Sekretari i Këshillit Bashkiak në Bulqizë, Klodian Reçi, denoncohet nga banorët për ndërhyrje të paligjshme në pallat

2246
Majtas, objekti në katin e parë të pallatit ku po kryhen punimet; djathtas, Klodian Reçi, aktualisht sekretar i Këshillit Bashkiak të Bulqizës.

Prej disa ditësh, në katin e parë të një pallati në Lagjen e Re të Bulqizës kanë nisur punime që kanë ngritur shqetësim te banorët që zotërojnë një apartamente në të. Sipas dëshmive të siguruara nga Bulqizaime.al, ndërhyrjet po kryhen si në ambientet e brendshme të objektit, ashtu edhe në hapësirat e jashtme, ku është vërejtur ndërtimi i një strukture betoni në dalje dhe prishja e mureve të brendshme të ish-banesës.

Banorët tregojnë se, sapo kanë konstatuar punimet, kanë kontaktuar pronarin e ri të objektit, Klodian Reçin, si edhe personat që po kryenin ndërhyrjet, duke i paralajmëruar se po zaptoheshin hapësirat e përbashkëta dhe se po dëmtoheshin muret mbajtëse të pallatit, çka sipas tyre rrezikon seriozisht sigurinë e të gjithë godinës dhe të familjeve që banojnë në katet e sipërme.

Sipas tyre, situata është shqetësuese jo vetëm për shkak të mungesës së transparencës mbi lejen çfarë po bëhet, por edhe për faktin se ndërhyrjet po kryhen në një pallat të vjetër, ku shumica e mureve të brendshme janë pjesë e sistemit konstruktiv mbajtës. Banorët kujtojnë se këto pallate janë ndërtuar dekada më parë, me kontribut vullnetar nga të burgosurit e periudhës së komunizmit, ndaj çdo ndërhyrje e pakontrolluar mund të sjellë pasoja, sidomos në rast të lëkundjeve sizmike.

Ata e lidhin shqetësimin edhe me precedentë tragjikë, si rasti i Durrësit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, ku ndërhyrjet në katet e para të pallateve të ngjashme dhe heqja e mureve mbajtëse u konsideruan faktorë që rritën cenueshmërinë e disa objekteve dhe jetët e humbura.

Ndërhyrjet e kryera në ambientet e jashtme dhe banorët e pallatit të mbledhur gjatë inspektimit të zhvilluar nga Inspektorati Vendor i Mbrojtjes së Territorit (IVMT) dhe Policia Bashkiake.

Gjatë mesditës së sotme, në terren mbërritën edhe strukturat e Bashkisë Bulqizë, Inspektorati Vendor i Mbrojtjes së Territorit (IVMT), si edhe Policia Bashkiake. Sipas banorëve, ka qenë i pranishëm edhe Klodian Reçi, të cilit i kanë kërkuar heqjen e menjëhershme të shtesës së betonit të ndërtuar në dalje të objektit dhe rikthimi i lulishtes në gjendjen e mëparshme.

Po ashtu, atij i është kërkuar që të mos kryejë më asnjë ndërtim në ambientet e jashtme. Megjithatë, banorët shprehen se inspektimi nuk duhet të kufizohet vetëm te prishja vullnetare e shtesës, por duhet të zgjerohet edhe në ambientet e brendshme, veçanërisht në guzhinë dhe ndarjet e tjera të objektit, ku dyshohet se janë prekur mure me funksion mbajtës.

Sipas tyre, është e rëndësishme që të kryhet një ekspertizë e plotë inxhinierike, pasi rreziku më i madh nuk lidhet vetëm me zaptimin e hapësirës së jashtme, por me sigurinë strukturore të të gjithë pallatit.

Banorët shprehen se e shohin me shqetësim edhe mungesën e reagimit nga strukturat e Policisë, pavarësisht se punimet janë zhvilluar prej disa ditësh në një ambient thuajse në qendër të Lagjes së Re, një zonë me lëvizje dhe lehtësisht e dukshme.

Burime nga Bashkia Bulqizë i thanë Bulqizaime.al se për këtë objekt nuk rezulton të jetë dhënë asnjë leje për ndryshim funksioni nga banesë në njësi biznesi, si edhe nuk ka leje për ndërhyrje në mure mbajtëse apo në fasadë.

Pamje nga procesi i dyshuar i ndryshimit të destinacionit të një banese në njësi tregtare në katin e parë të pallatit.

Në këtë rast, ligji kërkon jo vetëm leje ndërtimi për rikonstruksion me ndryshim funksioni, por edhe projekt të firmosur nga inxhinierë apo arkitektë të licencuar, të miratuar nga bashkia përmes sistemit elektronik. Për më tepër, për çdo ndërhyrje që prek fasadën ose hapësirat e përbashkëta kërkohet edhe pëlqimi i bashkëpronarëve të pallatit.

Inxhinier ndërtimi shprehen për Bulqizaime.al se shndërrimi i katit të parë në biznes, duke hequr muret e brendshme, në të tillë ndërtime krijon të ashtuquajturin “kat i butë”, pika më e dobët e godinës gjatë një tërmeti. Pikërisht ky fenomen konsiderohet ndër rreziqet më serioze për pallatet e vjetra shumëkatëshe.

Nëse konfirmohet se ndërhyrja është kryer pa leje, rasti mund të bjerë nën parashikimet e Kodit Penal për ndërtimin e paligjshëm, me dënime që variojnë nga gjoba deri në burgim, në varësi të natyrës së shkeljes, pronës ku ndërtohet dhe pasojave të mundshme.

Klodian Reçi mban aktualisht detyrën e sekretarit të Këshillit Bashkiak të Bulqizës, një pozicion në të cilin u zgjodh në shkurt 2024 mes debatesh dhe kundërshtish politike. Ai konsiderohet si një prej njerëzve kyç në administratën lokale të kryetares aktuale të Bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri si dhe ka qenë në qendër të debateve të fundit edhe për rolin e tij në dëgjesat publike për dhënien në përdorim të sipërfaqeve pyjore dhe kullosore. Opozita në Këshillin Bashkiak ka ngritur vazhdimisht akuza ndaj këtij të fundit për tejkalim kompetencash si edhe kërkesa për shkarkim.