Bashkia Bulqizë shpenzoi mbi 15 mijë euro për telefoninë e administratës drejtuese në tre vite

1101
Grafikë ilustruese nga Bulqizaime.al.

Mbi 1.45 milionë lekë, ose rreth 15 mijë euro, janë shpenzuar nga Bashkia Bulqizë vetëm për shërbime telefonike në një periudhë trevjeçare. Kjo rezulton nga të dhënat zyrtare të pagesave të Thesarit ndaj ONE ALBANIA. Në total janë kryer 36 transaksione, nga marsi 2023 deri në janar 2026, me vlera mujore që variojnë nga rreth 23 mijë lekë deri në mbi 59 mijë lekë të reja.

Pagesat kanë ndjekur një trend rritës sidomos gjatë viteve 2024 dhe 2025, ku faturat mujore kanë kaluar shpesh nivelin e 50 mijë lekëve, duke reflektuar një kosto gjithnjë e më të lartë për shërbimet e komunikimit të administratës vendore. Vetëm në periudhën prill–tetor 2024, shpenzimet mujore për telefonin kanë qenë mesatarisht mbi 52 mijë lekë, ndërsa gjatë vitit 2025 janë stabilizuar rreth 46–48 mijë lekë në muaj.

Këto pagesa nuk lidhen me shërbime direkte për qytetarët, por kryesisht me shërbimet e telefonisë dhe internetit për administratën dhe për drejtuesit e institucionit. Referuar strukturës së pagave, rreth 50 drejtues përfitojnë paga që arrijnë deri në 240 mijë lekë në muaj, ndërsa nënkryetarët, drejtorët dhe administratorët paguhen nga 140 mijë deri në 185 mijë lekë në muaj. Në këtë kontekst, shpenzimet për telefonin, edhe pse në dukje modeste krahasuar me fondin e përgjithshëm të pagave, pasqyrojnë një problem më të gjerë të menaxhimit të kostove operative.

Transaksione Thesari

Referuar paketave standarde të operatorëve celularë, tarifat mujore për minuta dhe internet variojnë mesatarisht nga 1,200 deri në 1,500 lekë për përdorues.

Ky shpenzim për telefoninë e administratës drejtuese është i ndarë dhe nuk përfshin kontratat e veçanta për shërbime interneti. Për shembull, Bashkia Bulqizë ka realizuar një tender të veçantë për “Shërbim Interneti për bashkinë Bulqizë dhe institucionet në varësi të saj”, me vlerë 690,000 lekë.

Për një bashki me buxhet të kufizuar si Bulqiza, çdo zë shpenzimi i vazhdueshëm, përfshirë komunikimet telefonike, shton “presionin” financiar mbi një buxhet që tashmë shkon deri në rreth 76% vetëm për shpenzime personeli dhe operative, duke ngushtuar hapësirën për investime dhe shërbime publike.

Shpenzimet e Bashkia Bulqizë për telefoninë e drejtuesve rezultojnë më të larta edhe në nivel qarku.

Të dhënat tregojnë se bashkitë e tjera kanë një strukturë ndryshe shpenzimesh. Bashkia Mat, për shembull, nuk rezulton të ketë fatura për telefoninë e drejtuesve, por pagesat ndaj ONE ALBANIA lidhen me shërbime specifike teknologjike, si mirëmbajtja e sistemit SMS për parkimin e automjeteve dhe komisionet për këtë shërbim, me vlera që variojnë nga rreth 5 mijë deri në 44 mijë lekë. Ndërkohë, Bashkia Dibër ka shpenzime mujore për shërbime telefonike, por në nivele relativisht të qëndrueshme, kryesisht nga 31 mijë deri në 37 mijë lekë, të deklaruara si fatura përmbledhëse për administratën. Ndryshe nga këto raste, Bashkia Klos nuk rezulton të ketë asnjë pagesë të regjistruar për shërbime telefonike të këtij lloji.

Në pushtetin vendor, rregullat për mbulimin e shpenzimeve të telefonisë janë më fleksibël sesa në administratën qendrore, pasi përcaktohen me vendim të Këshillit Bashkiak ose me urdhër të Kryetarit të Bashkisë.

1.45 milionë lekë për telefonat e drejtuesve, në kontrast me pagat e larta në Bashkinë Bulqizë