Nisin më 12 tetor dëgjesat publike në Bulqizë për buxhetin e vitit 2027

707
Dëgjesa publike e organizuar nga Bashkia Bulqizë dhe Këshilli Bashkiak për hartimin e projektbuxhetit dhe paketës fiskale të vitit 2026 e zhvilluar në ambientet e shkollës 9-vjeçare “Shefqet Tançi”. Foto: S. Curri

Këshilli Bashkiak Bulqizë do të nisë më 12 tetor dëgjesat publike në të gjitha njësitë administrative për hartimin e Paketës Fiskale dhe Buxhetit të vitit 2027, si dhe Projekt-Buxhetit Afatmesëm 2027–2029. Takimet do të vijojnë deri më 22 tetor, me synimin për të mbledhur kërkesat dhe shqetësimet e banorëve për investimet dhe shërbimet publike.

Dëgjesat publike për hartimin e buxhetit të vitit 2027 në Bashkinë Bulqizë do të nisin të hënën, më 12 tetor, me takimin në Njësinë Administrative Bulqizë. Sipas kalendarit të publikuar nga Këshilli Bashkiak, konsultimet do të zhvillohen në shtatë njësitë administrative, përmes takimeve me banorët, administratorët, kryetarët e fshatrave, bizneset, organizatat e shoqërisë civile dhe përfaqësuesit e medias.

Takimi i parë do të mbahet në orën 16:00, në lokalin “Ahmet Mira”, në Lagjen e Re të Bulqizës. Një ditë më pas, më 13 tetor, dëgjesa do të zhvillohet në Shupenzë, në shkollën 9-vjeçare “Ibrahim Daçi”, gjithashtu në orën 16:00.

Më 15 tetor, konsultimet do të vijojnë në Fushë-Bulqizë, në orën 16:00, dhe në Zerqan, në orën 17:00, pranë ambienteve të njësive administrative. Ndërsa më 19 tetor, dëgjesa do të zhvillohet në Gjoricë, në shkollën 9-vjeçare “Ahmet Cami”, në orën 16:00.

Kalendari vijon më 20 tetor në Ostren dhe më 21 tetor në Martanesh, me takime që do të nisin në orën 16:00 pranë njësive administrative. Cikli i dëgjesave do të përfundojë më 22 tetor në Trebisht, ku takimi është planifikuar gjithashtu për në orën 16:00.

Përmes këtyre takimeve, banorët do të kenë mundësinë të paraqesin kërkesat dhe problematikat që duan të adresohen në buxhetin e vitit të ardhshëm, duke përfshirë investimet në rrugët rurale, furnizimin me ujë të pijshëm, kanalet vaditëse, ndriçimin publik, menaxhimin e mbetjeve dhe shërbimet sociale.

Megjithatë, rëndësia e këtyre konsultimeve nuk qëndron vetëm te zhvillimi i takimeve, por edhe te mënyra se si kërkesat e qytetarëve do të reflektohen në projektbuxhet dhe në vendimet përfundimtare të bashkisë.

Në dëgjesat e zhvilluara gjatë vitit të kaluar për buxhetin e vitit 2026, banorët e disa njësive administrative ngritën shqetësime të përsëritura për mungesën e ujit të pijshëm, gjendjen e rrugëve, kanalet vaditëse të dëmtuara dhe mungesën e investimeve në disa fshatra. Në disa takime pati edhe kritika për pjesëmarrjen e kufizuar të qytetarëve dhe për problematikat që, sipas tyre, kishin mbetur pa zgjidhje.

Këtë vit, dëgjesat do të shërbejnë si një tjetër mundësi për të diskutuar prioritetet e investimeve publike dhe nevojat e komuniteteve për vitin 2027. Mbetet për t’u parë se sa nga kërkesat e ngritura nga banorët do të përfshihen në projektbuxhet dhe sa prej tyre do të shoqërohen me afate dhe financim konkret.

REKLAMË