Pas publikimit të pamjeve nga dëmtimet në ambientet e Shkollës së Mesme të Bashkuar “Asllan Keta” në Fushë-Bulqizë, ka reaguar edhe vetë institucioni arsimor përmes llogarive zyrtare në rrjetet sociale, duke dënuar ngjarjen dhe duke sqaruar disa prej pretendimeve të ngritura pas incidentit.
Ngjarja u bë publike mëngjesin e kësaj të hëne, pasi në ambientet e shkollës u konstatuan dëmtime të shumta në klasa, kryesisht në ciklin 9-vjeçar. Pamjet tregonin banka dhe karrige të përmbysura, materiale mësimore të shpërndara në dysheme dhe pajisje të dëmtuara, ndërsa sipas burimeve paraprake dyshohej se në shkollë kishin hyrë disa të rinj gjatë fundjavës.
Pas reagimeve nga prindërit, shkolla “Asllan Keta” reagoi publikisht duke shprehur keqardhje për atë që ndodhi dhe duke theksuar se rasti nuk përfaqëson frymën dhe vlerat e shumicës së nxënësve të saj.
“Të keqardhur për ngjarjen e ndodhur në ambientet e Shkollës së Bashkuar ‘Asllan Keta’, një institucion që prej vitesh ka edukuar breza të tërë nxënësish me dije, qytetari dhe vlera”, thuhet në reagimin e shkollës.
Institucioni arsimor nënvizon se dëmtimi i ambienteve shkollore është një akt i papranueshëm që cenon jo vetëm pronën e përbashkët, por edhe punën dhe përkushtimin e mësuesve, nxënësve dhe prindërve ndër vite.
Gjithashtu, shkolla ka kundërshtuar pretendimet e ngritura në reagimet e disa prindërve lidhur me praninë e alkoolit apo substancave të tjera në ambientet e shkollës.
“Theksojmë se nuk ka patur pije alkoolike apo duhan apo të tjera siç thuhet në shkrim”, shkruan shkolla në një tjetër koment publik.
Sipas reagimit zyrtar, ngjarja tashmë po trajtohet nga organet kompetente dhe po ndiqen të gjitha procedurat për zbardhjen e plotë të rastit dhe marrjen e masave ndaj personave përgjegjës.
Shkolla “Asllan Keta”, ku në të njëjtën godinë zhvillojnë mësim nxënës nga klasa e parë deri në klasën e 12-të, ka vlerësuar gjithashtu punën e mësuesve dhe arritjet e nxënësve ndër vite në aktivitete mësimore, kulturore dhe sportive, duke theksuar se shumica dërrmuese e nxënësve janë shembull pozitiv për komunitetin.
Ngjarja ka hapur debat për sjelljen e një pjese të të rinjve dhe nevojën për më shumë bashkëpunim mes familjes, shkollës dhe institucioneve për edukimin dhe mbrojtjen e të rinjve nga modelet e dhunës dhe vandalizmit.
“Shkolla nuk është vetëm një godinë — ajo është shtëpia e dijes, edukimit dhe shpresës për brezat që rriten”, thuhet në përfundim të reagimit të institucionit arsimor.
REAGIMI I PLOTË
Të keqardhur për ngjarjen e ndodhur në ambientet e Shkolla e Bashkuar “Asllan Keta”, një institucion që prej vitesh ka edukuar breza të tërë nxënësish me dije, qytetari dhe vlera.
Dëmtimi i ambienteve shkollore është një akt i papranueshëm, që cenon jo vetëm pronën e përbashkët, por edhe punën, mundin dhe përkushtimin e mësuesve, nxënësve dhe prindërve që ndër vite kanë kontribuar për emrin dhe dinjitetin e shkollës sonë.
Ngjarja është trajtuar nga organet kompetente dhe po ndiqen të gjitha procedurat e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit dhe marrjen e masave përkatëse ndaj personave përgjegjës. Njëkohësisht, dëshirojmë të theksojmë se kjo ngjarje nuk përfaqëson vlerat, kulturën dhe frymën e shumicës dërrmuese të nxënësve tanë.
Në vite, nxënësit dhe stafi i shkollës “Asllan Keta” kanë nderuar institucionin tonë përmes rezultateve në mësime, aktiviteteve kulturore, sportive, shkencore dhe angazhimit qytetar. Kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi nxënës shembullorë, të cilët me sjelljen dhe arritjet e tyre janë krenaria jonë.
Falënderojmë mësuesit për përkushtimin e tyre të palodhur dhe prindërit që bashkëpunojnë çdo ditë për edukimin e fëmijëve. Besojmë se vetëm të bashkuar mund të mbrojmë shkollën, vlerat dhe të ardhmen e të rinjve tanë.
Shkolla nuk është vetëm një godinë — ajo është shtëpia e dijes, edukimit dhe shpresës për brezat që rriten.









