Asfalti elektoral, Bashkia Bulqizë nis shtrimin e rrugëve dy muaj para zgjedhjeve

860
Rruga e shtruar në Gjoricë ne vitin 2022. Foto: Bulqizaime.al

Kur na ndajnë afro dy muaj nga mbajtja e zgjedhjeve lokale, Bashkia Bulqizë ka nisur një sërë procedurash tenderuese për shtrimin e rrugëve me asfalt.

Në Agjencinë e Prokurimit Publik për harkun kohor të pak ditëve janë shpallur shtatë procedura, konkretisht: Asfaltimin e rrugës në lagjet Keta, Tançe, Hoxha dhe rrugës kryesore në Vajkal. Fazën e dytë për asfaltimin e rrugëve në Fushë-Bulqizë dhe në Sopot të njësisë administrative Zerqan. Asfaltimin e rrugës së varrezave në Bulqizë dhe atë të fshatit Krajkë. Edhe në njësinë administrative Shupenzë janë planifikuar dy rrugë, ajo e lagjes Kulle në Okshatinë dhe fazën e parë të punimeve për rrugën që të dërgon në tyrben e Bllacës.

Në total, investimi për shtrim rrugësh vetëm dy muaj para mbajtjes së zgjedhjeve vendore do të kushtojë afro 118 milionë lekë të reja (afro 1 milionë euro). Për disa nga procedurat tenderuese është njoftuar fituesi dhe është lidhur kontrata, ndërsa për disa të tjera është njoftuar procedura.

Referuar të dhënave për projektet kryesore të planifikuara në buxhetin e bashkisë bulqizë për vitin 2023, rezulton se pagesat për këto projekte rrugësh, por edhe në të tjera, do të jenë të shtrira në disa vite. Fillimisht në buxhet thuhet se do të paguhet vetëm 20% deri në 40% e vlerës, ndërsa pjesa tjetër për vitin 2024 dhe në disa raste edhe 2025.

Por edhe pse po harxhohen miliona lekë për asfaltimin e rrugëve, në një pjesë prej tyre që konsiderohen të përfunduara, cilësia e punimeve është shumë e dobët. Konkretisht rruga që lidh Gjoricën me rrugën e Arbërit, thuajse është dëmtuar në të gjithë gjatësinë e saj, mbushur me gropa të shumta. Në Sopot, rruga nuk ka asnjë barrierë dhe kanalet kulluese nuk janë askund. Mos sistemimi i anësoreve, ka sjellë që një pjesë e dherave të bien në rrugë. Ndërsa në Fushë-Bulqizë, asfalti nuk duket askund, edhe pse është njoftuar nisja e fazës së dytë të punimeve.