Arrestuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre, Këshilli i Ministrave shkarkon zyrtarisht Lefter Allën

1037
Ish- kryetari i bashkisë Bulqizë, Lefter Alla. Foto: Llogaria zyrtare në Facebook

Pas arrestimit me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, Lefter Alla nuk do të jetë më edhe zyrtarisht kryetar i bashkisë së Bulqizës. Me vendim të Këshillit të Ministrave, publikuar këtë të premte datë 24 mars, u vendos shkarkimi i Allës, vendim ky që hyn në fuqi menjëherë. Në mungesë të Kryeministrit Rama, vendimi është firmosur nga zëvendëskryeministri, Belinda Balluku. Kjo e fundit mban njëherësh edhe pozicionin si drejtuese politike e Partisë Socialiste për qarkun Dibër.

“Në mbështetje të neneve 100 e 115, pika 1, të Kushtetutës, dhe të shkronjës “a”, të nenit 62, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave vendosi: Shkarkimin nga detyra, për shkak të shkeljeve të rënda, të kryetarit të Bashkisë Bulqizë, z. Lefter Alla”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Në zgjedhjet vendore të 14 majit, Partia Socialiste do të hyjë në garë me 2 kryebashkiakë aktualë në qarkun Dibër, konkretisht: Agron Malaj në Mat dhe Rahim Spahiu në Dibër. Ndërsa në Klos me Valbona Kolën. Pas arrestimit të kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla, PS akoma nuk ka një emër.

Gjykata e Posaçme vendosi arrest me burg Allën, akuzuar për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera. Në seancë, Alla e konsideroi si gjyq politik dhe se më mirë do të ishte që ti kërkohej të “hapte krahun” se të niste një proces i tillë. Ai mohoi akuzat dhe deklaroi se nuk kishte kryer shkelje ligjore.

Arrestimi i Allës dhe 12 personave të tjerë u bë pas një hetimi të Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për tenderin me vlerë 322 milionë lekë ose afro 2.8 milionë euro, që synonte të rinovonte rrjetin e kanalizimeve në lagjen e vjetër në Bulqizë.

SPAK bëri të ditur se punonjësit e bashkisë kishin favorizuar në tender dy kompani, Egland shpk dhe BE-IS shpk, ndërkohë që punimet në terren dyshohet se janë kryer realisht nga një kompani e tretë, “2AF Albania” shpk, për të cilën prokurorët thonë se ka lidhje me kryetarin e arrestuar të bashkisë. “Kryetari i Bashkisë me funksionin e tij si i zgjedhur vendor për të administruar konform ligjit njësinë vendore, bashkinë Bulqizë evidentohet qartësisht sjellja e tij duke dokumentuar disa fakte penale si shkeljet gjatë procedurës së prokurimin publike.” thuhej në akuzën e SPAK.

Ish-kryeministri Sali Berisha, komentoi arrestimin e kryetarit të bashkisë Bulqizë. Gjatë një takimi elektoral, Berisha u shpreh se Alla është arrestua pasi nuk largohej, por donte që të kandidonte sërish.

Sipas ligjit për vetqeverisjen vendore, me përfundimin para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, funksionin e tij e kryen zëvendëskryetari i bashkisë. Referuar po këtij ligji, në rastin kur vendi i kryetarit të bashkisë mbetet vakant gjatë 6 muajve të fundit të mandatit të tij, këshilli përkatës zgjedh nga radhët e veta një kryetar të ri me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, i cili ushtron funksionet deri në përfundim të mandatit.

Mbetet për t’u parë nëse Prefekti i Qarkut Dibër, do ti kërkojë Këshillit Bashkiak të Bulqizës që të zgjedh një nga anëtarët e tij për të marrë pozicionin e kryetarit të bashkisë, apo deri në përfundim të zgjedhjeve, këtë detyrë do ta ushtrojë si kryetar i komanduar, Haxhi Pulja. Ky i fundit aktualisht mban pozicionin e zv. kryetarit të Bashkisë Bulqizë.