Në Gjoricë anulohet dëgjesa, në Ostren banorët shkojnë në takim, por nuk gjejnë asnjë përfaqësues të bashkisë. Banorët: Frika nga protestat po pengon dëgjesat publike

1190
Festime Mjeshtri gjatë një daljeje publike. Foto: rrjetet sociale të saj.

Dëgjesat publike të Bashkisë Bulqizë për Paketën Fiskale 2027, buxhetin e vitit të ardhshëm dhe projektbuxhetin afatmesëm janë shoqëruar me anulimin e takimit në Gjoricë dhe moszhvillimin e atij të planifikuar në Ostren.

Në Gjoricë, dëgjesa e parashikuar për më 19 tetor, në orën 16:00, u anulua vetëm dy orë përpara zhvillimit të saj. Sipas njoftimit zyrtar të Këshillit Bashkiak, shkak ishte marrja e një emaili kërcënues, pas së cilës ishte kryer evakuimi i stafit dhe godina e Bashkisë ishte mbyllur për arsye sigurie.

Megjithatë, disa banorë të Gjoricës i thanë Bulqizaime.al se anulimi erdhi në një moment kur ata ishin organizuar për të marrë pjesë në dëgjesë dhe për të ngritur kundërshtimet ndaj projektit të parkut fotovoltaik. Sipas tyre, takimi rrezikonte të kthehej në një protestë për çështjen e tokës së përbashkët të fshatit, por edhe në shenjë solidariteti me protestat e të rinjve në Tiranë.

Anulimi i dëgjesës ndodhi në një kohë kur konflikti për tokën ku parashikohet ndërtimi i parkut fotovoltaik në Gjoricë të Poshtme ishte përshkallëzuar. Mëngjesin e 15 tetorit, banorët bllokuan tre kamionë të kompanisë që po drejtoheshin drejt zonës ku planifikohet projekti, duke kundërshtuar vijimin e punimeve.

Banorët pretendojnë se rreth 42.5 hektarët e tokës janë sipërfaqe e përbashkët e fshatit, e përdorur tradicionalisht për kullotjen e bagëtive. Ata kanë kundërshtuar projektin dhe kanë deklaruar se çështjen e kanë referuar në SPAK, duke kërkuar që pretendimet e tyre të shqyrtohen përpara vijimit të punimeve.

Në këto rrethana, banorët e shohin anulimin e dëgjesës si një mundësi të humbur për të paraqitur shqetësimet e tyre përpara përfaqësuesve të bashkise, pasi një sërë zyrtarësh të bashkisë Bulqizë dhe Këshillit Bashkiak janë kallëzuar penalisht. Nga ana tjetër, njoftimi zyrtar i institucionit përmend emailin kërcënues si shkak të masave të sigurisë dhe anulimit, pa dhënë hollësi të tjera për përmbajtjen e tij.

Në Ostren, banorët paraqiten, por nuk gjejnë përfaqësues të bashkisë

Një ditë më pas, më 20 tetor, një situatë tjetër u regjistrua në Njësinë Administrative Ostren. Dëgjesa publike ishte njoftuar për orën 16:00, por gazetari i Bulqizaime.al, i pranishëm në terren që prej orës 15:30, nuk konstatuan organizatorë apo përfaqësues të administratës në hyrje të njësisë administrative dhe as pranë shkollës së mesme të bashkuar, ku janë zhvilluar më parë takime të tilla.

Pak minuta më vonë, disa banorë mbërritën për të marrë pjesë në dëgjesë. Ata thanë se ishin njoftuar nga kryetarët e fshatrave dhe se kishin ardhur për të paraqitur problemet që, sipas tyre, vijojnë të mos marrin zgjidhje. Megjithatë, nuk gjetën asnjë përfaqësues të bashkisë dhe, ndryshe nga rasti i Gjoricës, nuk kishin marrë një njoftim për anulimin e takimit.

Banorët që mbërritën në takim vinin nga fshati Orzhanovë, ku problemi kryesor është mungesa e një rruge automobilistike deri te banesat. Sipas tyre, automjetet ndalojnë pranë varrezave në hyrje të fshatit, ndërsa banorët duhet të përshkojnë pjesën e mbetur në këmbë ose me kafshë.

Banorët thonë se prej rreth 35 vitesh kërkojnë ndërtimin e një segmenti prej afërsisht 300 metrash, që do t’u mundësonte automjeteve të mbërrinin deri te banesat. Ata pretendojnë se kanë marrë vazhdimisht premtime, por problemi nuk është zgjidhur.

“Premtime kemi sa të duash, po të boshta”, u shpreh një banor, duke treguar se mungesa e rrugës krijon vështirësi kur dikush sëmuret dhe duhet të transportohet drejt shërbimeve shëndetësore.

Përveç rrugës, banorët përmendën edhe probleme me energjinë elektrike dhe furnizimin me ujë të pijshëm. Ata thanë se në disa raste janë detyruar të ndërhyjnë vetë për të përmirësuar furnizimin me energji, ndërsa dimri i vështirëson më tej kushtet e jetesës. Sipas tyre, mungesa e infrastrukturës po ndikon edhe në largimin e të rinjve nga fshati.

Veap Halili, anëtar i Këshillit Bashkiak Bulqizë, e cilësoi situatën si papërgjegjshmëri nga ana e drejtuesve të bashkisë dhe këshillit, duke kritikuar mungesën e informacionit për moszhvillimin e takimeve.

Sipas Halilit, anulimi në Gjoricë dhe mungesa e përfaqësuesve të bashkisë në Ostren lidhen me frikën se dëgjesat mund të shndërrohen në protesta. Ai argumentoi se problemet e banorëve nuk mund të shmangen duke mos zhvilluar takimet.

REKLAMË