Kërcënoi biznesmenin në Peshkopi për 50 mijë euro, arrestohet 21-vjeçari

260
Pamje nga kamerat e sigurisë në momentin kur 21-vjeçari vendos kutinë në ambientet e karburantit në Peshkopi.

Policia zbardh brenda pak orësh kërcënimin në një karburant në Dibër. Kutia e dyshimtë nuk përmbante lëndë shpërthyese, ndërsa paratë kërkoheshin në kriptomonedha.

Një 21-vjeçar është arrestuar nga Policia e Dibrës, pasi dyshohet se vendosi një kuti të dyshimtë në ambientet e një karburanti në pronësi të shtetasit Z. Sh., në zonën e Peshkopisë, dhe kërcënoi se do ta shpërthente nëse nuk paguhej shuma prej 50 mijë eurosh.

Ngjarja u regjistrua më 2 tetor 2026, ndërsa Policia njofton se autori i dyshuar u identifikua dhe u arrestua brenda pak orësh, në kuadër të operacionit të koduar “Kërcënimi”.

Sipas njoftimit zyrtar, në kuti ishin vendosur një ekran, pjesë elektronike dhe tela, duke krijuar dyshimin se bëhej fjalë për një pajisje shpërthyese të telekomanduar. Pas mbërritjes së forcave speciale xheniere të RENEA-s, u krye hapja dhe kontrolli i saj, nga ku rezultoi se kutia nuk përmbante lëndë shpërthyese.

Mbi kuti ishte lënë një letër kërcënuese, përmes së cilës kërkohej pagesa e 50 mijë eurove, të cilat autori i dyshuar i kishte cilësuar si një “gjobë”. Pagesa kërkohej të kryhej në kriptomonedha, përmes një pike këmbimi dhe në një adresë të përcaktuar prej tij.

Në letër, sipas Policisë, autori pretendonte se kutia përmbante eksploziv C4, ishte e pajisur me sensorë lëvizjeje dhe telekomandim, si dhe kërcënonte me shpërthim nëse pagesa nuk kryhej brenda afatit të caktuar, nëse kutia zhvendosej apo nëse njoftoheshin Policia dhe persona të tjerë.

21-vjeçari, i identifikuar me inicialet E. K., është arrestuar nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Dibër, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe shërbimet Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Dibrës për veprime të mëtejshme.

REKLAMË