Dëgjesa publike e zhvilluar në Shupenzë për Paketën Fiskale 2027, buxhetin e vitit të ardhshëm dhe projektbuxhetin afatmesëm 2027–2029 i ngjau më shumë një formaliteti sesa një diskutimi të gjerë mbi nevojat e banorëve. Takimi zgjati rreth 30 minuta dhe pjesëmarrja u dominua nga punonjës të administratës publike dhe familjarë të tyre.
Në dëgjesë ishin të pranishëm edhe punonjës të njësive administrative Gjoricë, Ostren dhe Trebisht. Ndërsa diskutimet u përqendruan kryesisht te vlerësimet për punën e bashkisë dhe kërkesa të kufizuara për ndërhyrje në infrastrukturë, shqetësimet më të gjera të komunitetit nuk morën hapësirë të konsiderueshme.
Kërkesat e ngritura nga pjesëmarrësit kishin të bënin me asfaltimin e rrugicave brenda lagjeve, problematikën e ujërave të zeza në qendër të Shupenzës, vendosjen e sinjalistikës rrugore dhe largimin e pengesave në qendrën e njësisë administrative. Gjithashtu, u kërkua rehabilitimi i rrugës që të çon te varrezat dhe fushën e jashtme të futbollit të shkollës 9-vjeçare.
Nga ana tjetër, kryetarja e Bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri, deklaroi se Shupenza ka qenë në fokus të investimeve të bashkisë, duke vënë në dukje ndërhyrjet e kryera në këtë zonë.
Megjithatë, numri i kufizuar i kërkesave dhe toni kryesisht vlerësues i diskutimeve nuk krijuan një debat të gjerë mbi prioritetet që duhet të ketë buxheti i vitit 2027. Në vend që takimi të shërbente si një mundësi për të evidentuar problematikat dhe për të kërkuar zgjidhje konkrete, diskutimi u karakterizua më shumë nga lavdërimet dhe një listë e shkurtër kërkesash.
Pas takimit në Shupenzë, kalendari i konsultimeve vijon më 15 tetor në Fushë-Bulqizë në orën 16:00 dhe në Zerqan në orën 17:00.











