019, kur prisnim që gjykata kushtetuese t’i rikthente popullit mundësinë për të shprehur vullnetin e tij, gjykata do të duhej të kishte një vendim përfundimtar mbi zgjedhjet lokale, ndërsa kjo gjykatë nuk mori asnjë përgjegjësi. Vendosi të rrëzojë kërkesën e shoqatës së bashkive, duke shpallur veten jo kompetente për shqyrtimin e këtyre rasteve, duke e lënë këtë çështje pa një zgjidhje përfundimtare”. tha Meta.

Më tej, Meta u shpreh se disa anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, ka të dhëna se kanë kryer disa shkelje të rënda profesionale dhe etike që cenojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit. “Shkelje me mënyrën që konsistojnë me mënyrën e caktimit të relatorit të çështjes. Nuk rezulton të jetë hedhur proceduralisht shorti për caktimin e relatorit”, tha Meta.

Në vijim, Meta theksoi se ka nisur procedurat për t’i dhënë zgjidhje qeverisjes vendore në bashkitë pa kryetarë.

“Duke konstatuar disa bashki nuk po funksionojnë siç duhet, ju bëj me dije se kam filluar procedurat për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate. Kam kërkuar informacion për faktin se kush janë ato bashki në të cilat gjatë kësaj periudhe, sipas informacionit dhe vlerësimit, kryetarëve të bashkive u ka përfunduar mandati në mënyrë të parakohshme”, tha Meta.

Sipas Metës, Presidenti nuk ka nevojë të konsultohet me askënd, për arsye se nuk kemi të bëjmë me zgjedhje të përgjithshme. “Këto duhet të ishin bërë me kohë”, tha ai.

Bashkitë pa kryetar:

Shkodër, pasi Valdrin Pjetrin e kapi dekriminalizimi

Vorë, pasi Agim Kajmakun e dogji dekriminalizimi

Durrës, sepse Valbona Sako dha dorëheqjen pas tërmetit

Rrogozhinë, sepse Haxhi Memolla ndërroi jetë

Dibër, sepse Dionis Ymeri dha dorëheqjen të kandidonte për deputet

Lushnjë, sepse Fatos Tushe u shkarkua nga Rama pas arrestimit për korrupsion