Aksidenti në minierën e Bulqizës, arrestohen dy punonjës dhe procedohet drejtuesi teknik

1368
Zona mineral-mbajtëse e Bulqizës. Foto: Sami Curri / Bulqizaime.al

Policia e Dibrës ka njoftuar këtë të enjte arrestimin e dy punonjësve të stafit teknik dhe procedimin penal në gjendje të lirë të drejtuesit teknik të kompanisë minerare “TRUE – L Shpk”, pas aksidentit të një dite më parë ku humbi jetën minatori Kujtim Dangri, 38 vjeç.

Sipas policisë, nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se viktima humbi jetën si pasojë e shembjes së një masivi shkëmbor gjatë punës në galeritë e zonës D, në Bulqizë. Për këtë ngjarje u arrestuan brigadieri G. K., 47 vjeç, dhe tekniku B. C., 62 vjeç, të dy banues në Bulqizë, ndërsa ndaj drejtuesit teknik R. P., 67 vjeç, banues në Peshkopi, nisi procedimi penal në gjendje të lirë.

Hetimet treguan se personat e sipërpërmendur nuk kishin marrë masat e duhura për sigurimin e kushteve teknike të punës, duke u bërë përgjegjës për shkeljen e rregullave të mbrojtjes në punë, me pasojë vdekjen. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Dibrës, që ka hapur procedim penal për këtë rast.

Aksidenti ndodhi të mërkurën rreth orës 11:30 në galeritë e kompanisë “TRUE – L Shpk”, e regjistruar në vitin 2022 dhe në pronësi të Roland Kacit e Lejdon Gjonit. Minatori Kujtim Dangri u transportua pa shenja jete në spitalin e Bulqizës, ku mjekët konfirmuan vdekjen e tij.

Pas aksidentit tragjik në minierën e Bulqizës, i vetmi reagim politik erdhi nga Arlind Qori, kryetar i Lëvizjes Bashkë, i cili përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale denoncoi gjendjen e rëndë të minatorëve dhe mungesën e sigurisë në punë. Ai theksoi se “pothuajse çdo muaj kemi nga një vdekje në minierë” dhe se pronarët përfitojnë, ndërsa punëtorët paguajnë me jetën e tyre. “Vdes një minator dhe askush nuk do t’ia dijë, puna vazhdon sikur s’ka ndodhur asgjë,” u shpreh Qori, duke kujtuar gjithashtu rastet e shumta të minatorëve që nuk e arrijnë dot pensionin për shkak të sëmundjeve të rënda që lidhen me punën në galeri. Ai e konsideroi “Sigurinë në punë” dhe “Statusin e Minatorit” si emergjenca sociale që duhet të miratohen sa më parë.

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH), nëpërmjet një deklarate publike akuzoi institucionet shtetërore për mungesë transparence, pasi “u fsheh identiteti i subjektit minerar dhe nuk u dhanë detaje mbi shkaqet dhe përgjegjësitë konkrete”. “Fshehja e të dhënave thelbësore për kompaninë që operon në Galerinë 43 të Zonës D, ku humbi jetën Kujtim Dangri, e bën viktimën të vritet për së dyti: një herë nga kushtet e rrezikshme të punës dhe një herë tjetër nga heshtja institucionale,” theksohet në reagim. Konfederata kërkoi transparencë të plotë mbi aksidentin, hetim të pavarur, masa urgjente për sigurinë në punë dhe mbështetje sociale për familjen e minatorit, ndërsa thekson se “jeta e punëtorit nuk mund të jetë një kosto e pranueshme për fitimin e kompanive.”

Ky aksident përbën ngjarjen e katërt me pasoja fatale në sektorin minerar në zonën e Bulqizës dhe Klosit gjatë këtij viti. Vetëm një muaj më parë një 66-vjeçar humbi jetën teksa punonte në një nga galeritë e kromit në Bulqizë.

Referuar të dhënave zyrtare, pas ndërtimit, sektori i minierave dhe karierave mbetet ndër më të rrezikshmit, duke përbërë rreth 18 % të aksidenteve të raportuara në punë për vitin 2024.