Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Bulqizës, e parashikuar për këtë të premte, 3 prill 2026, dështoi të zhvillohej për shkak të mungesës së korumit të nevojshëm të anëtarëve në sallë. Në mbledhje mungoi edhe kryetari i Këshillit Bashkiak, si dhe kryetarja e Bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri. Për pasojë, seanca u shty për ditën e martë, më 7 prill 2026, në orën 10:00.
Në sallën e këshillit kishin mbërritur edhe disa banorë të fshatit Gjoricë e Poshtme, të cilët prisnin që të diskutohej sërish çështja e dhënies në përdorim të sipërfaqeve pyjore dhe kullosore për projekte energjetike, kryesisht për panele diellore. Prania e tyre u shoqërua me deklarata kundër çdo vendimi që prek kullotat e përbashkëta të zonës.
“Ne jemi komplet kundër kësaj. Kemi 84 firma kundër nga kryefamiljarët. Kemi ardhur këtu për t’ju njoftuar se jemi kundër dhe kjo çështje të mos zgjatet më”, u shpreh një prej banorëve për mediat.
Një tjetër banor tha se shqetësimi lidhet me mënyrën si, sipas tyre, janë prezantuar sipërfaqet që synohen të jepen në përdorim. Sipas tij, në dëgjesën e pare, por edhe në takime private banorëve u ishte thënë se bëhej fjalë vetëm për një hektar, ndërsa më pas rezulton se sipërfaqja shkon deri në 40 hektarë.
“Na thanë për një hektar, por tani po del 40 hektarë. Po na nxjerrin jashtë, nuk kemi ku të çojmë bagëtinë, nuk kemi ku të shkojmë”, tha ai.
Banorët paralajmëruan se nuk do të lejojnë ndërhyrje në terren nëse merren vendime pa dakordësinë e komunitetit, pasi për një investim të tillë janë mashtruar dhe “prerë në besë” duke përdorur njerëz të zonës. Një prej tyre, përfaqësues i një lagjeje me rreth 70 shtëpi, i bëri thirrje këshillit që të mos e miratojë asnjë projekt apo të lejoj ankande për panele diellore në zonë.
“I bëjmë thirrje Këshillit Bashkiak të mos e miratojë. Nëse e bëjnë, do të përballen me popullin. Do të jemi të parët që do t’i shkulim prej andej”, deklaroi ai.
I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse në zonë mbërrijnë makineritë, banori u përgjigj se i gjithë fshati do të dalë në terren për ta kundërshtuar.
Në vitin 2024 Këshilli Bashkiak miratoi dhënien e rreth 42 hektarëve tokë pyjore-kullosore për ndërtimin e parkut fotovoltaik “Solar Park Gjorica”.
Ky projekt fillimisht u prezantua si një investim lokal, por vetëm pak javë pas miratimit, kompania ndryshoi pronësi. “Solar Park Gjorica”, e themeluar në nëntor 2023 nga Sokol Tasha, transferoi 97% të aksioneve te “Gjonaj Group Holdings” në prill 2024.
Mbledhja e sotme kishte një rend dite me 13 pika, ku përfshiheshin projektvendime për ndihmën ekonomike, buxhetin afatmesëm 2027–2029, raportin e monitorimit të Bashkisë për vitin 2025, disa ndihma financiare individuale, si dhe çështje që lidhen me fondin pyjor dhe kullosor. Kryesisht për dhënien në përdorim të sipërfaqeve pyjore dhe kullosore për hedhjen e sterilit të kromit, sipas lejeve minerare ekzistuese, si dhe miratimi i Planit të Mbarështimit të Ekonomisë Pyjore Zerqan.
Pas mungesës së korumit, Këshilli Bashkiak njoftoi zyrtarisht shtyrjen e mbledhjes: “Për mungesë të korumit mbledhja e parashikuar ditën e sotme, me datë 03.04.2026, shtyhet për ditën e martë me datë 07.04.2026 në orën 10:00.”
Debati për Gjoricën
Prania e banorëve në sallë vjen vetëm pak ditë pas dëgjesës publike të zhvilluar në Gjoricë e Poshtme, e cila u shoqërua me debate mes banorëve dhe përfaqësuesve të Bashkisë Bulqizë.
Në atë takim, sekretari i Këshillit Bashkiak dhe përfaqësues të Drejtorisë së Administrimit të Pyjeve dhe Kullotave prezantuan planin për dhënien në përdorim të parcelave pyjore dhe kullosore përmes ankandit. Një pjesë e tyre kundërshtuan projektin, duke argumentuar se bëhet fjalë për toka të përbashkëta të përdorura prej brezash si kullota për bagëtinë. Sipas tyre, dhënia e vazhdueshme e sipërfaqeve për investime energjetike po redukton ndjeshëm hapësirat jetike për blegtorinë dhe po rrezikon ekonominë familjare të zonës.
Brenda pak javësh, Bashkia Bulqizë ka dhënë me ankand mbi 100 hektarë tokë për projekte energjetike.









