Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e datës 1 prill 2026 vendimin për shpronësimin për interes publik të disa pasurive private që preken nga projekti “Parku Natyror ‘Liqeni i Ulëzës’ dhe zona e mbrojtur përreth tij”, në Bashkinë Mat.
Sipas vendimit, shpronësimi bëhet në favor të Ministrisë së Mjedisit, ndërsa përfitues do të jenë pronarët e pasurive të llojit arë, truall, njësi dhe ndërtesë, të cilat ndodhen në gjurmën e projektit.
Për kompensimin e plotë të pronarëve është miratuar një fond prej 4 milionë e 41 mijë e 111.7 lekësh, i cili do të përballohet nga buxheti i shtetit përmes Fondit të Shpronësimeve në Bankën e Shqipërisë. Ndërkohë, për procedurat administrative është parashikuar edhe një fond shtesë prej 50 mijë lekësh, që do të mbulohet nga Ministria e Mjedisit.
Vendimi përcakton se procesi i shpronësimit nis menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe duhet të përfundojë brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi. Pronarët do të kompensohen pasi të dorëzojnë dokumentacionin justifikues pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin, e cila do të kryejë likuidimin sipas procedurave ligjore.
Po ashtu, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Mat, është ngarkuar që brenda 30 ditëve të nisë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të Ministrisë së Mjedisit.
Deri në përfundim të këtij procesi, Kadastra do të pezullojë çdo transaksion me pasuritë e përfshira në shpronësim, për të garantuar zbatimin e plotë të projektit.
Ky zhvillim i hap rrugë realizimit të projektit që synon mbrojtjen e biodiversitetit, ruajtjen e ekosistemit të liqenit të Ulëzës dhe zhvillimin e turizmit natyror në rajon.









