
Mazhoranca socialiste ka depozituar në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar, i cili do të shqyrtojë fazën e dytë të reformës administrativo-territoriale, pas miratimit të hartës së re që parashikon uljen e numrit të bashkive në Shqipëri nga 61 në 46.
Kërkesa, e paraqitur nga 10 deputetë të Partisë Socialiste, është shqyrtuar në Konferencën e Kryetarëve dhe do t’i kalojë seancës plenare për votim. Komisioni i propozuar do të ketë një afat fillestar prej nëntë muajsh dhe do të përqendrohet te organizimi i bashkive dhe këshillave, si dhe te kompetencat dhe funksionet që do t’u atribuohen njësive të pushtetit vendor.
Sipas kërkesës së PS-së drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, komisioni do të përbëhet nga 16 anëtarë, sipas përfaqësimit të grupeve parlamentare. Kryetari do të jetë përfaqësues i shumicës parlamentare, ndërsa nënkryetari do të përfaqësojë pakicën.
“Komisioni i Posaçëm të përbëhet nga 16 anëtarë, sipas përfaqësimit të grupeve parlamentare, me kryetar përfaqësues të shumicës parlamentare dhe zëvendëskryetar përfaqësues të pakicës parlamentare, dhe ta zhvillojë veprimtarinë e tij brenda një afati 9-mujor nga data e miratimit të vendimit, me mundësi zgjatjeje nga Kuvendi me kërkesë të arsyetuar të kryetarit të tij”, thuhet në kërkesën e socialistëve.
Mazhoranca propozon që komisioni të mbështetet nga një grup ekspertësh vendas dhe të huaj, si dhe të zhvillojë seanca dëgjimore me përfaqësues të bashkive, qeverisë dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Faza e dytë pas shkrirjes së 15 bashkive
Ngritja e komisionit vjen pas miratimit të reformës territoriale në Kuvend, në orët e para të 9 tetorit, me 85 vota pro dhe 34 kundër. Ndryshimet e miratuara parashikojnë që 15 bashki të bashkohen me njësi të tjera vendore, duke e çuar numrin e përgjithshëm të bashkive në 46.
Ndryshe nga faza e parë, e cila u përqendrua te ndryshimi i hartës administrative, faza e dytë synon të trajtojë organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor. Diskutimet pritet të përfshijnë kompetencat e bashkive, burimet financiare dhe mënyrën e ushtrimit të funksioneve të tyre.
Gjatë seancës ku u miratua reforma, mazhoranca u bëri thirrje demokratëve të bëhen pjesë e diskutimeve për fazën e dytë. Megjithatë, në Konferencën e Kryetarëve nuk u arrit mirëkuptimi për programin dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit, ndërsa kërkesa për ngritjen e komisionit do të shqyrtohet nga seanca plenare.
Balla: Zgjedhjet vendore mes 15 prillit dhe 15 majit
Pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, pritet të dekretojë javën e ardhshme datën e zgjedhjeve të ardhshme vendore.
Sipas Ballës, zgjedhjet pritet të zhvillohen në një datë mes 15 prillit dhe 15 majit, ndërsa përcaktimi zyrtar i ditës së votimit i takon Presidentit.
Balla komentoi edhe kundërshtimet e opozitës ndaj reformës territoriale, duke deklaruar se diskutimi në fazën e dytë duhet të përqendrohet te kompetencat që do t’i transferohen pushtetit vendor, fondet që do të shpërndahen për bashkitë dhe çështja e rajoneve.
“Jam i bindur se Territorialja është në përputhje me Kushtetutën”, u shpreh Balla, duke iu referuar kundërshtive të opozitës, e cila ka paralajmëruar ndjekjen e rrugës së ankimit në Gjykatën Kushtetuese.
Data e zgjedhjeve vendore do të bëhet zyrtare pas dekretit të Presidentit të Republikës.









