5,040 qytetarë kundër shkrirjes së Klosit, peticion Kuvendit: Bashkia të mbetet më vete

257
Dëgjesa në Klos, banorët kërkojnë ruajtjen e identitetit dhe autonomisë vendore. Foto: A. Diku

5,040 qytetarë të Bashkisë Klos kanë firmosur një peticion drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, përmes të cilit kërkojnë që Bashkia Klos të ruajë statusin e saj dhe të mos bashkohet me Bashkinë Mat, siç parashikohet në projektin e ri të reformës administrativo-territoriale.

Peticioni është firmosur edhe nga intelektualë të Klosit, mes tyre përfaqësues të arsimit, kulturës, profesioneve të ndryshme dhe jetës publike, të cilët kërkojnë që qëndrimi i komunitetit të merret në konsideratë gjatë vendimmarrjes për hartën e re territoriale.

Kundër bashkimit me Matin është shprehur edhe Këshilli Bashkiak i Klosit. Në mbledhjen e zhvilluar në fund të gushtit, nga 13 këshilltarë të pranishëm, 12 votuan kundër reformës që parashikon bashkimin me Matin, ndërsa një abstenoi. Asnjë këshilltar nuk votoi pro.

Kundërshtimi është shprehur edhe gjatë katër dëgjesave publike të zhvilluara në Xibër, Gurrë, Suç dhe në qytetin e Klosit. Banorët kanë argumentuar se bashkimi me Matin mund të largojë më tej shërbimet dhe vendimmarrjen nga komuniteti, ndërsa kanë vënë në dukje edhe potencialin ekonomik, turistik dhe burimet natyrore të zonës.

Peticionuesit argumentojnë se qëndrimi i 5,040 qytetarëve, së bashku me atë të Këshillit Bashkiak dhe përfaqësuesve të komunitetit, duhet të merret në konsideratë nga Kuvendi përpara vendimit përfundimtar.

Sipas hartës së propozuar nga Partia Socialiste, Klosi është një nga 15 bashkitë që humbin statusin si njësi e pavarur e vetëqeverisjes vendore, duke u bashkuar me bashkinë fqinje të Matit.

Projektligji për reformën territoriale është miratuar tashmë në Komisionin e Ligjeve dhe pritet të votohet në seancë plenare më 8 tetor. Nëse miratohet, numri i bashkive në vend do të ulet nga 61 në 46.

Ndërkohë, kundërshtarët e reformës në Klos vijojnë të kërkojnë që Bashkia Klos të mbetet njësi më vete, duke iu referuar edhe rezultatit të konsultimeve publike dhe qëndrimit të miratuar nga Këshilli Bashkiak.

REKLAMË