ARRSH mbyll tenderin e dytë për rrugën Qafa e Buallit–Martanesh, kostoja totale shkon në afro 22 milionë euro

351
Punimet për rehabilitimin e rrugës që lidh Bulqizën me Martaneshin. Foto: Bulqizaime.al

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka përmbyllur procedurën e re të prokurimit për “Plotësimin e punimeve në rrugën Qafa e Buallit–Martanesh”, një investim që tashmë pritet të kushtojë rreth 22 milionë euro, pothuajse dyfishin e vlerës së kontratës fillestare.

Fitues i tenderit është shpallur sërish bashkimi i operatorëve ekonomikë “BE-IS” sh.p.k., “ERGI” dhe “Vëllezërit Hysa”, i njëjti konsorcium që kishte fituar edhe kontratën e parë për rehabilitimin e aksit.

Oferta e shpallur fituese është 952,928,422 lekë pa TVSH, ndërsa afati i zbatimit të punimeve është përcaktuar në 10 muaj.

Procedura e re u hap nga ARRSH pasi punimet e kontratës së parë, të nisura në shkurt 2024, nuk arritën të përfundonin të gjithë ndërhyrjet e parashikuara në aksin prej 16.5 kilometrash.

Kontrata e dytë, pas një investimi të parë prej 947.6 milionë lekësh

Në dhjetor 2023, ARRSH kishte lidhur kontratën e parë për sistemimin dhe asfaltimin e rrugës Qafa e Buallit–Martanesh me të njëjtin bashkim kompanish, me një vlerë prej rreth 947.6 milionë lekësh pa TVSH, ose rreth 11 milionë euro.

Punimet nisën më 27 shkurt 2024 dhe, sipas kontratës fillestare, duhej të përfundonin brenda 13 muajve, pra në pranverën e vitit 2025.

Por, edhe pse në terren janë kryer gërmime, sistemime të trupit të rrugës, vepra kulluese dhe ndërhyrje të tjera, një pjesë e konsiderueshme e punimeve mbeti pa përfunduar. Për këtë arsye, ARRSH zhvilloi një procedurë të re për plotësimin e punimeve.

Në gusht 2026, institucioni kishte përcaktuar për këtë fazë një fond limit prej 1,040,727,690 lekësh pa TVSH, ose rreth 11.17 milionë euro. Në përfundim të procedurës, kontrata iu dha konsorciumit me vlerën 952.9 milionë lekë.

Kështu, duke marrë në konsideratë kontratën e parë dhe atë të dytë, vlera e dy procedurave arrin në rreth 1.9 miliardë lekë pa TVSH, ose afërsisht 20.4 milionë euro pa TVSH. Me vlerat e referuara në dokumentacionin e projektit, investimi total raportohet rreth 22 milionë euro.

Konsorciumi fitues la pas “BAMI HOLDING”

Në tenderin e fundit, ARRSH përdori një sistem vlerësimi me pikë, ku 60 pikë i atribuoheshin ofertës ekonomike, ndërsa 40 pikë kritereve teknike, përfshirë metodologjinë e punës, stafin, garancinë dhe masat për reduktimin e ndikimit mjedisor e social.

Pas vlerësimit të ofertave, konsorciumi “BE-IS”, “ERGI” dhe “Vëllezërit Hysa” grumbulloi 275.40 pikë.

Pas tij u rendit kompania “BAMI HOLDING”, me 271.80 pikë dhe një ofertë prej 989,083,857.70 lekësh pa TVSH.

Ndërkohë, operatori “ALBAVIA”, që kishte paraqitur ofertë prej rreth 1.02 miliardë lekësh, u skualifikua për mangësi në dokumentacionin teknik dhe në certifikatat e menaxhimit të cilësisë SSH EN ISO 9001:2015.

Nga gara u skualifikua gjithashtu “ADIDAS-ONE”, pasi kishte paraqitur vetëm preventivin e punimeve, pa dokumentacionin tjetër ligjor të kërkuar në procedurë.

Çfarë do të ndërtohet me kontratën e re?

Dokumentacioni teknik i projektit parashikon një sërë ndërhyrjesh për përfundimin dhe sigurimin e plotë të aksit.

Punimet përfshijnë përfundimin e gërmimeve dhe stabilizimin e skarpatave në zonat problematike, ndërtimin e mureve mbajtëse me gabione, sistemin e drenazhimit dhe realizimin e shtresave të rrugës deri në asfaltobeton.

Një pjesë e rëndësishme e kontratës lidhet me sigurinë ndaj rënies së gurëve dhe rrëshqitjeve. Projekti parashikon vendosjen e rrjetave metalike me rezistencë të lartë, të ankoruara në shkëmb, si dhe barriera dinamike në tetë zona të identifikuara si me rrezik të lartë.

Në projekt janë përfshirë edhe barrierat metalike të sigurisë, sinjalistika horizontale dhe vertikale, sistemimi i trupit të rrugës dhe zonave anësore.

Punimet do të shoqërohen me masa për menaxhimin e trafikut dhe kontrolle topografike e laboratorike gjatë zbatimit.

16.5 kilometra me kosto rreth 22 milionë euro

Rruga Qafa e Buallit–Martanesh është një nga akset më të rëndësishme për zonën e Martaneshit dhe lidh këtë njësi me Bulqizën dhe pjesën tjetër të vendit.

Aksi, i ndërtuar dekada më parë për t’i shërbyer edhe industrisë minerare, është amortizuar ndjeshëm ndër vite, ndërsa qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë që transportojnë krom ka shtuar problemet e sigurisë dhe të mirëmbajtjes.

Për një gjatësi prej vetëm 16.5 kilometrash, kostoja e dy fazave të investimit shkon në rreth 22 milionë euro, duke e çuar koston mesatare në afërsisht 1.34 milionë euro për kilometër.

Për banorët e Martaneshit, përfundimi i kësaj rruge është një investim i shumëpritur. Aksi ka qenë prej vitesh një nga rrugët më problematike të qarkut Dibër dhe banorët e zonës e kanë cilësuar shpesh si “rruga e vdekjes”, për shkak të aksidenteve të rënda të ndodhura ndër vite.

Në të njëjtën kohë, Martaneshi është një zonë me aktivitet të rëndësishëm minerar, hidrocentrale dhe përpunim kromi, çka e bën këtë aks të rëndësishëm jo vetëm për banorët, por edhe për aktivitetin ekonomik të zonës.

Me përfundimin e procedurës së re, punimet duhet të vijojnë me kontratën prej 952.9 milionë lekësh dhe të mbyllen brenda 10 muajve të parashikuar në kontratë. Mbetet për t’u parë nëse kjo fazë do të përfundojë sipas afatit, pas vonesave të regjistruara në kontratën e parë.

REKLAMË