Banka Botërore: Zonat ku bashkëjetojnë të pasurit e të varfërit e Shqipërisë, ja Bulqiza

465

Ndryshe nga jashtë ku zona të caktuara njihen si “zona e pasanikëve” në Shqipëri këto janë në formim e sipër dhe për momentin aty jetojnë të varfër e të pasur.

Studimi është i bazuar në Censusin e vitit 2011 dhe Anketën e Matjes së Nivelit të Jetesës 2012, po ashtu dhe në vëzhgimet me familjet për pjesën më të madhe të rajoneve dhe i është përshtatur ndarjes së re territoriale me 61 bashki, por duke ruajtur dhe ndarjen e vjetër me 373 njësi vendore, në mënyrë që të prodhojë rezultate, që janë më domethënëse për politikëbërjen sot.

Pas Farkës, vendi me pabarazinë më të madhe është Lezha. Më pas renditet sërish një komunë e Qarkut të Tiranës, Dajti (edhe kjo një zonë e preferuar për vila), të ndjekur nga qytetet e Durrësit, Sarandës, Tiranës, Vlorës. Dhe komuna me pabarazinë më të ulët në vend është Kalis në Kukës, ku janë të gjithë të varfër.

Tirana

Për qarkun e Tiranës, pas Farkës dhe Dajtit, pabarazia më e lartë është brenda në qytet, ndërsa më e ulëta është në zonat që janë edhe më të varfëra si Zall Bastar, Baldushk, Shëngjergj.

Kukësi

Kalisi është gjithashtu dhe zona me varfërinë më të lartë në vend, ku gati 40% e banorëve janë të varfër. Kukësi ka absolutisht njësitë më të varfra në Shqipëri. Nga 10 komunat më të varfra në vend, 7 prej tyre ndodhen në Kukës dhe 3 të tjerat në Librazhd, Dibër e Tropojë, nga 373 njësitë vendore.

Jugu

Në të kundërt, zonat me varfërinë më të ulët në vend ndodhen në Jug të vendit, në Gjirokastër. Komuna më pak e varfër në Shqipëri është Zagoria, ku niveli i varfërisë është vetëm 2.5%. Nga 10 njësitë më pak të varfra, 7 janë në Gjirokastër dhe 3 të tjerat në Korçë, Sarandë e Përmet.

Po në Gjirokastër janë dhe njësitë që kanë konsumin më të lartë për frymë në vend, ku kryesojnë Zagoni, Pogoni, Odrie, Antigona, Dropulli i Sipërm, qyteti i Gjirokastrës etj.

Varfëria, sipas ndarjes së re territoriale

Raporti bën një përshkrim të varfërisë edhe sipas ndarjes së re territoriale, me 61 bashki. Niveli më i lartë i varfërisë është në Komunën e Kamzës (rreth 24%), ndjekur nga Komuna e Hasit (23.3%) dhe Komunën e Kukësit (23.2%). Niveli më i ulët i varfërisë është regjistruar në Komunën e Pustecit (5%), Libohovë (6.7%) dhe në Gjirokastër (6.8%).

Komunat me numrin më të madh të të varfërve janë komunat e Kamzës (24.695), Durrësit (27.773) dhe Bashkia e Tiranës (55.561). Numri më i ulët i të varfërve është regjistruar në Komunën e Pustecit (158), Libohovë (246) dhe Dropull (273).

Niveli më i ulët i konsumit mesatar mujore për frymë ishte në komunat e Kukësit (7067 lekë), Hasit (7.192 lekë) dhe Dibrës (7,232 lekë).

Ndërsa konsumi më i lartë mujor për frymë ishin në komunat Libohovë (10.895 lekë), Pustec (11213 lekë) dhe Gjirokastër (11,215 lekë).

Komunat me nivelin më të ulët të pabarazisë (sipas koeficientit Gini) ishin Bulqiza, Kukësi dhe Dibra, që e kanë këtë koeficien më të ulët se 8%, si dhe niveli më i lartë është në bashkitë e Vlorës, Durrësit dhe Sarandës, rreth 27%.