Këshilli Bashkiak refuzon fondin shtesë për rrugën e shembur në Kovashicë: Bashkia kërkoi afro 38 mijë euro për ndërhyrjen

484
Rrëshqitje në rrugën e fshatit Kovashicë, në njësinë administrative Shupenzë. Segmenti rreth 1 km, i asfaltuar së fundmi nga Bashkia Bulqizë.

Këshilli Bashkiak i Bulqizës ka refuzuar projekt-vendimin e administratës së bashkisë për përdorimin e rreth 3.48 milionë lekëve nga fondi i emergjencave civile për ndërhyrjen në rrugën e fshatit Kovashicë, në Njësinë Administrative Shupenzë.

Sipas relacionit të paraqitur nga Bashkia Bulqizë, një pjesë e skarpatës së rrugës ka pësuar shembje dhe për sistemimin e saj ishte propozuar ndërtimi i mureve me gabion. Fondi i kërkuar arrin në 3,476,577 lekë, nga të cilat 2.5 milionë lekë grant dhe 976,577 lekë të ardhura.

Por propozimi nuk mori miratimin e këshilltarëve.

Gjatë diskutimit, anëtarët e Këshillit Bashkiak kritikuan mënyrën se si ishte planifikuar investimi, duke argumentuar se problematika e terrenit dhe rreziku i rrëshqitjeve duhej të ishin evidentuar që në fazën e hartimit të projektit.

Sipas tyre, nuk është e pranueshme që një investim i përfunduar së fundmi të kërkojë brenda një kohe të shkurtër financime të tjera nga fondet e emergjencave civile për të korrigjuar dëmet.

Këshilltarët sollën si shqetësim edhe mundësinë që rruga të shtrohet me asfalt, ndërsa për shkak të problematikave të terrenit, pas pak javësh ose muajsh investimi të dëmtohet sërish.

“Studimi i nevojshëm duhej të ishte kryer në momentin e hartimit të projektit”, ishte në thelb argumenti i ngritur gjatë mbledhjes së këshillit, duke kërkuar që investimet publike të planifikohen duke marrë parasysh edhe kushtet gjeologjike të zonës.

Nga ana tjetër, administrata e Bashkisë Bulqizë argumentoi se në projektin fillestar nuk ishte parashikuar që terreni do të pësonte rrëshqitje.

Administrata bëri gjithashtu të ditur se, pasi të kryhet ndërhyrja e parashikuar në fondin e emergjencave, do të kryhet edhe riveshja me asfalt e segmentit të dëmtuar, sipas detyrimeve të kontratës së punimeve.

Sipas relacionit teknik të Bashkisë Bulqizë, reshjet kanë shkaktuar çedimin e bazamentit dhe rrëshqitjen e skarpatës në një segment rreth 30 metra, duke dëmtuar rrugën dhe vështirësuar kalimin e banorëve dhe mjeteve të emergjencës. Si zgjidhje përfundimtare, bashkia parashikon ndërtimin e një muri me gabion rreth 3 metra të lartë dhe 40 metra të gjatë.

Rruga kishte përfunduar së fundmi

Problematikat në rrugën e Kovashicës janë bërë të dukshme pak javë pas përfundimit të punimeve, ndërsa banorët kanë ngritur shqetësimin për gjendjen e saj dhe nevojën për ndërhyrje.

Bëhet fjalë për një segment prej rreth 650 metrash, pjesë e projektit “Sistemim-Asfaltim i disa rrugëve në njësinë administrative Shupenzë”, me autoritet prokurues Bashkinë Bulqizë.

Procedura e prokurimit u zhvillua gjatë muajve tetor-nëntor 2024, me një fond limit prej 20.3 milionë lekësh pa TVSH. Në tender morën pjesë gjashtë operatorë, ndërsa kontrata u lidh për një vlerë prej rreth 14.6 milionë lekësh pa TVSH, me afat realizimi 56 ditë.

Në terren janë konstatuar dëmtime të skarpatave, gërryerje nga ujërat e reshjeve, çarje në sipërfaqen e asfaltit dhe grumbullime dherash e inertesh në pjesë të rrugës.

Problematika është veçanërisht e lidhur me drenazhimin e ujërave, pasi në disa segmente mungojnë elementët e parashikuar për largimin e tyre, duke favorizuar gërryerjen e bazamentit dhe dëmtimin e rrugës.

Në fund, Këshilli Bashkiak, me shumicë votash nuk e miratoi projekt-vendimin e propozuar nga administrata dhe vendosi që çështja të rikthehet.

REKLAMË