Dëgjesa publike në Bulqizë, administrata mbush sallën, vetëm një banor ngre kritika

732
Dëgjesa publike për Paketën Fiskale 2027, buxhetin e vitit të ardhshëm dhe projektbuxhetin afatmesëm 2027–2029 në Bashkinë Bulqizë. Foto: Bulqizaime.al

Dëgjesa publike për Paketën Fiskale 2027, buxhetin e vitit të ardhshëm dhe projektbuxhetin afatmesëm 2027–2029 në Bashkinë Bulqizë zgjati vetëm rreth 20 minuta, ndërsa pjesëmarrja e qytetarëve ishte e kufizuar. Takimi nisi rreth orës 16:15 dhe u zhvillua në një ambient privat që përdoret për aktivitete festive.

Në sallë ishin të pranishëm kryesisht punonjës të administratës publike vendore dhe qendrore. Disa prej tyre i thanë Bulqizaime.al, në kushte anonimiteti, se ishin kontaktuar nga drejtuesit përkatës për të marrë pjesë në dëgjesë bashkë me familjarët.

Edhe pse dëgjesat publike për buxhetin janë pjesë e procesit të konsultimit me qytetarët dhe zhvillohen në kuadër të veprimtarisë së këshillit bashkiak, takimi u hap nga kryetarja e Bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri. Ajo prezantoi një bilanc të punëve të kryera nga bashkia, duke u ndalur te rikonstruksioni i fasadave të pallateve, asfaltimi i disa rrugëve, hapësirat publike, ndriçimi, çerdhja dhe investimet në shkolla.

Mjeshtri tha se janë rikonstruktuar fasadat e 11 pallateve me 33 hyrje, ndërsa po vijon puna për hapësirat e gjelbra dhe këndet e lojërave. Ajo përmendi rrugët “Sami Frashëri”, rrugën e Duriçit dhe atë të Vramit, si edhe investime të tjera që, sipas saj, janë në proces prokurimi.

Kryetarja bëri të ditur gjithashtu se sinjalistika rrugore është në proces prokurimi, ndërsa për ndriçimin publik parashikohen ndërhyrje të tjera, përfshirë në rrugën “Sami Frashëri” dhe në lagjen Duriçe. Sipas saj, në vijim pritet të nisë edhe investimi për ndërtimin e një palestre, ndërsa për pallatin e punëtorëve bashkia ka kërkuar kalimin e objektit në pronësi të saj për të vijuar me procedurat e legalizimit.

Në fjalën e saj, Mjeshtri tha se qëllimi i konsultimit ishte edhe marrja e sugjerimeve dhe vërejtjeve nga qytetarët për shërbimet dhe investimet që duhet të kenë përparësi. Megjithatë, pjesa dërrmuese e prezantimit iu kushtua punëve të kryera, ndërsa diskutimi për nevojat dhe kërkesat e banorëve mbeti i kufizuar për shkak të kohëzgjatjes së shkurtër të takimit dhe numrit të vogël të qytetarëve që morën fjalën.

Mjeshtri në dëgjesën për buxhetin 2027

Banori kritikon reagimin ndaj zjarreve dhe gjendjen e shërbimeve

I vetmi qytetar që ngriti një sërë kritikash të drejtpërdrejta ishte një banor i zonës së Vajkalit, i cili kritikoi punën e bashkisë për menaxhimin e zjarreve, infrastrukturën rrugore, tregun, pusetat e ujërave të zeza dhe furnizimin me ujë për vaditje.

Duke iu drejtuar drejtuesve të bashkisë, ai tha se gjatë një zjarri të rënë këtë verë banorët ishin detyruar të ndërhynin vetë, pasi, sipas tij, nuk kishin parë në terren punonjës të emergjencave civile.

“Desh u dogjëm dhe një punëtor nuk e pamë. Ishin vetë banorët e Vajkalit që e fikën zjarrin dhe e mbajtën nën kontroll”, u shpreh ai, duke kërkuar llogari për reagimin e strukturave përgjegjëse.

Banori kritikoi gjithashtu gjendjen e rrugëve dhe të tregut, duke pretenduar se disa prej ndërhyrjeve të paraqitura nga bashkia nuk u përgjigjen nevojave të qytetarëve. Ai ngriti edhe shqetësimin për mungesën e ujit vaditës në Vajkal dhe për problemet me pusetat e ujërave të zeza.

Në vijim, administratori i qytetit, Bjordi Çupi, kundërshtoi deklaratat e banorit lidhur me reagimin ndaj zjarrit, duke thënë se kishte qenë i pranishëm në terren dhe se banori nuk kishte marrë pjesë në ndërhyrje. Edhe kryetari i Këshillit Bashkiak, Arben Çupi, ndërhyri në debat, duke argumentuar se dëgjesa ishte vend për të shprehur mendime dhe vërejtje, por jo për ta kthyer diskutimin në përplasje personale apo politike.

Gjatë debatit, kryetari i këshillit i tha banorit se kritikat mund të shpreheshin, por se duhej t’u jepej mundësia të flisnin edhe pjesëmarrësit e tjerë.

Dëgjesa pa diskutim të gjerë me qytetarët

Përtej prezantimit të investimeve nga kryetarja e bashkisë dhe debatit me banorin, dëgjesa nuk prodhoi një diskutim të gjerë mbi prioritetet e buxhetit të vitit 2027. Pjesëmarrësit e tjerë që morën fjalën ishin të pakët dhe kryesisht shprehën vlerësime pozitive për punën e bashkisë.

Në Bulqizë, shqetësimet e ngritura një vit më parë përfshinin infrastrukturën rrugore, mungesën e sinjalistikës pranë shkollave, hapësirat publike, ndriçimin dhe shërbimet bazë.

Pas takimit në qytetin e Bulqizës, kalendari i konsultimeve vijon më 13 tetor në Shupenzë, ndërsa më 15 tetor takimet janë parashikuar në Fushë-Bulqizë në orën 16:00 dhe në Zerqan në orën 17:00. Më pas, dëgjesat do të zhvillohen më 19 tetor në Gjoricë, më 20 tetor në Ostren, më 21 tetor në Martanesh dhe do të përmbyllen më 22 tetor në Trebisht.

REKLAMË