Balfin njofton zyrtarisht shitjen e Albchrome te turqit e Yildirim

1143
Miniera e kromit në Bulqizë.

Grupi Balfin njoftoi të mërkurën se kishte përfunduar transferimin e pronësisë së kompanisë Albchrome Holding te shoqëria turke Yildirim International Mining Investments B.V. Albchrome zotëron që prej vitit 2013 koncesionin më të madh minierar të kromit në Shqipëri në zonën e Bulqizës, fabrikën e pasurimit në Burrel, fabrikën e ferro-kromit në Elbasan, si edhe Vllahen Mining. “Marrëveshja është nënshkruar nga përfaqësues të të dyja palëve dhe procesi përfundoi në 14 janar 2022.” thuhet në njoftimin e Balfin të shpërndarë për mediat.

Në njoftimin e grupit Balfin, thuhet se ky zhvillim nuk do të ndikojë tek punonjësit, pasi përfaqësuesit e Grupit Yildirim, janë angazhuar të mos prekin personelin.

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës e konsideroi këtë ndryshim kontrolli mbi minierën e Bulqizës si jo të rëndësishëm për punëtorët që asnjëherë nuk janë pyetur për problemet që ka sektori.

“Kompania AlbChrome e Samir Manes po ikën nga Bulqiza. Mori shumë nga ajo minierë: mori kromin e bulqizakëve dhe të gjithë shqiptareve, por më e keqja është se mori edhe 9 jetë minatorësh”, thuhet në një deklaratë të SMBB-së shpërndarë në rrjetin social Facebook disa javë më parë kur u mësua shitje e kompanisë Albchrome Holding.

Bulqizaime.al mëson se drejtori ekzekutiv i AlbChrome, Luan Saliaj ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i kompanisë, pak ditë më parë se të kalohej edhe zyrtarisht pronësia te shoqëria turke “Yildirim International Mining Investments B.V.”

Në njoftimin e Grupit Balfin, thuhet se janë kryer investime për futjen e teknologjisë së re dhe rehabilitimin e punonjësve. “Totali i investimeve arrin vlerën 67 milionë dollarë amerikanë, ku përfshihen investime madhore edhe gjate viteve 2020-2021, me qëllim rritjen e kapacitetit prodhues dhe efikasitetit me kosto më të ulët, për të arritur tek procesi i punës dhe produkti përfundimtar i optimizuar.” thuhet në njoftimin e Grupit Balfin.

Albchrome Holding zotëron pjesën më të madhe të zonës krom-mbajtëse të Bulqizës me koncesion deri në vitin 2040. Aksionet e kompanisë kanë ndërruar disa duar. Në vitin 2001 ishte kompania italiane “Darfo” që kishte fituar të drejtën koncesionare për shfrytëzimin e pjesës më të madhe të rezervave të kromit dhe prodhimin e ferro-kromit në Shqipëri për 30 vjet, përfshirë minierën e Bulqizës dhe fabrikën e pasurimit në Burrel, si dhe fabrikën e ferro-kromit në Elbasan.

Në vitin 2007-të Albanian Chrome në atë kohë pjesë e grupit austriak “Deco Metal” hyri në tregun shqiptar, pasi bleu të drejtat koncesionare të kompanisë italiane “Darfo”. Këta të fundit u larguan në vitin 2013-të, pas një sërë protestash nga sindikatat e kohës për pagat dhe kushtet e punës. Në janar të vitit 2013-të Balfin sh.p.k bleu 100% të aksioneve. Në korrik të vitit 2016-të, Kuvendi zgjati edhe me 10 vjet të tjera afatin e koncesionit të minierës së kromit në Bulqizë, për kompaninë private ACR Holding si pjesë e Balfin Group.

Pavarësisht kompanive që patën nën kontroll minierën, ajo ka pasur në vijim probleme të sigurisë në punë dhe u akuzua se fundmi për përpjekje për të bllokuar krijimin e një sindikate jashtë kontrollit të saj. Albchrome shkarkoi kryetarin dhe disa prej themeluesve të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, menjëherë pas krijimit të saj. Të paktën dy prej shkarkimeve u gjetën nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi të lidhura me veprimtarinë sindikale.

Në njoftimin e Grupit Balfin thuhet se në drejtimin e saj, Miniera e Bulqizës ka rritur standardet e shëndetit dhe sigurisë dhe është ulur numri i incidenteve shëndetësore të lidhura me punën.

Grupi Balfin njofton se vazhdon të jetë aktiv në industrinë e minierave dhe shkrirjes së mineraleve me kompaninë “New Co Ferronikeli” në Kosovë.

Shoqëria Yildirim International Mining Investments B.V. që do të jetë blerësi i ri i koncesionit të Minierës së Bulqizës është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e regjistruar në Holandë, pjesë e grupit turk Yildirim, që operon në një numër të madh industrish si metalurgji dhe miniera, energjetikë dhe prodhimin e plehrave kimike.