VIDEO/ Tre mbledhje të dështuara radhazi në Këshillin Bashkiak Bulqizë, tensione për shkarkimin e sekretarit

743
Mbledhja e Këshillit Bashkiak Bulqizë datë 8 maj 2026

Ka dështuar për herë të tretë radhazi mbledhja e Këshillit Bashkiak Bulqizë, ndërsa tensionet politike dhe përplasjet mes opozitës dhe mazhorancës kanë paralizuar funksionimin normal të institucionit.

Mbledhja e fundit, e planifikuar për datën 8 maj, u ndërpre pas debateve për rendin e ditës dhe refuzimit të anëtarëve të opozitës për të votuar, pa u përfshirë mocioni për shkarkimin e sekretarit të Këshillit Bashkiak, Klodian Reçi.

Kjo ishte tentativa e tretë brenda pak ditësh për zhvillimin e mbledhjes së këshillit. Më herët, mbledhja e datës 30 prill u anulua pak minuta para nisjes, pasi këshilltarët morën një mesazh në aplikacionin “WhatsApp” nga kryetari i Këshillit Bashkiak, Arben Çupi, ku njoftoheshin se mbledhja shtyhej për shkak të mungesës së konfirmimeve për pjesëmarrje.

Në atë mbledhje, në ambientet e bashkisë kishin mbërritur dhjetëra banorë të Njësisë Administrative Gjoricë, të cilët kundërshtojnë dhënien e tokave kullosore për ndërtimin e paneleve fotovoltaike. Prania e forcave të Policisë së Shtetit dhe mbyllja e derës së sallës së këshillit u kundërshtua nga opozita, e cila e cilësoi situatën të pajustifikuar dhe në shkelje të praktikave institucionale.

Sipas anëtarëve të opozitës, verifikimi i kuorumit duhet të bëhet vetëm në sallën e mbledhjes dhe jo përmes komunikimeve paraprake. Ata akuzuan kryetarin e këshillit se ka shkelur rëndë rregulloren duke mbyllur derën e sallës dhe duke kërkuar praninë e forcave të rendit përreth institucionit.

Edhe tentativa e dytë për zhvillimin e mbledhjes, ajo e datës 6 maj, dështoi për shkak të bojkotit nga anëtarët e mazhorancës socialiste.

Ndërsa në mbledhjen e datës 8 maj, pavarësisht se në sallë ishte kuorumi i nevojshëm për zhvillimin e saj, përplasjet për rendin e ditës bënë që mbledhja të mos vijonte.

Në fillim të diskutimeve, anëtarët e opozitës ngritën një sërë akuzash ndaj drejtimit të këshillit. Këshilltari Veap Halili kërkoi sqarime lidhur me mosdhënien e përgjigjeve për peticionet e depozituara nga qytetarët, duke përmendur peticionin e banorëve të Fushë-Bulqizës kundër HEC-it “Shytaj” dhe atë të banorëve të Gjoricës për ndalimin e ndërtimit të parkut fotovoltaik.

Sipas Halilit, kanë kaluar muaj pa asnjë reagim apo nisje të procedurave të parashikuara në ligj dhe në rregulloren e këshillit bashkiak.

Edhe këshilltari tjetër i opozitës, Ylli Xhafa, e cilësoi të papranueshme mënyrën se si po trajtohen qytetarët dhe peticionet e tyre, duke deklaruar se institucioni po dështon në përfaqësimin e interesave të komunitetit.

Akuza hodhi edhe kreu i grupit opozitar, Shaqir Manjani, i cili rikujtoi edhe mbledhjen e datës 7 prill. Sipas tij, dy orë pas përfundimit zyrtar të asaj mbledhjeje, anëtarët e mazhorancës ishin mbledhur sërish pa njoftuar anëtarët e tjerë dhe kishin miratuar për pak minuta të gjitha pikat e rendit të ditës.

Pika më e debatueshme e mbledhjes mbeti mocioni për shkarkimin e sekretarit të Këshillit Bashkiak, Klodian Reçi. Mocioni ishte depozituar disa javë më parë nga opozita me firmat e shtatë këshilltarëve, por më pas një prej firmëtarëve, Mynyr Sinani, tërhoqi nënshkrimin.

Gjatë mbledhjes, vetë Sinani dhe anëtarët e opozitës kërkuan që çështja të hidhej në votim dhe të vendosej nga këshilltarët në sallë. Megjithatë, kryetari i këshillit, Arben Çupi, refuzoi ta përfshinte në votim, me argumentin se mocioni nuk plotësonte më kriterin minimal prej shtatë firmash.

Kjo është hera e dytë që Mynyr Sinani tërhiqet nga nënshkrimi për shkarkimin e Reçit.

Anëtarët e opozitës në Këshillin Bashkiak Bulqizë akuzojnë Reçin, për shkelje të rënda të detyrës dhe tejkalim të kompetencave të parashikuara nga ligji. Sipas tyre, një nga problematikat më serioze lidhet me mënyrën se si janë zhvilluar procedurat e dëgjesave publike për dhënien me qira të tokave pyjore dhe kullosore. Opozita pretendon se sekretari i këshillit ka ushtruar kompetenca që nuk i takojnë sipas ligjit dhe rregullores së funksionimit të Këshillit Bashkiak.

Pas debateve dhe ndërprerjes së diskutimeve, mbledhja u shty sërish dhe u la të vazhdojë ditën e hënë, më 11 maj, në orën 11:00.

Në rendin e ditës ishin parashikuar disa projektvendime që lidhen kryesisht me ndihmën ekonomike dhe mbështetje financiare për qytetarë në nevojë, përfshirë përdorimin e fondit shtesë për ndihmën ekonomike për muajin mars 2026, si dhe miratimin e ndihmave financiare për disa qytetarë.